Financial Times: Shqipëria, nga vendi i izoluar, në strehën e refugjatëve

Financial Times: Shqipëria, nga vendi i izoluar, në strehën e refugjatëve

Afganët e strehuar në Shqipëri

Shqipëria është shndërruar nga një shtet i izoluar në një vend që strehon refugjatë, shkruan gazetari i njohur Alec Russell për ”Financial Times”.

”Elyas Nawandish, 29 vjeç, kryeredaktor në internet i një prej gazetave më të respektuara të Afganistanit, ka sytë e një gazetari që ka qenë dëshmitar i tragjedive njerëzore. Deri në marrjen e Kabulit nga talebanët, gushtin e kaluar, gazeta e tij ”Etilaatroz” (“Informacioni i ditës”) me krenari u përpoq t’i kërkonte llogari qeverisë së presidentit afgan, Ashraf Ghani, i mbështetur nga Perëndimi. Ajo kishte reklama, por edhe gazetarë që bënin pyetje të sikletshme.

Aktualisht, stafi i saj është i shpërndarë nëpër botë dhe Nawandish dhe gjashtë gazetarë të tjerë janë në një vendpushim në bregdetin e Adriatikut, mijëra milje larg historive që ata po përpiqen të mbulojnë.

Hoteli luksoz i resortit ”Rafaelo” është një nga një varg resortesh shqiptare që strehon disa mijëra afganë, pasi qeveria ofroi një vend të denjë, në pritje të aplikimit të tyre për statusin e refugjatit në SHBA. Përreth një pishinë gjigante në formë veshke dhe një kopje të Statujës së Lirisë, ajo sheh nga një plazh i pacenuar. Ndërsa Nawandish flet, dielli perëndon mbi Adriatik duke hedhur rrezet e tij të fundit mbi të rinjtë afganë që luajnë në oborrin e hotelit. Është e vështirë të imagjinohet një kontrast më i madh midis qetësisë së shtëpisë së tyre të re dhe trazirave në Afganistan”.

”Është gjithashtu e vështirë për mua të imagjinoj një kontrast më të madh mes së tashmes dhe kur isha për herë të fundit në Shqipëri, 30 vjet më parë”, shkruan Russell.

”Shteti më i izoluar i Evropës. Regjimi stalinist kishte lënë një vend me gërmadha. Kisha ardhur për të raportuar për eksodin e njerëzve të varfër. Tani, në mënyrë frymëzuese, Shqipëria e ka përmbysur atë narrativë dhe është bërë një parajsë”, thekson ai.

”Etilaatroz” ndan një “redaksi” me të mërguarit e tjerë të ”8AM”, një tjetër gazetë e respektuar. Është vendosur në kazinonë e resortit ”Rafaelo”. Pak sipër hyrjes është imazhi gjysmë i fshirë i një rulete. Duket mjaft e përshtatshme si logo: rrota e fatit u rrotullua pa keqardhje kundër këtyre gazetarëve, vitin e kaluar, kur ata dhe mijëra afganë të tjerë u larguan në mërgim. E megjithatë puna e tyre vazhdon. Të dyja gazetat kanë ende gazetarë në Kabul; ndërsa gazetat e tyre u mbyllën në gusht, faqet e tyre të internetit përditësohen gjatë gjithë kohës.

“Ne filluam raportimin investigativ në Afganistan”, thotë Mujib Mehrdad, kryeredaktori 36-vjeçar i ”8AM”.

“Ne detyruam dorëheqjen e ministrave të Hamid Karzait dhe Ghanit. Ne krijuam kulturën e një medieje të besuar që bën pyetje”, thekson ai.

Ndërkohë, Mehrdad është një gazetar dhe poet, një racë e rrallë. Çdo ditë ai bën një takim online në internet për stafin e tij të shpërndarë.

“Covid-19 na përgatiti mirë”, thotë ai.

Por, këto janë kohë të rrezikshme për mediet në Afganistan.

“Jemi nën presion. Përfaqësuesi ynë pranë talebanëve në Kabul është thirrur nëntë herë. Thonë se jemi pjesë e një misioni propagandistik. Ata nuk dinë të sillen me vlerat demokratike si liria e fjalës”, shton ai.

Afganët në Shqipëri punojnë kryesisht në shoqërinë civile. Të mërguarit mbështeten nga një sërë organizatash përfshirë ”National Endowment for Democracy”, fondacioni ”Yalda Hakim” dhe fondacionet e ”Shoqërisë së Hapur” të George Soros. Por, për sa kohë? Burokracia amerikane për vizat e afganëve është shumë e ngadaltë. Donatorët kanë frikë se ndërsa muajt kalojnë dhe prioritetet e tjera rriten, sensi i SHBA për përgjegjësinë kolektive për të mërguarit po zbehet. Ata gjithashtu shqetësohen se administrata Biden mund të pranojë vetëm ata që u larguan nga Afganistani më 31 gusht ose përpara datës fillestare të largimit të forcave amerikane.

