Historike/ Egnatia mposht 0-1 Partizanin në finale dhe fiton për herë të parë trofeun e Superligës shqiptare! 'Demat' zbresin nga froni

Rezultati final/ Partizani 0-1 Egnatia (Ibrahimoglu 35')

Superliga, kampionati 85-të

Arbitër: Anthony Taylor (Angli)

TIRANË - Egnatia është kampione e Superligës shqiptare të futbollit për sezonin 2023-24 dhe në edicionin e 85-të të kompeticionit siguron titullin e parë kampion në histori. Në "Air Albania" skuadra e Edlir Tetovës fitoi 0-1 kundër Partizanit në finalen e "Final 4", skemës që u aplikua këtë sezon.

Goli i Ibrahimoglu në minutën e 35-të vendosi gjithçka, me Egnatian që pasi fitoi trofeun e Kupës së Shqipërisë merr edhe titullin kampion në elitën e futbollit duke zbritur nga froni Partizanin që ishte kampion në fuqi.

Ndeshja nisi e ekuilibruar, me rrogozhinasit që nga minuta në minutë fituan terren. Duhej minuta e 35-të që Sebastian Spahiu, i futur vetëm pak sekonda më herët në vendin e Dulysse, të asistonte për Ibrahimoglu.

Fantazisti kontrolloi bukur topin në zonën kundërshtare dhe me një veprim mashtrues uli në tokë mbrojtësin mik, teksa pas goditjes e ndali topin në rrjetë, për golin që në fund rezultoi deçiziv për t'i dhënë Egnatias titullin e parë në histori.

Tanimë Egnatia bëhet skuadra e dhjetë në Superligën shqiptare që ka fituar të paktën një herë titullin kampion. Në pod Tirana me 26 tituj, ndjekur nga Dinamo me 18-të, Partizani 17-të, Vllaznia 9-të dhe Skënderbeu 8-të të tillë.

Fitorja padyshim shkon edhe për ish-kapitenin e rrogozhinasve, Raphael Dwamena, që më 11 nëntor 2023 ndërroi jetë në fushë pikërisht në një ndeshje kundër Partizanit në "Arena Egnatia" dhe gjendet në listën e golashënuesve me 9 gola. Egnatia do të përfaqësojë kampionatin shqiptar në Champions League për turin paraeliminator, teksa kanë siguruar afro 1 milionë euro vetëm me pjesëmarrjen.

Komentet e ndeshjes:

90+7' Mbyllet 0-1 ndeshja, Egnatia kampione e Superligës.

90+4' Ahmetaj merr vendin e Zajnullait te Egnatia.

90+3' Skuka i shkon pranë barazimit, topi del jashtë.

90+2' Rrapaj ka shansin e artë, goditja devijohet.

90' Shtatë minuta shtesë.

83' Tedi Cara dhe Murataj jashtë, Mensah dhe Mehmeti marrin minuta te Partizani.

82' Sebastian Spahiu godet shtyllën për Egnatian. Shpëton Partizani.

68' Taipi s'u beson syve çfarë humbet, Alen Sherri e ndal me një lëvizje perfekte. Orges Shehi 'tërbohet' në stol.

64' Xhuliano Skuka merr vendin e Bintsouka te Partizani.

46' Nis pjesa e dytë. Te Partizani del Mba dhe i bën vend Taipit.

45+4' Mbyllet pjesa e parë, 0-1.

40' Mba e tepron brenda zone dhe nuk godet, Partizani shpërdoron golin e barazimit.

35' Ibrahimoglu shënon dhe kalon në avantazh Egnatian. Fantazisti bën që pjesa rrogozhinase të festojë në stadium. Spahiu asistoi bukur për shokun e tij, me Ibrahimoglu që shmangu mbrojtësin dhe e ndali sferën në rrjetë, 0-1. 

33' Spahiu merr vendin e Dulysse te Egnatia.

22' Bintsouka shënon për Partizanin, por Taylor anulon gjithçka për një faull në zonë. Protesta nga të kuqtë.

16' Mba nga brenda zone godet jashtë te Partizani.

