Rënia në Kategorinë e Dytë nuk është përjetuar si dramë te Apolonia. Pas këtij verdikti klubi fierak ka vendosur të nis një projekt të ri, për t’iu besuar më shumë të rinjve dhe për t’u kthyer më i fortë se kurrë. Për pasojë drejtuesit i besuan ekipin trajnerit indian Noor Alam, edhe pse vetëm 25-vjeç. Më herët ai mbante postin e drejtorit sportiv te Apolonia, ndërsa licencën e trajnerit e ka marrë në Skoci. Për Report TV ai tregon se kishte 3 oferta në momentin që zgjodhi Shqipërinë, ndërsa me vendin tonë u njoh për shkak të transferimit të Armando Sadikut në Indi si dhe përmes trajnerit Thomas Brdaric, i cili më herët ka drejtuar Vllazninë.

“Më pëlqen çdo gjë në Fier. Shumicën e kohës e kaloj në akademinë e klubit. 8-10 orë në ditë. Më pëlqen shumë qendra e qytetit dhe mund të them se ka njerëz të mrekullueshëm. Jam këtu për një projekt që ka të bëjë me rritjen e të rinjve. Qëllimi është të ngjitemi në kategori dhe në të njëjtën kohë për 3-5 vitet e ardhshme të jemi një skuadër shumë e fortë,”-u shpreh Noor Alam.

Për 25-vjeçarin deri më tani nuk ka qenë e lehtë. Për herë të dytë gjatë ndeshjeve ai thotë se ka rënë pre e abuzimeve raciste dhe paragjykimeve.

“Njerëzit, lojtarët dhe ata që punojnë këtu me mua e dinë se kush janë qëllimet e mija. Në çdo shoqëri ka njerëz të mirë dhe të këqinj. Zgjidhja ime është t’i shpërfill sepse nuk dua të ndaloj gjatë. Nëse e bëj këtë nuk do të fokusohem 100% te puna ime,”-tha trajneri i Apolonisë.

Për Report TV Alam tregon se ka 11 muaj në Fier dhe deri më tani ka mësuar disa fjalë në shqip.

“Si jeni, si je, mirëmëngjes, natën e mirë. Pak kuptova,”-tha Alam.

Në intervistën e dhënë për Report TV 25-vjeçari kaloi përtej fushave, duke folur për vajzat ushqimet që pëlqen më shumë në Shqipëri.

"(qesh) … Dua të them që vajzat janë të bukura, por qëllimi im këtu nuk është ky. Ushqimi në Fier më ka pëlqyer shumë dhe të preferuarit e mi janë qoftet dhe fasulet,”-deklaroi ai.

Aventurën si trajner te Apolonia Alam e nisi me fitore, ndërsa në ndeshjen e fundit u mposht nga 2-1 nga Këlcyra. Sfida e ardhshme do të jetë më 10 nëntor kundër Butrintit në Fier.