FIFA bllokon merkaton e Realit
dhe Atletico deri në Janarin e 2018

FIFA bllokon merkaton e Realit<br />dhe Atletico deri në Janarin e 2018
Dy klubet e Madridit Real dhe Atletico nuk do të mund të afrojnë lojtarë deri në vitin 2018.

Drejtuesit e FIFA-s konfirmuan këtë vendim, duke penalizuar kështu dy klubet e kryeqytetit spanjoll, për të mos bërë dot përforcime në dy periudhat e ardhshme të merkatos.

Te Reali dhe Atletico pra nuk mund të vijë dot asnjë futbollist gjatë periudhës së transferimeve në janar të vitit 2017 si dhe në verën e ardhshme, e gjitha kjo për shkak të vendimit të FIFA-s për të dënuar këto dy klube, për firmosjen e kontratave me lojtarë nën moshën e lejuar.

Argumentet si dhe mbrojtja e kësaj cështje nga Reali dhe Atletico u hodhën poshtë nga Komiteti i Apelit dhe organizmi më i lartë i futbollit aplikoi të njëjtin vendim si në rastin e Barcelonës, që në vitin 2015 u privua nga blerja apo afrimi i lojtarëve për dy periudha të merkatos.

Pra dy skuadrat finaliste të edicionit të fundit në Champions League nuk mund të firmosin dot me asnjë futbollist deri në janarin e vitit 2018, sidoqoftë si Reali ashtu edhe Atletico kanë të drejtë për të bërë ankimim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Idea është e qartë, pasi të njëjtën gjë bëri edhe klubi katalanas. Dy klubet nga Madridi do t’i drejtohen KAS-it në Lozanë, me qëllim shtyrjen e këtij vendimi për të paktën një fazë transferimesh.

Në një rast të tillë si Reali ashtu edhe Atletico do të përfitonin kohë duke u përforcuar në janarin e ardhshëm, për t’iu nënshtruar më pas sanksioneve të FIFA-s.

Këtë verë të dy klubet shpresonin shumë në ratifikimin e këtij dënimi, por vendimi përfundimtar i ditës së enjte konfirmoi shkeljet në artikujt 5, 9 dhe 19 si dhe në pikat 2 dhe 3 të rregullores dhe statutit të transferimit të futbollistëve.

Menjëherë pas njoftimit të FIFA-s Reali publikoi një komunikatë, ku në fakt drejtuesit ankohen për vendimin e marrë nga organizmi më i lartë i futbollit, duke e konsideruar madje dënimin si krejtësisht të padrejtë dhe kundër pricipeve më elementare përsa i përket të drejtave të dy palëve.

Pa humbur kohë klubi më i lavdishëm spanjoll bëri të ditur se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, kundër këtij dënimi, me bindjen e plotë se gjithcka do të zgjidhet në favorin e tyre, gjithsesi në ankimim do të kërkohet gjithashtu që cështja të shqyrtohet me urgjencë, në mënyrë që KAS të shpallë vendimin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Natyrisht Atletico është klubi që preket më tepër nga një sanksion i tillë, pasi gjërat për momentin në klubin mbretëror duken vërtet mirë.

Kështu në Santiago Bernabeu drejtuesit kaluan një verë të qetë dhe i vetmi përforcim nëse mund të quhet kështu është rikthimi në gjirin e skuadrës i sulmuesit Alvaro Morata.

Reali ka fituar 2 nga 3 edicionet e fundit në Champions, si për ironi të fatit duke mundur në finale pikërisht Atletico-n, sidoqoftë në janar të vitit 2018 të vetmet probleme trajneri Zinedine Zidane mund t’i ketë nga mosha e dy qendërmbrojtësve: 35 Pepe dhe 32 Sergio Ramos, sepse përsa i përket pjesë tjetër të ekipit që tani trajneri francez ka nga dy alternativa për çdo pozicion.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron