Ndonëse "Pharmakon" është një film tërësisht shqiptar, ai ka përmbledhur mesazhe nga vende të ndryshme të botës. Joni Shanaj, skenaristi dhe regjisori i këtij filmi ka guxuar të shfaqet me debutimin e tij të parë në një film me metrazh të plotë. Ai ka ftuar në role disa nga emrat më të njohur në botën e artit. Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, ka portretizuar personazhin kryesor të filmit, Brankon. Ai interpreton marrëdhënien e Brankos me babanë e tij Dr. "Pharmakon", ku kërkon të na tregojë sesi egoja e babait, dëshira dhe uria e tij për pushtet në thelb godasin të birin. Partnerja e tij Sonja portretizohet nga Olta Gixhari. Shanaj pohon se "Olta Gixhari vjen në këtë film në një rol të plotë dhe të vështirë", duke shtuar se për realizimin e këtij filmi ka pasur mjaft bashkëpunime me artistë dhe vende të ndryshme të botës. Janë dy drejtorë fotografie, Ji-Hvvan Park nga Seul, Koreja e Jugut, dhe Ram Shani nga Tel Aviv, Israel. Ndër të tjera ai thotë se "muzika e filmit është kompozuar nga Anton Lennartsson, një kompozitor i ri dhe i talentuar suedez." Deri në finalen e filmit u bë një rrugë e gjatë. Fabula e filmit përqendrohet në marrëdhënien e një djali dhe një vajze, Brankos (Kastro Ziso) dhe Sarës (Olta Gixhari) një studente mjekësie dhe infermiere në spitalin e Tiranës. Dashuria e të rinjve është një dashuri e pjesshme e mbushur me xhelozi dhe dyshim. Shkurtimisht, filmi flet për një gjeneratë të re e cila e ka të pamundur të dalë nga shtypja dhe tutela e një shoqërie të shkatërruar. "Dua të theksoj se Pharmakon, është një film për brezin tim. Ngjarjet zhvillohen në Tiranë dhe ky është një film per ne", thotë Joni Shanaj, biri i dy artistëve të njohur Natasha e Mevlan Shanaj. "Pharmakon" kërkon të ngrejë disa pikëpyetje në lidhje me situatën veçanërisht të shtresave të mesme dhe të larta dhe te ardhmen e tyre.