TIRANE - Pas miratimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” është publikuar këto ditë në Fletoren Zyrtare dhe autorizimi i parë për kompaninë “EVEREST IE” sh.p.k. për importin e mbetjeve të polietilenit për qëllime riciklimi.

Sasia e mbetjeve të polietilenit që lejohet të importohen është 4.500 tonë dhe ato duhet të importohen nga vendet e BE-së, theksohet në një vendim të Këshillit të Ministrave. Transporti bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të jetë plotësuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve.

Periudha kohore e lejimit të importit të mbetjeve të polietilenit nga “EVEREST IE” sh.p.k. do të jetë njëvjeçare, periudhë, e cila fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi. Deri tani, importi i polietilenit lejohej vetëm për si lëndë e parë dhe jo për qëllime riciklimi.

Ligji për importin e mbetjeve është kundërshtuar vazhdimisht nga shoqëria civile dhe ambientalistët dhe së fundmi është kërkuar dhe një referendum për lejimin apo jo të importit të tyre, por deri tani kërkesat e tyre janë shpërfillur nga Ekzekutivi.

Pak ditë më parë, zëdhënësja e kryeministrit Erla Mëhilli deklaroi se lista e mbetjeve që mund të importohen është pakësuar me gjysmën e parashikuar më parë.

(Ge.Ko/Gre.M/Shqiptarja.com)