Për herë të parë që prej vitit 2010, raporti i shumës së borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit rezulton me ulje. Ministria e Financave ka llogaritur këto ditë totalin e borxhit të shtetit shqiptar më 31 mars të vitit në vazhdim, i cili sërish shënon rritje ndaj 31 dhjetorit të vitit 2015, por shpall njëkohësisht një rezultat të shumëpritur: Pas 6 vjetësh, për herë të parë borxhi publik rezulton në ulje në raport me PBB-në.

Në fund të vitit të kaluar, raporti shënonte 72.21 për qind, ndërkohë që në fund të tremujorit të parë 2016 shifra shkon në 69.28%.
Ulja e menjëhershme prej afro 3 pikësh përqindjeje është një rezultat mbresëlënës, po të mendosh se është arritur në tre muaj. Por suksesi zbehet, po të shohësh se, nga ana tjetër, qeveria raporton për këtë vit një PBB … 5.9 për qind më të lartë se ai që u realizua vitin e kaluar.