Fili shpëton Partizanin nga
humbja, Skënderbeu shkon në +4

Fili shpëton Partizanin nga<br />humbja, Skënderbeu shkon në +4
Ka përfunduar barazim 2-2 në stadiumin “Selman Stërmasi” derbi i kryeqytetit midis Tiranës e Partizanit. Në një ndeshje me shumë emocione Tirana arriti të ndalte kundërshtarin e saj historik, duke e larguar nga kreu i renditjes, pasi Skënderbeu fitoi po sot ndaj Laçit 6-1 dhe është 4 pikë para Partizanit. Ndeshja filloi mjaft mirë për të kuqtë që në minutën e 21-të shënuan golin e parë me anë të Sukajt.

Por Tirana ka reaguar shpejt dhe në 28’ Gentian Muça me kokë ka barazuar. Pas këtij goli ndeshja është ndezur dhe është zhvilluar me një ritëm shumë të lartë me sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat, por edhe me shumë tension e përplasje si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Me fillimin e pjesës së dytë Tirana ka shënuar golin e dytë me Elis Bakajn që shënon golin e ish-it.

Partizani kundërpërgjigjet duke u hedhur tërësisht në sulm dhe loja herë herë bëhet e egër me ndërhyrje mbi normalen. Një ndërhyrje e tillë në dëm të Emiliano Vilës i kushton kartonin e dytë të verdhë Gentian Muçës, i cili e lë Tiranën në minutën e 56-të me 10-të lojtarë. Nga ky moment ndeshja ka vetëm një skenar, Partizani në sulm dhe Tirana e gjitha në mbrojtje.

Pavarësisht presionit dhe faktit që janë me një lojtar më pak bardheblutë ia arrijnë të ruajnë rezultatin deri afër fundit të shtesës, prej 5 minutash që akordoi gjyqtari Lorenc Jemini, por pikërisht këtu të kuqtë godasin me sukses. Pas një askioni të gjatë Fili del i vetëm përballë me portierin Edvan Bakaj dhe me një goditje shumë të fortë ia kalon topin në mes të këmbëve dhe në rrjetë. Partizani feston që i shpëtoi humbjes, por nuk ka më kohë për më tepër. Ndeshja mbaroi 2-2 dhe tani në tre ndeshjet e mbetura për të kuqtë malorja drejt titullit është bërë edhe më e vështirë. Skënderbeu është 75 pikë, ndërsa Partizani 71, kur në lojë mbeten vetëm 9 pikë.
 
Kampionët mundin 6-1 kurbinasit
Skënderbeu fitoi një nga ndeshjet më të lehta për këtë sezon. Kampionët në fuqi kanë mundur me rezultatin e thellë 6-1 Lacin, që e kishte eliminuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kurbinasit janë shfaqur tejet të pamotivuar në këtë ndeshje. Laçi edhe pse matematikisht nuk e ka siguruar mbijetesën, praktikisht kjo ka ndodhur se vështirë të arrihet nga dy skuadrat e fundit ndaj në këtë ekip kanë kohë që po mendojnë vetëm për finale e Kupës. Kjo u pa si në fushën e lojës por edhe jashtë saj, ku në stolin e rezervave Laçi kishte vetëm 4 lojtarë.

Gjithsesi Skënderbeu nuk e kurseu, sidomos në pjesën e parë ku shënoi plot gjashtë gola. Në minutën e 4-t, James shërbeu për Abazin që shënoi golin e parë, ndërsa në të 11-tën, portiere Selmani bllokoi goditjen e parë të Salihit, por shkodrani reagoi shpejt duke shërbyer për James në qendër për golin e dytë. Në të 16-tën, nga goditja e këndit James shënoi dhe golin e dytë të tij në këtë ndeshje ndaj ish skuadrës së tij. Në të 31-tën, Eskerdinjën kaloi gjithë mbrojtjen e Laçit dhe shënoi, ndërsa në të 38-tën, nuk mund të mungonte dhe goli i Hamdi Salihit, që shënoi të pestin për Skënderbeun.

Eskuerdinja realizoi golin e 6-të dhe të dytin personal, duke mbyllur goleadën e kampionëve. Në pjesën e dytë Skënderbeu u frenua dhe kështu Laçi arriti të gjente golin e nderit me Argjend Mustafën në të 60-tën. Minutat e mbetur të ndeshjes u luajtën sa për të kaluar kohën dhe në fund Skënderbeu fitoi 6-1 një ndeshje që i ngjante një stërvitoreje, por me një ndryshim të madh se tre pikët vlejnë njësoj.


Dhunohet stafi i Partizanit shoqërohet në polici Devi Muka
Derbi Tirana-Partizani nuk ka kaluar pa incidente. Ish kapiteni legjendar i Tiranës dhe drejtori aktual i bardhebluve, Devi Muka së bashku me 9 tifozë të Tiranës janë shoqëruar në ambientet e policisë pasi dyshohet se dhunoi stafin e ekipit të Partizanit pas ndeshjes. Ky nuk ishte incidenti i vetëm në këtë takim, pasi edhe gjatë ndeshjes, drejtori i stadiumit goditi me tymuese tifozët e kuq. Menjëherë kanë ndërhyrë forcat e rendit që shoqëruan drejtorin e stadiumit. Incidenti ka ndodhur në hollin mes dhomave të ndeshjes dhe hyrjes së stadiumit. Pas përfundimit të takimit, Devi Muka është konfrontuar fizikisht me një prej pjesëtarëve të stafit të Partizanit, duke e goditur atë me grushte. Përmes një njoftimi në rrjetin social facebook klubi i Partizanit dënon ashpër dhunën ndaj stafit duke postuar edhe foton e drejtorit të përgjithshëm të dhunuar Dritan Dervishi

REAGIMI I KLUBIT TË PARTIZANIT:
Klubi reagon për dhunën barbare të ushtruar nga tifozët dhe drejtues të Tiranës ndaj drejtuesve tanë në përfundim të takimit Tirana – Partizani. Në ambjentet brenda stadiumit Drejtori i Përgjithshëm Dritan Dervishi dhe dy përfaqësues të tjerë të klubit janë goditur jo vetëm nga tifozë por ajo që është më e rëndë nga drejtues të klubit bardheblu drejtori teknik Devi Muka por edhe persona të paautorizuar të cilët kanë sulmuar stafin e Partizanit. Pamjet flasin qartë, por ne do ti bëjmë publike edhe me pamje të filmuara.

Përfaqësues të klubit tonë mbahen padrejtësisht në ambjentet e komisariatit Nr. 2, ndërkohë që ndaj dhunuesve nuk merret asnjë masë. Klubi i kërkon të gjitha instancave kompetente organeve shtetërore, drejtësisë dhe policisë të marrin masat ndëshkuese ndaj individëve për këtë sulm vandal që ndodh në fushat e futbollit. Tirana si klubi organizator ka përgjegjësinë kryesore për mbarvajtjen e takimit dhe sigurinë e ekipit mik. Kurrsesi nuk mund të pranohet nga ana e klubit tonë një mikpritje e tillë e cila ka shkelur rëndë Fair – Play -in mos treguar aspak mikpritje sportive.


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Erdogan inauguron xhaminë e Namazgjasë/ Arapi: Tallja ndaj myslimanëve mori fund! Tanini: Arkitektura e saj është brutale! Mirë që nuk ka emrin e ndonjë sulltani

Erdogan inauguron xhaminë e Namazgjasë/ Arapi: Tallja ndaj myslimanëve mori fund! Tanini: Arkitektura e saj është brutale! Mirë që nuk ka emrin e ndonjë sulltani