FIER - Bashkia e qytetit të Fierit u bë një ndër bashkitë e para në vend që memorizon materialet dhe vendimet e Këshillit Bashkiak në portal elektronik. Qendra e Informimit Publik, Tiranë, e financuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ka dixhitalizuar dhe hedhur në portalin elektronik të gjitha vendimet e Këshillit Bashkiak.

"Databaza e bashkisë së Fierit, e cila tashmë është e publikuar në faqen elektronike të bashkisë, përmban të gjithë koleksionin e vendimeve nga viti 2007 deri në vitin 2013", u shpreh Drejtori i Qendrës së Informimit Publik, Gerti Shella.

Sipas tij, prej tre vjetësh kjo qendër po punon për dixhitalizimin e të gjitha vendimeve të pushtetit vendor dhe bashkia e Fierit ka privilegjin të jetë ndër të parat që përfiton nga ky projekt. "Kjo edhe falë punës, përkushtimit dhe bashkëpunimit të arshivës dhe ekzekutivit të kësaj bashkie", thekson ai.

Dixhitalizimi i vendimeve të këshillave bashkiak në një portal elektronik kombëtar përbën një risi në lidhje me transparencën dhe informimin e qytetarëve lidhur me aktivitetin e pushtetit vendor.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 07.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)