Tragjedi në fushë/ Dwamena rrëzohet në tokë gjatë Egnatia - Partizani! Sulmuesi ndërron jetë në spital, Prokuroria nis hetimet! FSHF shtyn të gjitha ndeshjet (VIDEO)

Rrogozhinë - Shokuese në futbollin shqiptar, sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias Raphael Dwamena ka humbur jetën në moshën 28-vjeçare gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, e vlefshme për javën e 13-të në Superligë.

Vetëm 24 minuta lojë janë luajtur në fushë, me Dwamenën që i pashqetësuar u rrëzua në tokë në këtë duel pasi më herët ishte diagnostifikuar me probleme në zemër dhe ishte operuar. Menjëherë kryesori Eldorjan Hamiti ndali ndeshjen dhe të dyja stafet mjekësore të ekipeve i erdhën në ndihmë, duke e dërguar me urgjencë në spital.

Mësohet se në spitalin e Rrogozhinës ai u përmend dhe gjendja u duk e stabilizuar, me mjekët që e nisën drejt Kavajës, aty ku edhe ndërroi jetë. Mësohet se në spital ai pësoi një goditje të dytë në zemër, gjë që ishte fatale për 28-vjeçarin nga Gana.

Pritej që Dwamena të transportohej në Tiranë për një mjekim më të specializuar, teksa për fat të keq nuk ia ka dalë të mbijetojë. Ndeshja u anullua dhe nuk bëhet fjalë për futboll, me lojtarët në fushë dhe tifozët e futbollit në Shqipëri që kanë mbetur të shkuar nga kjo ngjarje.

Sulmuesi Dwamena më herët kishte bërë një ndërhyrje në zemër, ndërsa luante me një aparat ose "çip" në zemër, teksa për disa vite e kishte ndalur futbollin, teksa në janarin e këtij viti u bashkua me Egnatian, duke lënë gjurmë me golat e tij.

Sulmuesi në karrierë ka mbajtur veshur fanellat e Zurich, Real Zaragoza dhe Levante në Spanjë, apo edhe Vejle dhe Old Boys në Zvicër. Në kohën kur luante te Zaragoza, sulmuesi pësoi goditjen e parë dhe u operua, me mjekët që e ndaluan të luante futboll. Duket se goditja e tretë në zemër ka qenë fatale për sulmuesin, që ka trishtuar të gjithë komunitetin e futbollit në vend. Dwamena ka luajtur edhe tetë ndeshje me kombëtaren e Ganës, duke shënuar dy gola.

Për këtë Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin që të gjitha ndeshjet e Superligës të shtyhen. Sot në 17:00 do duhej të luhej Skënderbeu - Teuta dhe Vllaznia - Laçi. Edhe duelet e ditës së nesërme Tirana - Kukësi dhe Dinamo - Erzeni janë shtyrë, pasi në këto kushte nuk bëhet fjalë për futboll.

Ndërkohë policia bën me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes.

Historiku me sëmundjen / Në gushtin e vitit 2017, 28-vjeçari ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës për të kaluar në Premier League angleze. Skuadra e Brighton kishte rënë dakord me Zurich për transferimin e tij, por gjithçka u ndërpre kur testet mjekësore treguan probleme në zemrën e tij.

Ai mbeti te Zurich. Ndonëse, ekzaminimet mjekësore te Brighton tregun probleme në zemrën e tij, ai përsëri vijoi të luante futboll dhe në gushtin e 2018 kaloi te Levante në Spanjë, pasi këta të fundit paguan 6.2 milionë euro për kartonin e tij. Me Levanten në La Liga, Dwamena u paraqit në 12 ndeshje duke dhuruar dy asistime.

Më pas do të kalonte në huazim te Real Zaragoza në La Liga 2 për një sezon. Tetori i vitit 2019 do të sillte një goditje të madhe për karrierën e tij. Pas ekzaminimeve të reja mjeksore, mjeket i sugjeruan Dwamena-s tërheqjen e menjëhershme nga futbolli. Megjithatë ai vazhdoi të luante pasi kishte vendosur një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) në janar 2020.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:18
Vdekja e Dwamenës, FSHF: Ambulanca e pajisur me defribilator, në stadium edhe dy doktorë

1699737746_finalprojekt.00080405.Still084.jpg

Federata Shqiptare e Futbolli ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të kapitenit të Egnatias, Raphael Dwamena. 28-vjeçari pësoi një sulm në zemër gjatë minutës së 24 të ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, teksa pas ndihmës së parë u dërgua në spital duke mos ia dalë.

