FIFA pritet të ndryshojë rregullat e pezullimit për kartonët e verdhë në Kupën e Botës 2026, duke futur një fazë të dytë amnistie. BBC mësoi se organi drejtues i futbollit planifikon të fshijë kartonët e verdhë të grumbulluar pas fazës së grupeve, si dhe pas çerekfinaleve. Çështja pritet të diskutohet sot në një mbledhje të Këshillit të FIFA-s në Vancouver.

Aktualisht, një lojtar pezullohet për një ndeshje pasi merr kartonin e dytë të verdhë gjatë turneut të Kupës së Botës.

FIFA kishte futur më herët një amnisti pas çerekfinaleve, për të shmangur raste si ai i Michael Ballack, kapiten i Gjermanisë, i cili humbi finalen e vitit 2002 pasi mori kartonin e dytë në gjysmëfinale.

Futja e një amnistie të dytë pas fazës së grupeve vjen si pasojë e zgjerimit të turneut nga 32 në 48 ekipe, çka sjell edhe një raund shtesë eliminimi, atë të 1/16-ve. Ky ndryshim gjithashtu ul mundësinë që lojtarët të pezullohen për ndeshjet gjysmëfinale.

Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. FIFA po zhvillon këtë javë takime në Vancouver, përfshirë edhe Kongresin e saj vjetor të enjten.