Sezoni i 80-të i NBA nisi me spektakël dhe dy ndeshje emocionuese. Në sfidën hapëse, kampionët në fuqi të Oklahomës mposhtën Houston Rockets pas dy kohëve shtesë me rezultatin 125-124, në një ndeshje që dhuroi drithërima deri në sekondat e fundit.
Heroi i mbrëmjes ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili fillimisht barazoi rezultatin për ta dërguar ndeshjen në shtesë, e më pas vulosi fitoren me një tjetër kosh në sekondat e fundit. Ylli kanadez e mbylli duelin me 35 pikë, 5 ribaunde dhe 5 asistime, duke udhëhequr Oklahomën drejt fitores së parë sezonale.
Në Los Angeles skuadra e Lakers luajti “derbin” me Golden State pa LeBron James. Në mungesë të tij Luka Doncic tentoi që të fitonte i vetëm takimin, por Jimmy Butler dhe Steph Curry udhëhoqën Golden State drejt fitores së parë sezonale me shifrat 119-109.
Edhe pse Luka Doncic zhvilloi një paraqitje spektakolare me 43 pikë, 12 kërcime dhe 9 asistime, Lakers nuk mundën të shmangnin humbjen. Doncic u bë lojtari i parë i Lakers që nga Kobe Bryant në vitin 2007 që e hap sezonin me mbi 40 pikë, duke rikthyer kujtimet e legjendës së ndjerë.
Rezultatet e ndeshjeve në NBA:
LA Lakers - Golden State Warriors 109-119
Oklahoma City Thunder - Houston Rockets 125-124
Komente











