Ndeshje shumë e rëndësishme gati si një finale në grupin B. Champions League premton shkëndija sonte në mbrëmje pasi përballë në Madrid do të jenë Reali dhe Interi. Të dyja ekipet janë në kërkim të fitores së parë dhe nuk u lejohet më hapi fals. Los Blancos janë gati dhe Zidane ka një ekip të karikuar që në La Liga po bën shumë mirë. Militao mungon i prekur me Covid por francezi ka në dispozicion Vasquez dhe Hazard pritet titullar. Tekniku ka dashur të “shkundë” ekipin e tij duke thënë se kjo e sotmja ndaj zikaltërve është si një finale.
Në kampin e italianëve mungesa e madhe është Lukaku në majën e sulmit dhe Sanchez jo në formën më të mirë. Ashtu si edhe në kampionat në krah të Lautaros pritet të jetë Perisic dhe mbrojtja do përbëhet nga D’Ambrosio, De Vrij e Bastoni. Antonoi Conte është optimist: “Nuk firmos për barazim ne jemi këtu për të luajtur shanset tona ndaj Realit”. Në ndeshjen tjetër të grupit Shakhtari kryesues pret gjermanët e Gladbah.Pas dy fitoreve radhazi kampionët në fuqi të Bayern Mynih udhëtojnë në Austri për të luajtur ndaj Salzburg në kërkim të një tjetër fitoreje në grupin A. Ndërkaq Atletico Madrid viziton drejt Moskës për t’u përballur me Lokomotivën vendase në kërkim të fitores së dytë në grup.Fitoren e tretë me radhë do të kërkojë edhe Manchester City në grupin C. Skuadra e Guardiolës pret në Etihad grekët e Olympiacos ndërsa Porto përballet me Marseille.
Duel që spikat është ai mes Atalantës dhe Liverpoolit që do të luhet në Bergamo. Një ndeshje që pritet me interes mes dy ekipeve që kryesojnë grupin D. Një sfidë prestigji për skuadrën italiane ku Gjimshiti do jetë titullar. Ndërsa në emergjencë totale me 11 të prekur nga Covid Ajax përballet me Midtylland në sfidën tjetër. Dy ndeshje do të nisin në orën 18:55 dhe të tjerat në 21:00./Përgatiti Andi Kapxhiu.