FSHF tregon se autoambulanca ishte e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, përfshi edhe defribilatorin, teksa dy mjekë ishin në stadium.

"Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë opinion publik në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rrogozhinë gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani, ku futbollisti Raphael Dëamena ra pa ndjenja në fushën e lojës dhe më pas ndërroi jetë.

Në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Rrogozhinës është respektuar me rigorozitet rregullorja e garës. Në gatishmëri ka qenë një ambulancë e pajisur me defribilator dhe të gjitha aparaturat e nevojshme mjekësore si edhe dy doktorë. Futbollistit i është dhënë menjëherë ndihma e shpejtë në fushë dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore.

Mjafton të sjellim në vëmendje disa raste të fundit për të dëshmuar se rregullorja zbatohet në përpikmëri në aspektin mjekësor në çdo rast. Në ndeshjen e dy javëve më parë, Skënderbeu-Egnatia, stafi mjekësor dhe ambulanca kanë ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë një tifozi që kishte probleme shëndetësore, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar më pas në spital. Ndeshja është ndërprerë për 15 minuta dhe vetëm pas kthimit të ambulancës në stadium, delegati ka pranuar që loja të rifillojë.

Në ndeshjen Tirana-Laçi të kampionatit të moshave U17 të datës 10.11.2023 është ndërprerë loja në minutën e 25-të për 30 minuta pasi është dëmtuar një lojtar i Tiranës në kokë. Është dashur ndërhyrja e ambulancës për ta transportuar në spital dhe vetëm pas kthimit të ambulancës dhe stafit mjekësor ka vazhduar loja.

Në Kategorinë e Dytë, ndeshja Adriatiku-KKS Albanët e datës 28.10.2023 nuk është zhvilluar, pasi ekipi KKS Albanët nuk kishte mjek.

Në Kategorinë e Parë, ndeshja e datës 6 nëntor mes Tomorrit dhe Burrelit është ndërprerë pasi është dërguar në spital një lojtar i Burrelit pas dëmtimit në kokë dhe më pas sërish ka rifilluar me rikthimin e stafit mjekësorë dhe ambulancës.

FSHF u bën thirrje disa mediave, disa individëve të caktuar dhe opinionit publik për këtë ngjarje të rëndë të mos bëjnë raportime të papërgjegjshme dhe të pabazuara në fakte për të shfrytëzuar këtë tragjedi", thotë FSHF.

Ora 21:48
Interi i dërgon mesazh ngushëllimi Egnatias për Raphael Dwamenan

1699735371_interdwamena.jpg
Më 13 gushtin e këtij viti Raphael Dwamena i shënonte Interit në miqësoren që zikaltërit e fituan 4-2 kundër Egnatias në Itali. Sot, zikaltërit i dërgojnë mesazhin e ngushëllimit rrogozhinasve për ndarjen nga jeta të 28-vjeçarit Dwamena në fushën e lojës. Kapiteni i Egnatias nuk i bëri ballë goditjes në zemër, duke sjellë trishtim në futbollin shqiptar.

"Inter Milan shpreh ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Raphael Dwamena dhe qëndron rreth familjes dhe klubit Egnatia në këtë moment zie", shkruajnë zikaltërit.

 

Ora 21:21
Rasti i Dwamenas s'është i vetmi, kush është ish-futbollisti i Vllaznisë që vdiq në fushë

Vllaznia e viteve '80-të në stërvitje, ku edhe Suad Duraj ishte pjesë

Rasti i Dwamenës nuk është i vetmi në Shqipëri që një futbollist ka humbur jetën në fushën e blertë. Rasti i sotëm tragjik i kapitenit të Egnatias na kthen 42 vite më parë në Shkodër.

