Financat: Në tre muaj gjithë tatimet e punonjësve shkuan për borxhin

Financat: Në tre muaj gjithë tatimet e punonjësve shkuan për borxhin

Foto ilustruese

Të gjithë të ardhurat që mblidhen prej administratës së Tatimeve nga punonjësit shqiptarë në formën e tatimit mbi të ardhurat personale shkojnë vetëm për të paguar interesat e borxheve që ka marrë shteti në vite. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar statistikat e realizimit të zërave të buxhetit të shtëtit për tremujorin e parë, janar-mars 2018. Sipas shifrave të publikuara, del se, në një kohë që Tatimi mbi të Ardhurat Personale ka sjellë në arkën e shtetit 8.5 miliardë lekë, çka është 10.4 për qind më shumë se në të njejtën periudhë të një viti më parë, po kaq është paguar edhe për interesat e borxhit të brendshëm e të jashtëm, që janë gjithashtu në rritje 9 për qind nga 2017-a. Kjo shpjegon faktin se pse, pavarësëisht nga kufizimet e shumta në shpenzime publike, ku janë penalizuar në radhë të parë investimet, borxhi i jashtëm po ulet me një ritëm shumë të ngadaltë: shifra e marrë hua është shumë e madhe dhe kthimi i këtij borxhi po rezulton i rëndë për ekonominë dhe shtetin. Dhe këtu po flasim vetëm për interesin e borxhit, por në fakt borxhi paguhet në dy pjesë: principal dhe interes.

Sa u përket zërave të tjerë buxhetorë, vihet re në përgjithë një performancë pozitive duke e krahasuar hyrjen e të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar. Por realizimi i objektivave të planifikuar në ligjin për buxhetin 2018 lë për të dëshiruar. Sipas tabelave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, për tre muajt e parë të vitit, të ardhurat në buxhet ishin 105.4 miliardë lekë, me një zgjerim prej 3.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për dymujorin të ardhurat ishin zgjeruar 5.5%, por në mars u mblodhën vetëm 37.8 miliardë lekë, me një rritje fare të papërfillshme në raport me marsin e vitit të kaluar (nga rreth 40 miliardë lekë që ishte plani i marsit 2018), çka ka përkeqësuar performancën e tremujorit. Për periudhën janar-mars, plani është realizuar vetëm 97%, teksa mungojnë 3.1 miliardë lekë. Gjithsesi, të ardhurat në tre muaj me 817 milionë euro duhet të konsiderohen të kënaqshme. Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat u rritën me 3.1% me bazë vjetore për janar-marsin, por duke shënuar një mosrealizim të lartë të planit, prej gati 3 miliardë lekësh, që erdhi sidomos nga tatim fitimi. Ky i fundit solli 13.4 për qind më pak të ardhura se një vit më parë. Në këtë rënie mendohet të ketë ndikuar performanca e dobët e kompanive shtetërore të energjisë, të cilat ishin me humbje për shkak të motit të pafavorshëm në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Kurse të ardhurat nga tatimi mbi të hyrat personale patën një ecuri më të mirë, duke u zgjeruar me 11.4%, ndonësë sërish ishin më poshtë sesa plani.

Kontributet për sigurimet shoqërore kanë shënuar një rritje të ndjeshme nga një vit më parë: +10.8 për qind, ndërkohë që edhe ato për sigurime shëndetësore janë 7.2% më të mëdha, duke pasqyruar efektet e formalizimit të një pjesë të ekonomisë, që punonte “në të zezë”. Po ashtu, këtu gjen pasqyrim edhe shtimi i të punësuarve.

Pushteti vendor siguroi 3.5 miliardë lekë të ardhura nga organet e veta të mbledhjes së taksave apo nga administrata qendrore, çka shënon një tkurrje prej gati 8 për qind me bazë vjetore, ku ndikimin më negativ e dha taksa e pronës, që kishte një mosrealizim të dukshëm plani: vetëm 54% e të ardhurave të planifikuara. Por mendohet që situata të ndryshojë pasi nga 1 prilli ka hyrë në fuqi metoda e re e llogaritjes së taksës mbi pronën, jo më fikse, po në bazë të vlerë, çka pritet të rrisë të paktën me 50% të ardhurat nga ky zë.

Qeveria e mbylli tremujorin e parë të vitit me buxhet në suficit, falë rritjes së të ardhurave dhe ecurisë së ngadaltë realizimit të investimeve publike. Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, suficiti buxhetor u thellua në 5.2 miliardë lekë në fund të marsit, nga 3.2 miliardë që kishte qenë një muaj më parë. Njëlloj si një vit më parë, buxheti po shënon një tepricë të të ardhurave kundrejt shpenzimeve, ndonëse në suficiti është në rënie 18.8% krahasuar me tremujorin e parë 2017.

Teksa nuk kanë arritur të plotësojnë planin e të ardhurave, financat janë treguar të kursyera me shpenzimet, të cilat ishin 100 miliardë lekë, ose gati 4 miliardë lekë më pak sesa plani. Bie në sy që kursimi më i lartë ka ardhur për investimet, të cilat ishin 10.3 miliardë lekë, pothuajse njësoj me janar-marsin 2017, por 2.6 miliardë lekë më pak sesa plani, apo realizim vetëm 80%. Në rënie të ndjeshme ishte pagesa e papunësisë me 30.6%, ndërsa për ndihmën ekonomike shteti shpenzoi 177 milionë lekë më pak sesa vitin e kaluar (-3.6), ose 456 milionë lekë më pak sesa plani. Kursime të ndjeshme janë bërë për kategorinë e ish-të përndjekurve politikë, të cilët kanë marrë pesë herë më pak fonde se në të njejtën periudhë të një viti më parë, por edhe për kategorinë e ish-pronarëve, që kanë marrë 7 herë më pak.

Bie në sy që kursimi më i lartë ka ardhur për shpenzimet kapitale, të cilat ishin 10.3 miliardë lekë, pothuajse njësoj me janar-marsin 2017, por 2.6 miliardë lekë më pak sesa plani, apo realizim vetëm 80%.

Kursimet

Kursimi më i lartë në shpenzimet ka ardhur për investimet, të cilat shënuan një realizim plani me vetëm 80%. Në rënie të ndjeshme ishte pagesa e papunësisë me 30.6%, ndërsa për ndihmën ekonomike shteti shpenzoi 177 milionë lekë më pak sesa vitin e kaluar

 

Tabela

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille