Doganat
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaron për 9-mujorin e vitit 2017 se ka performuar në masën 100.5% ndaj planifikimit të Aktit Normativ për Buxhetin e Shtetit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ka një tejkalim për këtë periudhë në masën 6.7%, ose në vlerën 7.3 miliardë lekë. Të ardhurat nga taksa doganore kanë tejkaluar 7.6% nivelin e 9-mujorit 2016 dhe 0.1% planin. Importi i taksuar është rritur me 5.2% krahasuar me Janar – Shtator 2016.
Ndërsa të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 33.9 miliardë lekë, 9.5%, ose 2.9 miliardë lekë, më shumë se 9-mujori 2016 dhe 0.03%, ose rreth 10 milionë lekë, më shumë se plani. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve, që rezultoi rreth 422 mijë ton, me një rritje prej 40.040 tonësh (+ 10.5%) në shkallë vjetore. Por rritje kanë shënuar edhe importi i gazit të lëngët me 24.1%, importi dhe prodhimi i birrës me 13.7%, importi i pijeve energjike me 15.5%, importi dhe prodhimi i verës me 15.8% dhe importi i cigareve me 3.7%. Importi i kafes ka shënuar rënie 0.6% krahasuar me janar-shtatorin 2016, ndërkohë që është rritur deklarimi i prodhimit vendas të duhanit, nga 0.7 ton, në 7.5 ton.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.7 miliard lekë, 13.7%, ose 276 milionë lekë më pak, krahasuar me 9-mujorin 2016. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë ulur me 777 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 375 mijë ton e destinuar kjo për përpunim vendas dhe janë rritur me 281 milionë lekë për shkak të rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare.
Tatimet
Të ardhurat e mbledhura nga Tatimet (përfshirë kontributet) për 9-mujorin e vitit 2017 janë realizuar në vlerën 163.7 miliardë lekë, rreth 13 miliardë lekë, ose 8.6%, më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe tejkalim të parashikimeve me 992 milionë lekë, ose 0.6%.
Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 26.3 miliard lekë, 5.5% ose 1.4 miliard lekë më shumë se një vit më parë, por me mosrealizim të planit të periudhës me rreth 107 milionë lekë më pak. Rimbursimi i TVSH është realizuar në vlerën 9 miliardë lekë, rreth 2.6 miliardë lekë, ose 39.7%, më shumë se 9-mujori i vitit 2016 për shkak të rritjes së intensitetit të punimeve dhe kërkesave për rimbursim nga investitorët e mëdhenj.
Sa u përket të ardhurave nga tatimi mbi fitimin, ato janë realizuar në vlerën 23.5 miliardë lekë, 8%, ose rreth 1.7 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 0.1%, ose 25 milionë lekë, më shumë se plani.
Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 24.5 miliardë lekë, 0.5%, ose 121 milionë lekë më shumë se 9-mujori, por 3.7%, ose 946 milionë lekë, më pak se plani. Ndikim në deklarimet e kësaj takse ka pasur reduktimi i pagesës së tatimit në burim për shitjet e pasurive të paluajtshme për shkak të ligjit të rivlerësimit në 2%, nga 15% që është niveli bazë. Të ardhurat nga kontributet ishin 10.1%, ose rreth 5.6 miliardë lekë, më shumë se 9-mujori 2016 dhe 2.9%, ose rreth 1.7 miliard lekë, më shumë se plani.
d.c./shqiptarja.com