Kanë qenë ditët e para të tetorit të vitit 1981. Vllaznia ndodhej në stërvitje dhe pikërisht gjatë saj ka ndodhur diçka që ka shokuar të gjithë futbollistët, trajnerët dhe pjesëtarët e tjerë të skuadrës. Të pranishëm në shkallët e stadiumit “Vojo Kushi” ku ekipi po stërvitej ishin edhe tifozët. Arresti kardiak i mori jetën Suad Durrajt në moshën 32-vjeçare, teksa po zbatonte programin stërvitor bashkë me shokët e tij të ekipit.

Ndërhyrja e mjekut Çoba, por edhe e të tjerëve ka rezultuar e kotë, sepse Suadi nuk do të kthehej më. Mbrojtësi i talentuar i Vllaznisë, fitues i disa trofeve me të, i dha lamtumirën kolegëve, miqve dhe mbi të gjitha familjarëve të tij, në mënyrën më të keqe të mundshme.

Shumëkush mendon se ai kishte lindur për t’u bërë futbollist dhe në fakt, në fushën e blertë mbylli sytë. Djali i një futbollisti të madh të Vllaznisë së viteve ’40 Adem Smajlit (Durrajt) kishte luajtur edhe 14 ndeshje me ekipin kombëtar “Shpresa” gjatë atyre viteve dhe po ashtu ishte edhe kontigjent i ekipit përfaqësues të Shqipërisë.

Ora 20:21
Kapiteni ndërroi jetë, reagon klubi Egnatia: U largua si hero

Klubi i Egnatias ka reaguar pasi kapiteni i skuadrës Raphael Dwamena, ndërroi jetë sot në fushën e lojës. Klubi I Egnatias shpreh ngushëllimet dhe thekson se ai u larguar si hero nga kjo botë.

‘Klub Futboll Egnatia, minuta e 25-të e ndeshjes me Partizanin ishte një moment paniku për të gjithë ne pasi kapiteni ynë Raphael Dëamena u shemb në tokë duke na lënë të gjithëve pa fjalë.

Pavarësisht ndihmës së parë të dhënë nga stafet mjekësore në fushë dhe në Spitalin e Rrogozhines Dwamena nuk arriti të mbijetoj.

Kapiteni që luftonte në çdo betejë nuk arriti sot të mposhte atakun kardiak duke u larguar si hero nga kjo botë e pa drejt.

Klubi në emër të presidentit Agim Demrozi i shpreh ngushëllimet me të sinqerta familjes së kapitenit të ndier Raphael Dwamena dhe falënderon të gjithë opinionin sportiv për solidarizimin e dhënë.’- shkruan Klubi.

Ora 19:50
'E vështirë të pranohet', Federata Ganeze e Futbollit: Dwamena veshi fanellën tonë 9 herë, ngushëllime


Federata Ganeze e Futbollit ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të sulmuesit të Egnatias, Raphael Dwamena. 28-vjeçari ishte pjesë e skuadrës së kombit të tij në nëntë raste, duke shënuar edhe dy gola.

"Federata e Futbollit të Ganës është e pikëlluar kur dëgjon për vdekjen e ish-lojtarit tonë Raphael Dwamena dhe dëshirojmë t’i shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së tij në këtë moment të vështirë.

Ish-sulmuesi i Ganës ndërroi jetë ditën e shtunë pasi u rrëzua në fushë gjatë një ndeshjeje futbolli në Shqipëri. Lojtari i Egnatia ka pësuar një atak në zemër gjatë ndeshjes së ligës mes Egnatias dhe Partizanit.

Sipas raportimeve nga Shqipëria, 28-vjeçari është rrëzuar në fushë në minutën e 24’ të lojës dhe ka kaluar minuta më vonë në spitalin e Kavajës. Dwamena kishte nëntë gola në sezonin në vazhdim. Ish-lojtari i Red Bull Academy përfaqësoi Ganën 9 herë dhe shënoi dy gola.

“Ai i shërbeu mirë vendit të tij dhe tregoi klas sa herë që përfaqësonte Ganën. Ky lajm është i vështirë për t’u pranuar. Ngushëllimet tona shkojnë për familjen në këtë moment. Zoti i dhëntë prehje të qetë", tha presidenti Simeon-Okraku.