8' Rasti i parë i takon Egnatias. Ibrahimoglu godet bukur, por sfera kalon ngjitur me shtyllën.

1' Nis ndeshja në 'Air Albania'.

Formacionet zyrtare:

Partizani: Qirko, Atanaskoski, Sota, Sembene, Hadroj, Murataj, Maget, Rrapaj, Bintsuka, Cara, Mba Trajner: Orges Shehi

Egnatia: Sherri, Fangaj, Dulysse, Malota, Xhemajli, Ndreca, Aleksi, Zejnullai, Fernando, Ibrahimoglu, Montenegro Trajner: Edlir Tetova

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:21
'Ishte me pushime, hëngri edhe një drekë', Olsi Rama e ka me gjyqtarin Taylor: Foshnja lindi e vdekur me 'Final 4'


Humbja në finale kundër Egnatias dhe mosngritja e titullit kampion në Superligë u komentua edhe nga drejtori i Partizanit. Olsi Rama e kishte me gjyqtarin anglez Anthony Taylor dhe skemën "Final 4".

"Padiskutim i mërzitur sepse është një vit punë e mund dhe sigurisht që nuk të vjen mirë të humbasësh, sidomos me këtë format. Uroj Egnatian se nuk vodhën gjë, i uroj sukses, i përgëzoj për punën por “foshnja lindi e vdekur” si i thonë se ky eksperimenti i “Final Four” na shkatërroi nga nervat me pjesën që duhej të motivonim lojtarët.

Pastaj erdhi një arbitër që na solli jo vetëm shiun nga Londra, por kishte ardhur me pushime dhe vetë u mërzit. Nuk e komplimentova se nuk kishte gjë për të komplimentuar. E kam ndjekur dhe e di se çfarë qëndrimi ka me mënyrën si arbitron dhe kur vjen në Shqipëri vjen e na tregon si luhet futbolli.

Partizani e Egnatia nuk janë City e Liverpooli. Por kur jepen 7 minuta shtesë kur loja është vonuar në mënyrë sistematike që në pjesën e parë dhe nuk i tërhiqet asnjë herë vëmendje portierit, rrëzohen e hyn mjeku, ka ndërrime e nuk luhet asnjë minuet ekstra, mua më duket pak e dëmshme për futbollin.

Mbase kishte ardhur për pushime e nuk donte të bënte 30 minuta të tjera, tha më mirë po e mbyll këtu se ai siç erdhi edhe do të iki. Ka ngrënë një drekë të mirë dhe shkon i qetë në Londër se nuk e vret as ndërgjegjja. Ndërkohë është mundi ynë dhe ato minutat ekstra, mbase nuk bënim gol, por të paktën do të ishte një ndeshje pak më e ndershme.

Padiskutim që skuadra e Partizanit duhet të kishte bërë më shumë, në finale nuk mund t’i lësh një pjesë kundërshtarit. Egnatia e meritoi në finale, nuk e mori nga rruga, nuk duhej të bënim gabimin që të huynim në lojë me atë luftë sportive. Por këtë do e analizojmë më vonë.

Skema? Unë kam mendimin tim këtu, Partizani mund ta themi ka qenë ekipi i vetëm që ka kundërshtuar idenë. Ne nuk dimë ende si luhet kampionati tjetër, çudia e radhës. Me këtë skemë, “Final 8” apo 18, nuk e di. Është e mira ta mësojmë shpejt, të përgatitemi për Kupat e Europës dhe për të fituar titullin tjetër.

Pishman? Nuk besoj, them që hidhërimi që pashë edhe në dhomat e zhveshjeve është mundi i një viti të tërë dhe ka keqardhje. Pishman janë lojtarët që unë vetë isha i motivuar, por nuk luaj unë por ata", tha drejtori i Partizanit për MCN.

Ora 22:05
Albano Aleksi thumbon Partizanin: Erdhëm dhe i mundëm në mes të Tiranës


Mesfushori i Egnatias, Albano Aleksi foli pasi skuadra e tij siguroi titullin kampion të Superigës për herë të parë në histori. Rrogozhinasit mundën 1-0 Partizanin në finalen e "Final 4", me ndeshjen që u zhvillua në "Air Albania".

