Buxheti, në fakt, u rishikua një herë me ulje plani në shtator me rreth 4.1 miliardë lekë, çka e çon mosrealizimin me planin e fillimvitit në rreth gati 14 miliardë lekë; plani fillestar i buxhetit në fillim të vitit ishte 418 miliardë lekë).
Në dhjetor, mosrealizimi ishte 4.2 miliardë lekë, pothuajse sa për gjithë periudhën janar-nëntor, kryesisht si rrjedhojë e performancës së dobët të akcizës (-1.1 miliardë lekë), TVSH-së (-840 milionë lekë), ndihmave (-1.1 miliardë lekë).
Për gjithë vitin 2016, të ardhurat tatimore ishin rreth 370 miliardë lekë, me një rritje prej 8.1% me bazë vjetore, por ato gjithsesi ishin 5.8 miliardë lekë më pak se plani. Zëri që vijon të performojë më dobët është ai i TVSH-së, që është zgjeruar me 4.5% krahasuar me vjet, por mbetet 6.2 miliardë lekë më pak se plani.
Tatimfitimi ka qenë zëri me performancën më të mirë në buxhet në vitin 2016, duke u rritur me 17% në 29 miliardë lekë dhe duke sjellë 4.8 miliardë lekë më shumë se plani.
Akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale kishin një mosrealim përkatësisht me 2.7 miliardë lekë dhe 781 milionë lekë.
Pushteti vendor ka pasur ecuri më të mirë, duke rezultuar 450 milionë lekë më shumë se plani, ndërsa në total, zgjerimi i të ardhurave të këtij zëri ka qenë 28%, si rrjedhojë e pothuajse dyfishimit të të ardhurave nga taksa lokale, por edhe ajo e pasurisë është rritur me gati 20%.
Pozitive ka qenë dhe ecuria e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, me një rritje përkatësisht me 11 dhe 12% në përputhje me planin.
Shpenzimet
Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore kanë vazhduar një trend rënës, teksa shihet se për të dytin vit radhazi më 2016, arka e shtetit ka ulur pozicionin e injektimeve në ekonomi. Sipas të dhënave fiskale të Ministrisë së Financave, shpenzimet totale ishin 1.9% më të ulëta se më 2015, me rreth 8.1 miliardë lekë më pak (60 mln euro). Ulja në këto vlera u faturohet kryesisht dy zërave, uljes së shpenzimeve për interesa dhe shpenzimeve kapitale.
Ulja me 2.3 miliardë ose 6.2% e shpenzimeve për interesa në raport me 2015 është rezultat i ecurisë pozitive që kanë pasur përqindjet e shërbimit të borxhit në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.
Por duket se problemi më i madh qëndron në dobësitë që qeveria po shfaq për të realizuar programin vjetor të shpenzimeve kapitale. Sipas të dhënave përmbyllëse të 2016-s, investimet rezultuan 1,7 miliardë lekë më të ulëta se më 2015, ose me një rënie 2.8%.
Shpenzimet kapitale të 2016 arritën nivelin më të ulët të dekadës si në vlera neto dhe në raport me PBB-në. Të dhënat fiskale tregojnë që totali i shpenzimit publik është nën normën e përcaktuar, 82.5 mld lekë.
Sa u përket investimeve në vitin 2016, sipas zërave, 21 mld lekë janë planifikuar për ndërtim dhe rikonstruktim rrugësh, 5 mld lekë për investime në energji (përtej investimeve të vetë kompanisë) dhe për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, rreth 10,5 mld lekë.
Qeveria e ka shndërruar në traditë shkurtimin e fondeve të investimeve në mes të vitit. Edhe këtë vit, plani i investimeve publike shkurtoi fondet për këtë zë, duke u bërë shkak për akumulimin e borxheve të reja të prapambetura.
Ministria e Financave ka raportuar se nga janari në tetor 2016, borxhet e krijuara rishtazi arritën në 24 milionë euro.
Në listën e detajuar të shpenzimeve rezulton se nga 450 milionë dollarë që dha buxheti i shtetit për investime publike çdo institucioni, rreth 45 milionë dollarë do të shkojnë për të lehtësuar punën e nëpunësve dhe ministrive, nëpërmjet rikonstruksioneve të godinave dhe zyrave ku ato punojnë.
dy.b/shqiptarja.com