Ora 19:33
VIDEO/ Lot dhe ulërima, futbollistët e Egnatias vajtojnë vdekjen e Dwamenas

1699727307_dwamena.jpg

Sulmuesi Raphael Dwamena humbi jetë në ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit, e zhvilluar sot për 24 minuta. Në stadiumin e Rrogozhinës kapiteni ganez i vendasve u rrëzua në tokë dhe paçka se u dërgua në spital, nuk ia doli të mbijetojë pas goditjes në zemër.

28-vjeçari u dërgua në spitalin e Rrogozhinës dhe pas tij në atë të Kavajës, ku mbërriti pa shënja jete dhe mjekët nuk mundën të bënin diçka për ta shpëtuar.

Ndërkohë që Dwamena luftonte për jetën, ndeshja në "Arena Egnatia" u anullua pasi lajmet nuk ishin të mira për sulmuesin, paçka se u tha se ai mbërriti me shenja jetë në spitalin e Rrogozhinës.

Pas lajmit tragjik shumë pjesëtarë të stafit dhe futbollistë u nisën për në spitalin e Kavajës, aty ku në pamjet më poshtë duken kolegët e ganezit që qajnë dhe bërtasin ndërkohë që ambulanca transporton trupin e tij të pajetë për në morg.

Ora 19:20
Fotot e fundit të Raphael Dwamenës

1699726798_dwamena.jpeg
Sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias, Raphael Dwamena u nda nga jeta në moshën 28-vjeçare pas një goditje në zemër gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, mesditën e së shtunës. Pamjet më poshtë janë të fundit që u fiksuan për sulmuesin ganez, teksa ai u bashkua me rrogozhinasit në janarin e këtij viti dhe la gjurmë me golat e tij në futbollin shqiptar. Padyshim që data 11.11.2023 do jetë në memorien e sportdashësve si një ditë e zezë për futbollin në vend.

Ora 18:53
Vdekja e kapitenit të Egnatias në fushë, mjekët e spitalit të Kavajës: Erdhi me ‘kodin e zi’! I ngritëm të gjithë në këmbë, edhe ne kemi fëmijë

Mjekët e spitalit të Kavajës, kanë dalë para mediave me një prononcim rreth vdekjes në fushë të kapitenit të Egnatias, Raphael Dwamena, duke shpjeguar se ishte ndjekur procedura e plotë për rastin në fjalë.

“Pacienti erdhi në spitalin e Kavajës në “kodin e zi”, domethënë kishte bërë exitus (term mjekësor për vdekjen), pa parametra jetësorë, pa tension, pa frymëmarrje, pa aktivitet kardiak. Në EKG nuk kishte aktivitet.

Ka ardhur rreth orës 14:07, 14:10, 14:13. Ne u lajmëruam nga ekipi i qendrës shëndetësore të Rrogozhinës rreth orës 2 pa pak dhe i kishim marrë masat se e dinim që do të vinte rasti. E ngritëm të gjithë personelin në këmbë. U bë reanimimi kardio-pulmonar dhe nuk u arrit. Nuk kishte më shpresa, ishte i pashpresë.

A i kishin pajisjet e duhura? Transportimi është bërë. Ambulanca e Rrogozhinës i ka të gjitha, sepse ka ardhur me ambulancën e Rrogozhinës në spitalin e Kavajës. Ne këtu i kemi bërë të gjitha me ekipin mjekësor, reanimimin, frymëmarrjen, masazhin kardiak sipas protokollit. Respektuam protokollin mjekësor që bëhet në këtë rast.

Por shkakun nuk e dimë, ka ndodhur në fushë sipas të dhënave dhe ka bërë gjendje të fikti atje.

Fjalën e fundit e thotë mjekësia ligjore, çohet sipas procedurave ligjore ne spitalin rajonal të Durrësit. Për mendimin tim i është dhënë ndihma e duhur që në vendin e ngjarjes të ndodhur, se edhe minutazhi ka qenë shumë i shpejtë, në fushë ka qenë 2 pa pesë, ka ardhur në 2 e 10, në kohë rekord. Edhe sikur të shkonte ekipi jonë do të ishte shumë më vonë, ka ardhur në kohë rekord, më shpejt nuk mundet. Por kur ka ardhur, ka ardhur pa parametra jetësorë.

