TIRANE - Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit të Tiranës ka nisur punën ditën e sotme. 8 anëtarët e rinj të Kolegjit të zgjedhur me short më 7 dhjetor kanë marrë sot detyrën, të thirrur nga zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa.

Çefa vlerësoi rëndësinë që institucioni i Kolegjit Zgjedhor ka në realizimin e procesit zgjedhor dhe në respektimin e lirive dhe të drejtave politike të qytetarëve, duke theksuar se përmbushja e funksionit të gjyqtarit të Kolegjit Zgjedhor, nëpërmjet profesionalizmit dhe integritetit, duhet të ofrojë garancitë maksimale në zbatimin e ligjit, në mënyrë transparente dhe të paanshme.

Nga ana e tyre gjyqtarët shprehën angazhimin maksimal që me punën e tyre, do të kontribuojnë në zbatimin e standardeve europiane të procesit zgjedhor.

Në takimin e organizuar me këtë rast në ambientet e KLD-së, përveç tetë gjyqtarëve që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor merrte pjesë dhe kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Alaudin Malaj.

8 ANETARET E KOLEGJIT ZGJEDHOR
1. Andi Civici – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë;
2. Edlira Petri – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë;
3. Fuat Vjerdha – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër;
4. Gjinovefa Gaba – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë;
5. Ilir Toska – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë;
6. Kliton Spahiu – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Durrës;
7. Petrit Çeno – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Durrës;
8. Valbon Çekrezi – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Durrës

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)