Filmi “Vrasje në gjueti”, një prodhim i vitit 1987 me regji të Kujtim Çashkut dhe skenar të Neshat Tozajt, është një nga shembujt më domethënës të atyre që sot njihen si filmat e Sigurimit të Shtetit. Të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” gjatë viteve të komunizmit, në këto realizime, hetimi kriminal shndërrohej në një mjet për të përcjellë mesazhin se shteti ishte i gjithpranishëm dhe i gjithdijshëm.

Tituj si “Operacion zjarri”, “Fije që priten”, “Asgjë nuk harrohet”, “Gëzhoja e vjetër”, “Kërcënimi” apo “Hetimi vazhdon” kishin në qendër jo policinë në kuptimin klasik, por punonjësit e Sigurimit të Shtetit, të paraqitur si figura heroike, të pagabueshme dhe gjithmonë një hap përpara “armikut”.

Dhe pas këtyre prodhimeve kinematografike nuk ishin vetëm regjisorët e skenaristët, por dhe vetë aparatura e sigurimit që duhej të mbikqyrta faza e ndryshme të filmit dhe të jepte miratimin e saj.

Një punë e gjerë kërkimore, e studiueses Eriona Vyshka, e përmbledhur në librin e saj “Dokumente arkivore në fondin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (1954–1994)” hedh dritë pikërisht për mënyrën e kontrolluar, së cilës inënshtroheshin, vecanërisht filma të tillë. Libri mbështetet në dhjetëra proceseverbale, analiza ideoartistike dhe dokumente të brendshme, të ruajtura në 32 blloqe arkivore, që dëshmojnë mënyrën se si kontrollohej dhe formësohej çdo film përpara se të dilte në ekran.

“Mbaj mend që kur kam lexuar për mbledhjet e shumta që diskutohej filmi ‘Vrasje në gjueti’. Ka pasur problematikë, sepse të gjitha komentet dhe mënyra se si duhej zhvilluar skenari dhe se si kishin dalë xhirimet e para të filmit, duhej miratuar nga Ministria e e Brendshme dhe të gjitha materialet nga studio shkonin në organet përkatëse në Ministrinë e Brendshme, të cilët vononin në përgjigje, pasi edhe atyre vetë iu duhej koha e nevojshme, për të qenë në rregull me vijën ideologjike.”, thotë për “Report TV”, studiuesja Eriona Vyshka.

Puna me këto dokumente ka qenë komplekse, pasi materialet janë të ndërthurura dhe ndjekin gjithë rrugëtimin e një filmi, nga ideja fillestare, te skenari, xhirimet dhe vlerësimi përfundimtar ideologjik, që bëhej me çdo film që realizohej.

“Kishte kritika, pse ky apartament, për shembull, është i arreduar kaq bukur dhe shtrohen këto darka, në filmin ‘Hije që mbeten pas’.  Familja e Adnanit këtu shtron darka të mira dhe ka një shtëpi të arreduar shumë mirë! Nuk duhet përcjellë ky mesazh, në një popull që nuk i ka këto kushte! Dhe u diskutua që të ribëheshin xhirimet, për arsye se duhej rregulluar interieri, të bëhej më modest. Por nuk u realizua ky ndryshim. Ideja e filmit ishte që familja jetonte në një luks të tillë, pikërisht sepse Adnani ishte një drejtor i korruptuar dhe ndryshe do të prekej dramaturgjia e filmit.”, vijon Vyshka.

Dokumentet arkivore tregojnë se realizimi i këtyre filmave ishte i lidhur ngushtë me strukturat shtetërore. Shumë prej tyre nisnin si propozime të vetë drejtuesve të Sigurimit dhe kalonin në disa filtra miratimi, nga Kinostudio deri në Ministrinë e Brendshme.

“Kam bërë një punë sistematike me leximin e të gjithë procesverbaleve dhe me renditjen e tyre, me grupimin. Për secilin film kam grupuar mbledhjet përkatëse sipas kronologjisë së tyre, duke ia bërë më të lehtë aksesin studiuesit.”, tregon studiuesja.

Sot, përmes këtyre filmave dhe dokumenteve arkivore që i shoqërojnë, kinematografia shqiptare e periudhës komuniste lexohet si një dëshmi historike, ku arti, propaganda dhe kontrolli politik kanë qenë të pandara nga njëri-tjetri.