Shkaku? Nuk na kanë dhënë se edhe ne informacionet e sakta nuk i dimë. Ne flasim për atë që ka ndodhur në spitalin e Kavajës, për pjesën tjetër është dikush tjetër. Nuk ia arritëm! Se na erdhi keq edhe ne, se kemi kalamaj e të gjitha, por këto janë…”, tha mjeku i spitalit të Kavajës i cili u paraqit para mediave për të dhënë shpjegimet e kësaj ngjarje tragjike.

Ora 18:35
Ndarja nga jeta e kapitenit të Egnatias, presidenti Begaj: Ngushëllime familjes për humbjen tragjike

1698576656_bajrambegaj.jpg

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të kapitenit të Egnatias Raphael Dwamena. Begaj shpreh ngushëllimet për humbjen tragjike.

‘Mësova me dhimbje lajmin për humbjen tragjike të kapitenit të klubit “Egnatia”, Raphael Dwamena. Në këtë moment të vështirë shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen, klubin “Egnatia” dhe tifozët rrogozhinas.

Gjithashtu gjej rastin të vlerësoj kontributin e klubeve të futbollit në Shqipëri për rritjen e cilësisë së këtij sporti në vendin tonë.’- shkruan Begaj.

Ora 17:02
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho: Prehu në paqe Dwamena

1699718136_sylvinhodwamena.jpg
Sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias, Raphael Dwamena u nda nga jeta në moshën 28-vjeçare këtë të shtunë (11 nëntor 2023). Gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit (1-1) për javën e 13-të në Superligës, ganezi u rrëzua në tokë në stadiumin "Arena Egnatia" në Rrogozhinë në minutën e 24 edhe pse i pashqetësuar apo në aksion.

Në lidhje me këtë lajm tragjik ka reaguar edhe trajneri i Kombëtares kuqezi, Sylvinho. Në kanalet e komunikimit, braziliani shkruan: "Prehu në paqe. Ngushëllime familjes dhe miqve".

Mesazhi ngushëllues i Sylvinhos
Ora 17:02
Mediat sportive në Europë reagojnë pas vdekjes së Dwamenës në fushë

Sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias Raphael Dëamena ka humbur jetën në moshën 28-vjeçare gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, e vlefshme për javën e 13-të në Superligë.

Në lidhje me vdekjen e sulmuesit reagimet kanë qenë të shumta, duke përfshirë edhe mediat ndërkombëtare.

SkySport, Marca, As, Corriere Della Sport dhe Gol.Sport, që janë disa nga mediat kryesore evropiane sportive.

“Sky Sport”: Shqipëri, Rafael Dwamena vdes në moshën 28-vjeçare pas kolapsit në fushë, i shënoi Interit në verë.

“Marca”: Rafael Duamena, ish-Zaragoza dhe Levante, humb jetën pasi pëson kolaps në një ndeshje në  Shqipëri.

‘AS’ Dwamena, ish-laojtar i Zaragoza dhe Levante, vdes pasi u rrëzua në mes të ndeshjes.

‘Gazzeta Dello Sport’ Shqipëri, Dwamena vdes në moshën 28-vjeçare pas një sëmundjeje në fushë: Në verë kishte shënuar kundër Interit.

Ora 16:48
'Nëse vdes është dëshira e Zotit', çfarë deklaronte Dwamena në 2022


Ndarja nga jeta e sulmuesit të Egnatias Raphael Dwamena në fushë, ka shokuar futbolldashësit në Shqipëri dhe jo vetëm, me mediet ndërkombëtare që kanë paraqitur rastin tragjik të Rrogozhinës.

Në janar 2020, pas disa problemeve në fushë, sulmuesi iu nënshtrua një operacioni në Zaragoza dhe një pajisje iu instalua në zemër dhe ai nuk mund të luante për gati tre vjet. Mjekët i rekomanduan të mos luante më por ai insistoi ta bënte këtë.

