Kjo është rruga që të çon drejt Gurëzezës dhe Teqesë së Baba Refatit.
4 kilometra tejet të vështira nga qendra e fshatit Cakran drejt pikës turistike.
Banorët e zonës e ngjisin kodrën me gomerë, ndërsa ata pak vizitorë që vijnë në këto anë duhet të kenë makina të larta 4*4.
“Rruga është shumë e dëmtuar. Ata që vijnë këtu janë kryesisht për të vizituar Gurëzezën ose për të shkuar në teqe. Me makina normale është shumë e vështirë të kalosh”, thonë banorët.
Teqeja e Baba Refatit, me rreth 4 shekuj histori, është një vend pelegrinazhi për bektashinjtë, por që vizitohet gjithnjë e më rrallë.
“Gjendja e rrugës ka ndikuar shumë në numrin e besimtarëve që vijnë në Teqe. Ka pasur një rënie të vizitave dhe kjo është ndjerë edhe gjatë festimeve tradicionale”, thotë shehu Pëllumb Sulaj.
Gurëzeza ishte një vendbanim i fortifikuar ilir, i cili arriti kulmin e zhvillimit midis shekujve IV dhe I p.e.s. I shtrirë mbi luginën e lumit Vjosë, qyteti ishte selia e mbretit Monun dhe kishte marrëdhënie tregtare me Apoloninë. Ai u shkatërrua gjatë luftërave romake, më pas u braktis. Muret rrethuese ende dëshmojnë karakterin urban të këtij vendbanimi të hershëm.









Komente
Komento