Tiranë/3shkurt/2015/ATSH/ Agron Shala është aktori i angazhuar në filmin "Phoenix", me sinopsis të Mel Gibson e me regjisor Florian Frerichs, i cili është pranuar zyrtarisht në kategorinë e filmave të shkurtër në Festivalin e Filmit në Berlinale. Ky film që për producent ka Agron Krasniqin e që është xhiruar në Berlin, ka edhe një veçanti tjetër, pasi në këtë film, në një pjesë flitet edhe në gjuhën shqipe sikurse flitet edhe për periudhën e ilirëve, ka konfirmuar  aktori Shala
Shala është shprehur se ndihet mirë për këtë sukses, sikurse edhe për faktin tjetër se pikërisht në këtë film është futur historia shqiptare krahas historive të popujve të tjerë siç janë: amerikanët, gjermanët.
Në një intervistë,  Agron Shala tregon  për rolin e tij ku paraqet një ndër personazhet i cili i mbron librat . "E veçanta e këtij roli që interpretoj është që interpretoj një shqiptar mes identiteteve të fuqishme siç janë amerikanët, gjermanët, etj, dhe me insistimin tonë dhe të producentit kemi arritur që të futet edhe historiku ynë si shqiptarë brenda historive të shteteve të tjera. Unë e paraqes një periudhë të ilirëve dhe në këtë film dëgjohet edhe shqipja jonë e bukur, që për mua është shumë me rëndësi ", u shpreh Shala.

Ai më tej vazhdon duke treguar për bashkëpunimin që ka pasur me aktorët e huaj si dhe pranimin e rolit me të cilin edhe fillon filmi. "Rolin e kam pritur shumë mirë dhe me shumë kënaqësi për shkak të përfshirjes të së kaluarës sonë në shumë histori të tjera. Ne si aktorë na interesojnë shumë anë, por kur merr një skenar për ta lexuar gjëja e parë që shikon është se çfarë roli ke, pastaj të vjen në mendje se si duhet ta paraqesësh vendin tënd. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për shkak se filmi është xhiruar në Berlin dhe përvoja për mua ka qenë unike në mënyrën e organizmit dhe punës që bëhet. Mendoj që me këtë film kemi arritur bashkëpunim të mirë, pasi  filmi në përgjithësi kërkon shumë bashkëpunim sepse është profesion i gjerë, e nuk mund të  mbështetet në punë individuale ", u shpreh aktori Shala.

Premiera e këtij filmi ka qenë në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Berlin, dhe sipas producentit, Agron Krasniqi ka qenë një premierë e mbyllur pasi filmi udhëton akoma nëpër festivale.  Filmi do të marrë pjesë nëpër shumë festivale prestigjioze që janë si: Berlinale, Kanë, po ashtu është pranuar në "Hollivud Short Film Festival". Diku nga nëntori do të shfaqet edhe në një festival evropian që mbahet në Çeki. Vetë fakti që është pranuar në këto festivale tregon që filmi po shkon shumë mirë. Është një film i veçantë për shkak se ideja është shumë aktuale, ne po jetojmë dhe pa vetëdije ne po e mbysim librin dhe po fillojmë ti qasemi teknologjisë Ne me regjisorin njihemi shumë kohë më parë dhe kemi pasur edhe projekte të tjera, ku vlen të përmendet viti 2012 me një film ku kam qenë edhe producent edhe aktor, dhe kështu na ka lidhur edhe më shumë bota e filmit dhe vazhdojmë të bashkëpunojmë",-  theksoi Krasniqi.

Ai tregoi se vetë pjesëmarrja në këto festivale i ka mbërritur të gjithë kufijtë që ata i kanë parashikuar, mirëpo nuk do të thotë kjo që do të ndalen me kaq. Producenti Krasniqi tha se janë në kontakt me një grup shumë interesant producentësh amerikan ku po mundohen që këtë film ta bëjnë film të metrazhit të gjatë.
Filmi flet për arritjen e teknologjisë e cila ka bërë që të harrohen shumë gjëra të rëndësishme në jetë, një ndër këto është edhe libri, i cili pak po lexohet edhe më pak po shkruhet, pasi  teknologjia ka arritur në atë pikë sa ti kemi të gjitha gati me vetëm një klikim, pa u lodhur fare.
"Phoenix", është një film që flet pikërisht për këtë temë, ngjarja e të cilit zhvillohet diku në vitet 2040-2050. E veçanta e këtij filmi është se në atë kohë teknologjia apo mjetet e informimit mbërrijnë aq sa të sjellin një luftë mes librave dhe teknologjisë, duke sjellë kështu një sistem i cili merr një vendim për shkatërrimin apo djegien e të gjithë librave të shkruar. Filmi i cili është i realizuar në Berlin, i takon zhanrit fantastiko-shkencor.