Në vitin 2022, Dwamena u intervistua nga 'Neue Zürcher Zeitung' e Zurihut dhe e bëri të qartë pozicionin e tij për problemet e tij shëndetësore dhe futbollin: "Nëse unë vdes, ky është vullneti i Zotit. Unë jam larguar dhe kaq. I harruar. Njerëzit do të jenë të trishtuar për disa orë, ose ndoshta edhe disa javë. Por ata do ta kalojnë atë dhe do të vazhdojnë. Unë nuk e jetoj jetën time për t'i kënaqur njerëzit. Vetëm Zotin", thoshte Dwamena.

Ora 16:36
Detaji i dhimbshëm, Dwamena ndërroi jetë si golashënuesi më i mirë në Superligë! I shënoi edhe Interit


Raphael Dwamena mbylli sytë në moshën 28-vjeçare, me sulmuesin e Egnatias që u rrëzua në fushë gjatë ndeshjes kundër Partizanit, për javën e 13-të në Superligë. Detaji i dhimbshëm është se sulmuesi në dhjetë paraqitjet e këtij sezoni ka shënuar nëntë gola dhe asistuar në një rast, duke qenë golashënuesi më i mirë në Superligë. Dwamena ishte i ftohtë para portës edhe në miqësoren që Egnatia humbi 4-2 kundër Interit më 13 gusht të verës që lamë pas, duke shënuar një nga golat e të tijve (minuta 6). Edhe në sezonin e shkuar sulmuesi në 18 ndeshje shënoi 11 gola në Superligë. Ai u bashkua me rrogozhinasit në janarin e 2023.

Ora 16:14
Klubet shqiptare shprehin ngushëllimet për Raphael Dwamenën


Sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias, Raphael Dwamena u nda nga jeta në moshën 28-vjeçare këtë të shtunë (11 nëntor 2023). Gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit (1-1) për javën e 13-të në Superligës, ganezi u rrëzua në tokë në stadiumin "Arena Egnatia" në Rrogozhinë në minutën e 24 edhe pse i pashqetësuar apo në aksion.

Për ndarjen tragjike nga jeta të sulmuesit, klubet e Superligës shqiptare, Kategorisë së Parë dhe vetë FSHF i kanë shprehur ngushëllimet klubit të Egnatias dhe familjarëve të të ndjerit.

Ora 16:11
'Thellësisht i shokuar', Armand Duka: Dwamena kishte rekordin më të mirë të golave


Ndarja nga jeta e sulmuesit të Egnatias Raphael Dwamena në fushë, ka shokuar futbolldashësit në Shqipëri. Në lidhje më këtë lajm tragjik për futbollin shqiptar ka reaguar edhe kreu i FSHF-së. Armand Duka shprehet thellësisht i prekur dhe i shokuar për këtë largim të parakohshëm.

"Jam thellësisht i shokuar e i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit të Egnatias, Raphael Dwamena. Një lojtar i fortë, me shpirt gare, një futbollist që edhe në statistikat e FSHF dhe të Superiores, kishte rekordin më të mirë të golave. Dwamena tregonte disiplinë e karakter dhe një futbollist që kishte komunikim të jashtëzakonshëm me shokët e ekipit, por edhe jashtë tij. Në emër të FSHF i shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të futbollistit dhe vetë ekipit të Egnatias ku ai kontribuoi dhe shkëlqeu në këtë karrierë të tillë futbollistike. Rest in peace Raphael Dwamena", shkruan Duka.

Ora 15:50
SKEDA/ Kush ishte Raphael Dwamena, sulmuesi që luajti me Levanten dhe Zaragozën! Operacioni në zemër dhe Brighton në Premier League që zbuloi sëmundjen


Sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias, Raphael Dwamena u nda nga jeta në moshën 28-vjeçare këtë të shtunë (11 nëntor 2023). Gjatë ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit (1-1) për javën e 13-të në Superligës, ganezi u rrëzua në tokë në stadiumin "Arena Egnatia" në Rrogozhinë në minutën e 24 edhe pse i pashqetësuar apo në aksion. Edhe pse mjekët i dhanë ndihmën e parë dhe u dërgua në spital, sulmuesi nuk ia doli të mbijetonte nga goditja e tretë në zemër.