“Mund të përfundoni me 2 000 persona që nuk kanë ku shkojnë tjetër”, thotë një nga koordinatorët.

“Fillimisht ishte kaq bukur, pasi të gjithë donin të sponsorizonin një evakuim. Por, ka një nevojë afatgjatë për të financuar ushqimin dhe kujdesin shëndetësor dhe mbledhja e fondeve është zvogëluar. SHBA ka një përgjegjësi morale. Afganët këtu morën pjesë të gjithë në projektet e tyre sepse SHBA ishte atje”, shton ai.

Një rast klasik është Zainab Hashimi, një aktiviste 33-vjeçare. Një ish-këshilltare për Ministrinë afgane të Punës, ajo ka udhëhequr më parë rekrutimin e femrave police, një rol për të cilin ajo kishte frikë se e nxirrte zbuluar për hakmarrje, kur talebanët morën pushtetin. Babai i saj u mor nga talebanët më 11 nëntor dhe familja e saj nuk e di nëse ai është ende gjallë. Tani ata po përpiqen dëshpërimisht të marrin letra që të mund t’i bashkohen asaj në mërgim.

”Kur zyra e pasaportave u rihap për pak kohë në Kabul pati një përleshje të tillë sa që talebanët përdorën shufra të ngarkuara me elektricitet për t’i bërë njerëzit të shpërndaheshin”, thotë ajo.

Nawandish ka gjithashtu ka një familje të shkatërruar. Një nga vëllezërit e tij priste të diplomohej në universitetin ”Bamiyan” për Agronomi.

Ai thotë se ”nuk ka mbetur asgjë në universitet. Gjithçka është zhdukur, dokumente, mobilje, ndoshta të marra nga talebanët”. Motra e madhe studionte për ekonomi në universitet, tani është në shtëpi. Ajo kaloi vetëm një semestër”.

Tani për tani, presioni për të koordinuar gazetarët e tij të humbur është një shpërqendrim nga streset e tij personale.

”Talebanët, kohët e fundit, shkuan në zyrat e tyre dhe kërkuan të dinin pse nuk i përshkruanin talebanët si qeveri … le të themi grupin taleban”, thotë ai me krenari.

Ndërsa kthehem në Tiranë, më vjen ndërmend mantra e vjetër gazetareske “mrekullia e përditshme”. Gjithmonë më ka pëlqyer kjo linjë. Kështu u pëlqente gazetarëve ta përshkruanin prej kohësh nxitimin e çmendur për të nxjerrë një gazetë. Por, ka mrekulli metaforike e më pas pas janë mrekullitë e vërteta të gazetarëve që kanë guxim të jashtëzakonshëm për të dhënë lajmin.

Njeriu që vendosi të mirëpresë afganët është ulur pas një tavoline të madhe prej druri në Tiranë të mbuluar me qindra, fjalë për fjalë qindra lapsa me ngjyra dhe stilolapsa. Muret e zyrës së tij janë zbukuruar me skicat dhe pikturat e tij abstrakte.

Edi Rama, kryeministri i Rilindjes, është një ish-profesor arti, i cili vazhdon të ekspozojë veprat e tij edhe tani që është kryeministër.

Kur pyes pse ai udhëhoqi rrugën duke dalë vullnetar për të mirëpritur afganët, në një takim të NATO-s, disa muaj para rënies së Kabulit, ai duket pak i acaruar nga sugjerimi im i nënkuptuar se ai kishte bërë diçka të veçantë.

“Pse? Pse çfarë? Nuk ka të bëjë me strehimin e njerëzve në përgjithësi. Ka të bëjë me këtë popull në veçanti, popullin e Afganistanit, dhe jo të gjithë, por ata që janë të përkushtuar për ndërtimin e një Afganistani më të mirë’’, thotë ai.

Më konkretisht, ai tha se ”NATO duhet të bënte plane për afganët që do të konsideroheshin “tradhtarë” nga talebanët.

“Ne kemi qenë atje. Për ne, lufta për t’i shpëtuar regjimeve vrastare, nuk është Netflix”, thotë ai, duke kujtuar luftën e vitit 1999 në Kosovë, kur gjysmë milioni kosovarë ikën në Shqipëri.

Ai sapo ishte joshur nga karriera e tij brilante si artist në Paris për t’u bërë një ministër i Kulturës dhe kjo ishte hyrja e tij në politikë.

Tani është në mandatin e tretë.

Që nga fundi i viteve 1990, kur Shqipëria ishte sinonim i rrëmujës, ajo është kthyer në një nyje stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Muajt e fundit, Rama ka qenë i hapur duke i bërë thirrje rajonit t’i rezistojë propozimeve të Rusisë dhe Kinës. Përkundrazi, ai beson në mbajtjen e besimit në idenë e anëtarësimit në BE, pavarësisht vonesave të pafundme në procesin e anëtarësimit.

