Prej 25 vitesh nuk ka reshtur duke kontribuar për Mirditën dhe banorët e saj. E dashuruar pas kësaj zone, humanistja Mariane Graf, tashmë është përqëndruar tek zhvillimi i turizmit duke i kushtuar Mirditës dhe bukurive të saj dhe një libër.

Historia, traditat, trashëgimia kulturore dhe bukuritë natyrore tashmë vijnë si një buqet narrativash rreth kësaj zone me potenciale turistike që ndërthurur me traditat e bëjnë atë unike.

“Mirdita nuk vlerësohet, por ju lutem shumë, kush në Tiranë ka një kuptim gjithëpërfshirës të asaj që është Mirdita? Aq bukur, aq me zemër, aq interesante. Si mund të kuptohet Mirdita pa një prezantim gjithëpërfshirës? Kjo është arsyeja pse e shkrova librin”, tha Graf.

Autoritete lokale, shkrimtarë, studiues, historianë, vlerësuan kontributin e Mariane Graff për Mirditën përgjatë gjithë këtyre viteve duke vënë theksin dhe tek puna e saj disa vjecare për botimin “Mirdita” si një dokument që vjen në formen e një inventari për potencialet natyrore turistike dhe etno-grafike.

“Ky libër është jashtëzakonisht sintetik, jashtëzakonisht përfaqësues dhe edhe unë që e njoh Mirditën mirë, gjej një Mirditë ashtu siç ajo është në të vërtetë”, tha Mark Marku.

“Një libër të tillë mund ta shkruante vetëm një individ, autore, personalitet si Mariane Graff që e ka shkelur me pëllëmbë këtë tokë më mirë sesa ne që jemi këtu”, tha shkrimtari Ndue Dedaj.

Ky botim i Mariane Graf vjen si një guidë për të gjithë ata që duan ta njohin dhe eksplorojnë Mirditën me çfarë kjo trevë ofron.