"Treguam që kemi një ekip të fortë si brenda edhe jashtë. Erdhëm në Tiranë dhe i rrahëm në mes të Tiranës. Jemi shumë të lumtur, fituam një trofe të rëndësishëm për një qytet kaq të vogël", tha mesfushori për MCN.

Aleksi më herët ka qenë pjesë e Tiranës dhe këtë duel mund ta ketë cilësuar edhe një derbi, duke ngacmuar rivalët.

Ora 21:49
Humbja e titullit në finale, Orges Shehi ka dyshime për golin e anuluar: Qajmë rastet e humbura


Egnatia fitoi 1-0 kundër Partizanit në finalen e Superligës dhe uli nga froni "Demat". Pas ndeshjes trajneri i të kuqve, Orges Shehi u pa i mërzitur që të tijtë nuk mundën të ngrinin titullin e 18-të në historinë e klubit.

"Mërzitja është prezente. Po të kishim shënuar, ndeshja do të kishte marrë drejtim tjetër. Pësuam një gol të evitueshëm. Patëm rastet tona. Presioni në ndeshje të tilla është i madh. Ndoshta ndikoi te lojtarët në pjesën e parë.

E thashë në konferencën për shtyp që episodet do të vendosin dhe ashtu ndodhi. Pësuam me një rast. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të qajmë ato rastet e humbura. Do ta pranojmë, nuk kemi ç’të bëjmë. Nuk e durojmë dot, por do ta pranojmë. Nuk e di rasti i golit që na u anulua a ishte i rregullt apo jo. Ngelet për t’u parë", tha Shehi pas ndeshjes për MCN.

Ora 21:43
Flet trajneri kampion, Edlir Tetova i sinqertë: S'kishim objektiv dy trofetë, ka oferta në merkato


Pasi fituan titullin kampion për herë të parë në histori, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova tha se nuk kishin objektiv Superligën dhe Kupën e Shqipërisë, por ia dolën t'i fitonin të dyja. Më pas ai u ndal edhe te merkato, duke thënë se Fernando do largohet.

"Të dyja kupat nuk ishim objektiv, por sipas ecurisë menduam që “përse jo?”. E pata deklaruar që është lojë episodesh. Edhe ne kishim mundësi me skemat që kishim përgatitur. Goditëm edhe shtyllën. Unë doja të fitoja duelet në mesfushë. E menaxhuam mirë, por normalisht që edhe Partizani kishte rastet e veta.

Ia dedikoj trofeun familjes sime, sepse jam pak i pranishëm në familje. Së dyti ia dedikoj edhe Zallës. Vetëm Fernando do të largohet, nuk ka tjetër. Kemi dy oferta për dy lojtarë të tjerë, por duhet të rrimë me këmbë në tokë”, tha ai pas ndeshjes për MCN.

Tetova shkruan kështu emrin në histori, si trajneri që ka fituar Superligën e Shqipërisë në futboll. 

Ora 21:19
Egnatia mundi Partizanin me '12 futbollistë'


E premtuan dhe ia dolën. Egnatia është kampione e Shqipërisë për herë të parë në histori edhe për Raphael Dwamenan. Ish-kapiteni i rrogozhinasve ndërroi jetë më 11 nëntorin e 2023 pikërisht në një ndeshje kundër Partizanit në "Arena Egnatia".

Gjatë festimeve pas fitores kundër Partizanit, lojtarët e Egnatias u panë në lot edhe me bluzën e Dwamenas pranë. Braziliani Fernando u ul në tokë dhe me duart drejt qiellit ia dedikoi këtë sukses Dwamenas, që sot u duke se "ishte në fushë", duke bërë që Egnatia të kishte 12 të tillë në fushë.

Ora 19:04
FOTO/ Sylvinho në stadium, tifozët e Partizanit dhe Egnatias spektakël me koreografitë

1716743120_1716742945partizaniegnatiasuperliga.jpg
Ka nisur në 19:00 finalja e Superligës së futbollit. Partizani dhe Egnatia kërkojnë trofeun e kampionatit të 85-të, ndërsa afro 10 mijë tifozë në stadium kanë dhuruar spektakël me koreografitë. Edhe Sylvinho, trajneri i Kombëtares nuk mund të mungonte në "Air Albania".

