Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, i është bashkuar Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy), pasi është përzgjedhur zyrtarisht si anëtar i këtij institucioni që konsiderohet ndër më të rëndësishmit për kinemanë evropiane.

Lajmi u bë i ditur nga QKK, e cila e cilëson këtë anëtarësim si një vlerësim për kontributin dhe vizionin e Jorgjit në sektorin audiovizual. Sipas institucionit, ky është gjithashtu një hap i rëndësishëm për rritjen e përfaqësimit të industrisë shqiptare të filmit në arenën ndërkombëtare.

QKK thekson se anëtarësimi vjen në një moment kur po vijojnë përpjekjet për reformimin e filmit shqiptar dhe për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion të rëndësishëm për produksionet kinematografike. Përmes kësaj lidhjeje me Akademinë Evropiane të Filmit, sipas QKK-së, zëri i kineastëve shqiptarë do të ketë një përfaqësim më të fortë në Evropë.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua në vitin 1989 dhe sot bashkon mbi 5,700 profesionistë të filmit nga e gjithë kontinenti. Ajo njihet për organizimin e Çmimeve Evropiane të Filmit dhe për aktivitetin e saj në mbështetje të zhvillimit dhe promovimit të kinemasë evropiane.