KORE E VERIUT - Korea e Veriut ka kërkuar sot kryerjen e një hetimi të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi një sulm kibernetik ndaj kompanisë filmike Sony, ku pas zbulimit të informacioneve konfidenciale të kompanisë kërkohej mos publikimi i filmit më të ri “The Interview”.
 
Çështja e sulmit të kompanisë Sony ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore dhe për faktin se ky sulm është mbështetur nga Korea e Veriut, pasi ata e dënojnë filmin komedi që vë në lojë liderin e tyre Kim Jong-un, megjithëse nuk kanë pranuar të kenë gisht në sulmin e hakerave.
 
Ministri i jashtëm i Koresë së Veriut ka akuzuar Amerikën për “hedhje të akuzave të pabaza” dhe ka këërkuar një hetim për vërtetimin e fakteve, duke paralajmëruar dhe për “pasoja të rënda” në rast se ata refuzojnë të bashkëpunojnë në këtë hetim.
 
Sulmi i hakerave kërcënonte për mos publikimin e filmit satirë, që trajton një tentativë vrasje ndaj liderit të Koresë së Veriut dhe do të publikohej një ditë para krishtlindjes. Një ditë më parë FBI-ja tha se qeveria e Phenianit ishte përgjegjëse për kërcënimin ndaj kompanisë filmike dhe publikimin e të dhënave konfidenciale të punonjësve të saj.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)