Atalanta - Bayer Leverkusen do jetë finalja e 22 majit për Europa League që do luhet në Dublin dhe Fiorentina - Olympiacos finalja e Conference League që do luhet më 29 maj në Athinë.
Në Europa League, Bayer Leverkusen barazoi 2-2 me Romën dhe ky rezultat në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale nuk i mjaftoi italianëve që kishin humbur një javë më parë 0-2 në ‘Olimpico’. Në ‘BayArena’ ishte Paredes që shënoi dopietë për Romën, të dy nga penalltia.
Duhej autogoli i Mancinit në minutën e 82 dhe goli i Stanisic në shtesë që Leverkusen të gjente finalen dhe të ‘hakmerrej’ kundër Romës për eliminimim po në këtë fazë të Europe League një vit më parë. Kampionët e Bundesligës thellojnë relordin në 49 ndeshjesh pa humbje këtë sezon.

Në Bergamo, Atalanta fitoi 3-0 kundër Marseille në gjysmëfinalen tjetër. Lookman, Ruggeri dhe Toure shënuan për Atalantën, duke bërë historinë. Me rezultatin e përgjithshëm 4-1 Atalanta siguron finalen e parë ndërkombëtare. Gjimshiti luajti 90 minuta për vendasit dhe ishte një ndër më të mirët në fushë.
Në Conference League është Olympiacos që i bashkohet Fiorentinës në finale. Skuadra greke fitoi 2-0 në ndeshjen e kthimit në Athinë falë dopietës së El Kaabi dhe me rezultatin e përgjithshëm 6-2 eliminon anglezët. Dje Fiorentina kaloi Club Brugge.
S.Dh/Shqiptarja.comKomente