Sylvino në 'Air Albania'
Ora 18:45
Finalja e Superligës, Egzon Belica për Report TV: Shanset janë të barabarta, 'Final 4' formulë e dyshimtë


Ish-kapiteni i Partizanit, Egzon Belica tha në mikrofonin e Report TV se Partizani dhe Egnatia kanë shanse të barabarta për titullin kampion në Superligë. Për gazetarin Ernest Koçi, mbrojtësi që ka qenë për pesë vite pjesë e "Demave" foli me dyshime për formulën "Final 4" që u aplikua këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar.

"Mall për klubin? Po, ndaj kam ardhur. Kam shumë miq këtu. Me shpesë se sot do u sjell fat. Nuk kam folur me çunat gjatë kësaj jave, dua t'i lë të qetë pasi është një ndeshje e madhe për titullin kampion. Kam kaluar pesë vite këtu dhe them se janë gati.

Shija e titullit dhe kundërshtari? Dua ta besoj se do jetë një ndeshje reale dhe e fortë, shanset janë 50 me 50. Kanë qenë dy ekipet më të mira.

Skema Final 4? Si formulë na u duk e dyshimtë, pasi edhe vendi i katërt del kampion. Shanset për këto ekipe sot janë të barabarta", tha Egzon Belica.

Ora 18:32
Finalja Partizani - Egnatia pritet me interes edhe nga FC Ballkani në Kosovë


Fituesi i titullit kampion në Shqipëri pritet me mjaft interes edhe nga kampionët e Kosovës, FC Ballkani, pasi do të vendosë edhe pozicionimin e tyre në vazo, në prag të shortit për turin e parë eliminator të Champions League.

Deri tani janë ndarë të gjitha skuadrat pjesëmarrëse në turin e parë, në vazon e më të fortave dhe atyre më pak favoriteve, teksa të vetmet që nuk e kanë njohur ende vazon ku do të bëjnë pjesë në short, janë Ballkani dhe skuadra kampione e Shqipërisë.

Nëse titulli kampion në Shqipëri do të fitohet nga Egnatia, atëherë në vazon e parë do të shkojë Ballkani, që pozicionohet më lart në renditjen europiane për klube sesa skuadra nga Rrogozhina.

E kundërta ndodh nëse kampion shpallet Partizani, që do të shkojë në vazon e më të fortave, pasi pozicionohet më lart se Ballkani në renditjen e përgjithshme të klubeve dhe do të zbresë në vazon e dytë kampionët e Kosovës.

Pozicionimi në vazon e skuadrave më të forta të jep shansin të kesh kundërshtarë më modestë në turin e parë eliminator të Champions League, ndaj Ballkani i Ilir Dajës do të jetë sy e veshë nga finalja e titullit në Shqipëri mes Egnatias dhe Partizanit.

Ndarja e vazove
Ora 18:24
Luhet për 1 milionë euro, titullarët e Partizani - Egnatia


Në 19:00 në "Air Albania" kërkohet trofeu i Superligës dhe 1 milionë euro. Si Orges Shehi i Partizani dhe Edlir Tetova i Egnatias kanë bërë rreshtimet e duhura për të shkuar te trofeu. Shpërblimi i FSHF-së dhe vendi i sigurt në turin eliminator në Champions League bën që minimalisht kampioni i Superligës në futboll të shtojë 1 milionë euro në arkat e klubit.

Formacionet zyrtare:

Partizani: Qirko, Atanaskoski, Sota, Sembene, Hadroj, Murataj, Maget, Rrapaj, Bintsuka, Cara, Mba Trajner: Orges Shehi

Egnatia: Sherri, Fangaj, Dulis, Malota, Xhemajli, Ndreca, Aleksi, Zejnullai, Fernando, Ibrahimoglu, Montenegro Trajner: Edlir Tetova

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 26/05/2024 22:41

    Olso,ja paske fut kot fare.

    Përgjigju
    • Lala: 27/05/2024 06:38

      Kot? E pe sherrin SA e vononte topin? Apo CE deshe

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës