Policia e Kurbinit ka identifikuar autorin porositës të një tentative për vrasje të ndodhur në korrik të vitit 2017. Operacionin e quajtur "Kurbini" ka arritur të zbulojë që shtetasit, Ndue Kola i është bërë atentat duke e plagosur me armë zjarri dhe i është vendosur lëndë eksplozive në makinë. Policia ka arritur të identifikoj autorin e kësaj ngjarje Fran Gjokën, 57 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, i cili dyshohet si organizator dhe porositës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin një ditë më parë, ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg" në mungesë për veprat penale " Vrasje me paramendim' mbetur në tentativë" dhe " Shkatërrim prone me eksploziv" kryer në bashkëpunim ". Shkak i këtyre ngjarjeve dyshohet një konflikt i ndodhur që në vitin 1997 në fshatin Fan të Mirditës, i cili ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit duke mbetur të vrarë 2 shtetas dhe plagosur shtetasi Fran Gjoka dhe një shtetas tjetër.
Në kuadër të këtij operacioni janë ndaluar edhe dy shtetase A.I. 23 vjeçe, dhe I.K. 20 vjeçe, të dyja banuese në Vlorë. Edhe për këto 2 shtetase Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin dje me datë 5 qershor ka caktuar masën e sigurisë " Arrest me burg" për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve". Dy vajzat i kanë pajisur me karta SIM celulari autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve, shtetasin Fran Gjoka dhe ekzekutorin duke i regjistruar me emra të personave të tjerë. Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes për identifikimin e ekzekutorit. Gjithashtu, në cilësinë e proves materiale është sekuestruar mjeti tip BMW X5 në pronësi të shtetasit Fran Gjoka.