“Ne kemi konsumuar të gjitha marrëdhëniet e dashurisë, edhe martesat”, thotë ai në një referencë të nënkuptuar ndaj aleancave të epokës komuniste të Shqipërisë me Rusinë dhe Kinën, të dyja të refuzuara përfundimisht si të pamjaftueshme.

“Pra, ne jemi duke kërkuar për një martesë të re”, buzëqesh ai.

Kur e pyes se si gjen kohë për të pikturuar duke drejtuar një vend, ai ngre përsëri një vetull.

“Nuk gjej kohë. Unë kurrë nuk pikturoj veçmas nga ajo që bëj çdo ditë, që është puna ime, në këtë tryezë. Kur marr pjesë në takime ndërkombëtare, vizatoj ndërsa marr pjesë. Njerëzit ndonjëherë kanë përshtypjen se nuk po dëgjoj ose se nuk më intereson çfarë thonë ata, gjë që nuk është e vërtetë. Njerëzit që marrin pjesë në takime përqendrohen më shumë në atë që diskutohet dhe janë më pak të stresuar nga ajo që diskutohet”, shton ai.

Nëse do të kishte ndonjë epitaf në varrin e tij, a do të donte ai të ishte piktor apo kryeministër?

“Do të ishte piktori më i mirë mes kryeministrave dhe kryeministri më i mirë mes piktorëve”, thekson Rama.

Kur isha për herë të fundit në Shqipëri, ajo i kishte të gjitha, por jo makina. Tani qendra e Tiranës gumëzhin me ngjyra të ndezura. Me rënien e komunizmit në vitin 1991, Tirana kishte rreth 170 000 banorë, tani ajo ka mbi gjysmë milioni.

Kryebashkiaku Erion Veliaj më çon në tarracën e bashkisë dhe më tregon me gjeste sipër pemëve që mbijnë nga sheshi qendror ”Skënderbej”, i cili është shndërruar në pedonale gjatë mandatit të tij.

Ai i transplantoi ato nëpërmjet një kompanie italiane si pjesë e vizionit të tij për modernizimin e qytetit. Tirana duhet të jetë qyteti më i transformuar në mënyrë magjike në Evropë të tre dekadave të fundit.

“Kemi humbur kaq shumë kohë në komunizëm dhe më pas në kapitalizëm”, ankohet kryebashkiaku.

Piramida e Tiranës, e ndërtuar si monument i ish-diktatorit Enver Hoxha, do të bëhet një qendër trajnimi për të rinjtë.

Nadiri i periudhës së fundit ishte në vitin 1997, kur skemat piramidale çuan në kolaps ekonomik dhe pranë luftës civile. Tashmë e vetmja piramidë në lajme është godina e njohur si Piramida e Tiranës. Ajo u përfundua në fund të viteve 1980 si një muze për Enver Hoxhën, liderin ultratotalitar që sundoi nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në 1985.

Tani, pas tre dekadash të pasigurta, kur shpesh ndodhej në prag të rrënimit, ajo është rimodeluar si një qendër trajnimi digjitale për të rinjtë, në lidhje me rolin e Tiranës si Kryeqyteti Rinor Evropian për vitin 2022.

Pak metra më tutje është një vilë elegante e mbiquajtur Shtëpia e Gjetheve. Ajo ka qenë qendra e parë private obstetrike e Tiranës, më pas selia e Sigurimit të Shtetit, pra qendra e marrjes në pyetje e policisë sekrete komuniste.

Emrat e më shumë se 5 000 viktimave të tyre të njohura janë rreshtuar në një nga muret e saj. Dhoma pas dhome është e mbushur me pajisjet e vëzhgimit më paranojaket e Luftës së Ftohtë.

Më pas zhdukem nën tokë për një turne po aq të frikshëm, nëpër tunelet e ndërtuara për elitën e Hoxhës në rast të një sulmi bërthamor.

“Ky ishte Pheniani i Europës”, thotë kryebashkiaku.

Analistët shqiptarë me të drejtë janë të shqetësuar se, në sfondin e Covid-19, liderët perëndimorë nuk po i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme Ballkanit Perëndimor.

Në veri, Bosnje-Hercegovina po përballet me krizën më të keqe politike të 25 viteve të fundit.

Por, jashtë vëmendjes, Shqipëria, me gjithë problemet e saj, e ka rikrijuar veten rrënjësisht në përkushtimin ndaj gazetarëve afganë në mërgim dhe kjo është mahnitëse për t’u parë./ Përktheu ATA

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Abdyl Pilafi nga Kandahari: 14/01/2022 18:21

    Shqiperia e shkrete 30 vjete me pare ishte vend i varfer Sot eshte kosh plehrash per cdo njeri qe i ka sherbyer amerikes po qe amerika ka frike ta lere te hyje ne USA.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja