Federata Shqipare e Futbollit ka nxjerrë në shitje (vetëm online) biletat e ndeshjes Shqipëri - Çeki, që luhet mbrëmjen e 12 tetorit në "Air Albania". Dueli vlen për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E, me tanët që janë në vendin e parë në grup dhe kanë shanse reale për të kaluar në fazën finale të "Gjermani 2024".
Forma e mirë e lojtarëve dhe fitorja 2-0 me Poloninë, si edhe barazimi me çekët në Pragë në ndeshjet e fundit ka shtuar interesin për sfidën e tetorit, që mund të vendosë pikat mbi "i" sa i takon kualifikimit.
Tanimë kompania që merret me menaxhimin e biletave, në bashkëpunim me FSHF-në i kanë nxjerrë në treg biletat (online), ndërsa në minutat e para serveri ka rënë dhe tifozët kanë një numër që i lë në pritje, kjo si dëshmi e interesit të madh.
Në stadiumin me 22 mijë vende (Air Albania), duket se më shumë se 200 mijë kërkesa ka për t'u futur në stadium dhe për të parë nga afër "Shqiponjat" e Sylvinhos.