Ministria e Financave ka përgatitur këto ditë draftin për projektbuxhetin e vitit 2018, duke përcaktuar parashikimin për zërat kryesorë të të ardhurave dhe shpenzimeve. Janë disa ndryshime të rëndësishme që bëjnë përshtypje.

Prodhimi i Brendshëm
Ndonëse kjo tashmë është bërë praktikë e përvitshme, edhe këtë herë stafi i ministrisë së Ekonomisë dhe Financave ka bërë një rishikim ndjeshëm në ulje të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin në vazhdim. Kështu, ndërsa një vit më parë parashikohej që PBB e vendit do të ishte në nivelin e 1 trilion e 596 miliardë lekëve, aktualisht kjo shifër shkon në rreth 1 trilion e 553 miliardë lekë.

Shifra del nga një rishikim që i është bërë raportit të të ardhurave buxhetore ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një vit më parë ky raport llogaritej në 27.3 për qind, ndërkohë që, pa lëvizur shifrat e të ardhurave, befas korrigjohet në 28.1 për qind. Prodhimi i rishikuar, në fakt, është 45 miliardë lekë më i ulët se ç’mendohej në dhjetor të vitit të kaluar, kur kaloi ligji i buxhetit 2017 në Kuvend. Pra, shifra është 340 milionë euro më e vogël.

Parashikimi i ekspertëve të ministrisë së Ahmetajt më 2016 ishte tejet ambicioz. Kjo, pasi, nga shifra e PBB-së për vitin 2016 (1.501 miliardë), në shifrën e parashikuar për 2017-ën, rritja do të kishte qenë në masën 6.2 për qind, një “sprint”, të cilin ka kohë që nuk e njeh ekonomia shqiptare, edhe e korrigjuar me inflacionin, që ka qenë i ulët. Sipas shifrave të korrigjuara tani, kjo rritje shkon tek 3.4 për qind, që është gjithsesi më e ulët se ajo ç’kanë deklaruar qeveritarët së fundmi.

Të ardhurat   
Arkëtimi nga taksa e pronës pritet të rritet me 54% ndaj 2017-ës, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, rreth 21 milionë euro më shumë se këtë vit. Kjo tregon se taksa mbi ndërtesat do të bëhet efektive që vitin e ardhshëm.

Sa i përket TVSH-së, të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar parashikohet me një zgjerim vjetor prej 6.8%. Të ardhurat nga tatim fitimi do të arrijnë në 33.4 miliardë lekë, me një pritshmëri për një zgjerim të ndjeshëm prej 14.4% me bazë vjetore. Nga akciza pritet të grumbullohen 50.4 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 7.9% në raport me pritshmëritë e 2017-s.

Tatimi mbi të ardhurat personale pritet me një rritje modeste prej 3%, për të arritur në 37.3 miliardë lekë. Qeveria ka bërë publik planin për të ulur tatimin mbi pagat e larta nga 23% në 18%, por deri tani nuk ka sinjale se kjo do të ndodhë brenda vitit 2018.

Por edhe këtu, shifrat e parashikuara në total janë më të ulta se ato të parashikuara në Buxhetin e 2018-ës një vit më parë. Kjo vihet re në shumë zëra, ndërkohë që tatimfitimi, akciza, tatimi mbi ndërtesat, të ardhurat nga pushteti vendor jepen në nivel më të ulët se ç’parashikohej një vit më parë.  

lajmi ekonomise

lajmi ekonomise

lajmi ekonomise

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com