Sot, myslimanët në të gjithë botën nisin muajin e Ramazanit-muajin e agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira. Autoritetet fetare dhe ato politike në Shqipëri e Kosovë u urojnë të gjithë besimtarëve myslimanë në vend një agjërim të lehtë, ndërsa kanë bërë thirrje për rritjen e solidaritetit dhe respekti në shoqëri.

TOPI: URON MYSLIMANET 
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot uron të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, me rastin e fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
"Le të jetë ky muaj i madhërishëm, tregues i dëshirës së madhe e fisnike për të kultivuar e evidentuar edhe më shumë vlerat humane, tolerancën e përgjithshme, respektin e ndërsjellë, dashurinë midis njerëzve dhe gatishmërinë për sakrificë për të mirën e shoqërisë", thuhet në mesazhin e Presidentit të Republikës.
"Me agjërimin dhe përkushtim në pastrimin e shpirtit dhe në forcimin e besimit, të gjithë ju, besimtarë myslimanë, por dhe mbarë kombi shqiptar, do të dini të shfaqni si përherë, ndjenjat e larta të tolerancës, solidaritetit, ndihmës e zemërgjerësisë për njëri-tjetrin, si dhe aftësitë e jashtëzakonshme për të ruajtur pasurinë e paçmuar të bashkëjetesës e harmonisë paqësore fetare, e cila është jo vetëm shembull i përkryer e i rrallë botëror i vlerave shpirtërore dhe njerëzore, por dhe shpresë e besim për të ardhme më të mirë e integrim të shpejtë e të merituar në botën e qytetëruar", thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.

RAMAZANI NE BOTE
Ndërkohë, deklaratat zyrtare të lëshuara të enjtën në Algjeri, Egjipt, Arabinë Saudite, Liban, Jordani, Kuvajt, Katar, Tunizi dhe Jemen njoftuan se Ramazani do të nis po sot në këto shtete. Ndërkaq në Oman, Siri dhe për myslimanët suni në Irak dhe Iran, Ramazani nis të shtunën.
(sg/shqiptarja.com)