Dwamena e nisi karrierën në 2011 me Univerista Soccer në Nigeri, teksa më pas kaloi te RB Ghana dhe pas tre vitesh u bë pjesë e AKA Salzburg U18. Në Austri ai luajti me Liefering dhe Lustenau, para se në janarin 2017 të ishte pjesë e Zurich në Zvicër.

Në gushtin e vitit 2017, 28-vjeçari ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës për të kaluar në Premier League angleze. Skuadra e Brighton kishte rënë dakord me Zurich për transferimin e tij, por gjithçka u ndërpre kur testet mjekësore treguan probleme në zemrën e tij.

Ai mbeti te Zurich. Ndonëse, ekzaminimet mjekësore te Brighton tregun probleme në zemrën e tij, ai përsëri vijoi të luante futboll dhe në gushtin e 2018 kaloi te Levante në Spanjë, pasi këta të fundit paguan 6.2 milionë euro për kartonin e tij. Me Levanten në La Liga, Dwamena u paraqit në 12 ndeshje duke dhuruar dy asistime.

Më pas do të kalonte në huazim te Real Zaragoza në La Liga 2 për një sezon. Tetori i vitit 2019 do të sillte një goditje të madhe për karrierën e tij. Pas ekzaminimeve të reja mjeksore, mjeket i sugjeruan Dwamena-s tërheqjen e menjëhershme nga futbolli. Megjithatë ai vazhdoi të luante pasi kishte vendosur një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) në janar 2020.

Pas aktivizimit në ligat e ulëta në Zvicër, për shkak të rregullave mjekësore shumë vende i mbyllën derën. Dwamena thirri "Eureka" kur u has me Shqipërinë, si një vend që nuk e pengoi për aktivizimin në elitë me Egnatian në janarin e vitit 2023. Në dhjetë ndeshjet e këtij sezoni, Dwamena ia doli të shënonte nëntë gola dhe një asist, për të qenë golashënuesi më i mirë i sezonit.

Ora 15:25
Vdekja tragjike e Dwamenës në fushë, FSHF shtyn të gjitha ndeshjet


Sulmuesi Raphael Dwamena humbi jetë në ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit, e zhvilluar sot për 24 minuta. Në stadiumin e Rrogozhinës kapiteni ganez i vendasve u rrëzua në tokë dhe paçka se u dërgua në spital, nuk ia doli të mbijetojë.

Për këtë Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin që të gjitha ndeshjet e Superligës të shtyhen. Sot në 17:00 do duhej të luhej Skënderbeu - Teuta dhe Vllaznia - Laçi. Edhe duelet e ditës së nesërme Tirana - Kukësi dhe Dinamo - Erzeni janë shtyrë, pasi në këto kushte nuk bëhet fjalë për futboll.

"Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani. Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë. FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.

Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë", njofton FSHF.

Ora 15:13
Vdekja e kapitenit të Egnatias në fushë, policia: 28-vjeçari shkoi pa shenja jete në spital

1699710914_dwamena.jpeg

Sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias Raphael Duamena ka ndërruar jetë pasi u rrëzua në fushë në ndeshjen me Partizanin. Në njoftimin zyrtar të policisë, nënvizohet se paso u rrëzua, në fushë u futen mjekët e ekipeve dhe më pas futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës. Por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.

‘Në stadiumin "Arena Egnatia", ku po zhvillohej ndeshja e futbollit të ligës "Abisnet Superiore", midis ekipeve Egnatia dhe Partizani, në minutën ‘23-‘24, futbollisti i ekipit Egnatia, shtetasi R. D., 28 vjeç, kapiten i këtij ekipi, është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë, pa ndjenja.  

Menjëherë, janë futur në fushë, mjekët e ekipeve dhe autoambulanca, dhe futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes.’- njofton policia.

