Finalen e madhe të Evropianit që luhet Spanja do e nisë si favorite për atë që ka dhënë në fushë, por gjuha e shifrave tregon të kundërtën. Anglia është përfaqësuesja më e vlefshme jo vetëm e kësaj përballje, por edhe e kampionatit Evropian, referuar çmimit që lojtarët kanë në merkato. ‘Tre Luanët’ sipas transfermarket kapin vlerën e 1 miliardë e 520 milionë eurove, ndërsa Spanja kushton 965 milionë euro. Nëse do i mbledhim sëbashku, finalja e madhe e Evropianit zbret në fushë me lojtarë që kapin vlerën e 2 miliardë e 485 milionë eurove.
Për fituesin, duke e llogaritur që nga fillimi i Evropianit, do shkojnë 28.25 milionë euro, ndërsa vetëm për finalen të dy përfaqësueset marrin nga 5 milionë secila. Duhet thënë se për 24 pjesëmarrit UEFA ka shpërndarë në total 331 milionë euro, ku vetëm për kualifikimin në Gjermani janë shpërblyer me 9.25 milionë euro.
Federata angleze e futbollit ka vendosur të lëshojë dorën për finalen, teksa në rast fitoreje do japë një shpërblim rekord prej 14 milionë paundësh. Më herët rekordi ka qenë po nga ‘tre luanët’, me 13 milionë për Botërorin e Katarit, por në atë rast nuk arritën ti merrnin. Diferenca ka edhe tek sponsorët, teksa ‘Nike’ për të veshur Anglinë ka një kontratë prej 39 milionë eurosh, ndërsa Adidas e vesh Spanjën për 20 milionë euro.