Ora 14:59
Me duart në kokë dhe lot në sy, futbollistët e Egnatias rrethojnë Dwamenën në mes të fushës

1699710973_19.jpeg

Futbollistët e ekipit të Egnatias kanë rrethuar shokun e tyre të skuadrës,Raphael Dwamena, pasi ky i fundit u rrezua në fushë pa ndienja në ndeshjen kundër Partizanit që po luhej në Superligë.

Nga pamjet shihen futbollistët e Egnatias të trondiur, me duart në kokë dhe lot në sy. 

Ora 14:47
Rrogozhinë, ra pa ndjenja në fushë, vdes në spitalin e Kavajës sulmuesi i Egnatias, Dwamena

1699710392_dwamena.jpg

Lajmi i zi për futbollin shqiptar. Sulmuesi dhe kapiteni i Egnatias, Raphael Duamena humbi jetën në spital pak minuta pasi u rrëzua në fushë në ndeshjen me Partizanin. 28-vjeçari ka pësuar një tjetër goditje në spital, ku ndërroi dhe jetë. 

 

Ora 14:16
E FUNDIT/ Sulmuesi i Egnatias në spitalin e Rrogozhinës, ja gjëndja shëndetësore! Ndërpritet ndeshja

1699708702_d972fd1493c94d1e9283f54215a3fb3a.jpg

Sulmuesi i Egnatias Raphael Dwamena është rrezuar në fushë pa ndienja në ndeshjen kundër Partizanit që po luhej në Superligë.

28-vjeçari është dërguar menjëherë në spitali e Rrogozhinës ku dhe mësohet se ai është përmendur. Ndërkohë loja është ndërprerë.

 

S.G/S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 12/11/2023 04:24

    Duket qe pasioni per te luajtur futboll ka qene me i madh edhe se cdo oferte parash,apo problem shendeti,ndryshe nuk shpjegohet qe me ate gjendje shendetsore te pranonte te luante per skuadrat shqiptare duke marre parasysh mundesine financiare qe ato ofrojne.

    Përgjigju
  • fotjadhi: 12/11/2023 03:54

    .njeriu i ve mendje shendetit,,jo parase,,,kur je me zemer nuk luhet futboll...

    Përgjigju
  • pipo: 11/11/2023 21:28

    sa doza vaksine kovid ka mar i shkreti

    Përgjigju
  • R.I.P Dwamena: 11/11/2023 21:22

    U prehte ne paqe!

    Përgjigju
  • Interist: 11/11/2023 18:24

    Skuadrat e huaja nuk e pranonin vetem keta plehrat ne Shqiperi e pranuan me cip ne zemer. Megjithate fajin e ka vete, kur doktori te thote mos luaj nuk duhet te luash. Jeten ne kete rast e kishte ne doren e vet jo te zotit.

    Përgjigju
  • Fono: 11/11/2023 16:49

    Me çip ne zemer! I eshte ndaluar te luaje futboll. Au luan gjithsesi, faji eshte edhe I skuadres qe lë ne fushe nje lojtar me probleme zemre. Paraja te ben mirë, por edhe te merr jeten pa ‘ mbaruar lojen’!

    Përgjigju
    • Tani: 11/11/2023 17:55

      Ate nuk e dime si kane rregulloren federata shqiptare po Sa per cip edhe Erickson luan akoma me Manchester United po nuk e lejuan te luante me Interin se nuk e lejonte rregullorja Italiane te prehet ne paqe

  • Egnatia: 11/11/2023 16:12

    Ka pas qen nje film i vjeter "A nuk i vrasin dhe kuajt keshtu" Skini turp, mjafokn ju tu behet puna, pa se vret tjetrin ska problem. Para Egnatia, pu pu pu.....

    Përgjigju
  • Ariu: 11/11/2023 15:52

    Ngushëllime. Lojtari la qenë me çip në zemër. SHqiptarja ka bërë edhe mjë artikull për të para disa kohësh

    Përgjigju
  • Hasani: 11/11/2023 14:41

    I perjetshem qofte kujtimi i Duamenes, u prefte ne xhenet, ngushullimet me te sinqerta familjes skuadres se Egnatias Presidentit dhe trajnerit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Varri masiv në Damask, mbi 100 mijë persona të groposur

Varri masiv në Damask, mbi 100 mijë persona të groposur