Donald Trump kërkon që Ukraina dhe Rusia të arrijnë një marrëveshje paqeje deri në fillim të janarit, përpara se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit amerikan. Sipas Financial Times, administrata e tij ua ka bërë të qartë këtë afat zyrtarëve europianë dhe ukrainas, duke iu referuar katër personave të informuar për bisedimet.

I dërguari i posaçëm i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, rifilluan këtë muaj negociatat me Ukrainën dhe Rusinë në Abu Dhabi, pas një ndërprerjeje tetëmujore për shkak të luftës në Iran.

Nxitimi i Uashingtonit lidhet me ndryshimin e shumicës në Kongres. Republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa demokratët pritet të mbështesin më shumë Kievin dhe të shtojnë presionin ndaj Moskës.

Pas takimit me Vladimir Putinin në Kinë këtë javë, Trump deklaroi se presidenti rus ia kishte bërë të qartë se Moska ishte “gati për paqe”. Ndërkohë, Kushner dhe Witkoff kanë zhvilluar takime me zyrtarë rusë, ukrainas dhe europianë në Moskë, Dublin dhe Berlin.

“Amerikanët po ushtrojnë shumë presion dhe ekziston shqetësimi se për të arritur një marrëveshje do të nevojiteshin lëshime të mëdha nga Ukraina”, tha një zyrtar europian për Financial Times.

“Amerikanët janë me nxitim, Putini nuk ka asnjë nxitim”, u shpreh një tjetër.

Në Kiev, afati i vendosur nga administrata Trump ka shtuar shqetësimin se presidenti Volodimir Zelenski mund të detyrohet të pranojë një marrëveshje sipas kushteve të Moskës, përpara se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit.

“Trump e pëlqen Putinin dhe dëshiron ta përfundojë gjithë këtë deri në janar”, tha një zyrtar i lartë ukrainas, duke shtuar se Rusia mund të siguronte kushte më të favorshme nëse marrëveshja arrihet përpara këtij afati.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës për koment.

Megjithëse Trump ruan kompetenca të gjera për zhvillimin e negociatave, demokratët në Kongres synojnë të përdorin pushtetin ligjvënës për të forcuar mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për të vendosur sanksione të tjera ndaj Rusisë. Ata kanë premtuar gjithashtu kontroll më të madh mbi politikën e jashtme të Trump dhe interesat e biznesit të Witkoff dhe Kushner.

Deri tani, SHBA nuk i ka kërkuar Ukrainës lëshime konkrete ndaj Rusisë. Megjithatë, pas takimit të së enjtes me Trump dhe presidentin kinez Xi Jinping në Shenzhen, Putin kërkoi që Ukraina dhe aleatët europianë të pranojnë “kompromise” dhe “realitetet”.

Kërkesat e Moskës përfshijnë dorëzimin e territoreve në rajonin e Donbasit, ndalimin e anëtarësimit të ardhshëm të Ukrainës në NATO dhe kufizimin e forcave të saj të armatosura.

Rusia kërkon gjithashtu ndryshime më të gjera në sistemin europian të sigurisë, përfshirë tërheqjen e trupave dhe armatimeve të NATO-s nga krahu lindor i aleancës.

Sipas dy zyrtarëve, pala amerikane ka sugjeruar se Trump mund të diskutojë për përfundimin e luftës me udhëheqësit europianë gjatë samitit të G20-ës, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Majami.

Por një zyrtar i lartë francez tha se nuk do të ketë negociata me europianët për Ukrainën gjatë samitit, pasi Kievi nuk është ftuar. Trump e ka ftuar Putinin, por presidenti rus ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Zyrtarët ukrainas i kanë interpretuar kufizimet e fundit të shpejtësisë në sistemin satelitor ushtarak Starshield, versioni ushtarak i Starlink të kompanisë SpaceX, si dhe vonesat në furnizimin me raketa interceptuese Patriot, si pjesë të një përpjekjeje amerikane për të dobësuar pozitat e Kievit dhe për ta shtyrë drejt lëshimeve.

Një zyrtar i lartë ukrainas i përshkroi këto veprime si “një zgjedhje të qartë” të administratës Trump për ta ndihmuar Rusinë të sigurojë kushte të favorshme në negociata.

Nga ana tjetër, sipas dy personave të informuar për qëndrimin e Kremlinit, Rusia synon të përdorë fushatën e planifikuar të sulmeve ajrore për të rritur presionin ndaj Ukrainës në bisedimet e ardhshme. Kjo e bën më pak të mundshme që Moska të pranojë shpejt një marrëveshje.

Negociatat kanë nisur vetëm së fundmi të trajtojnë kërkesat ruse për sigurinë europiane, të cilat Putin këmbëngul se duhet të jenë pjesë e marrëveshjes përfundimtare.

Vendet europiane kërkojnë fillimisht një armëpushim dhe vetëm më pas diskutime për arkitekturën e sigurisë në Europë. Ato kanë kërkuar edhe një rol zyrtar në negociata. Rusia ka pranuar se një marrëveshje përfundimtare do të kërkonte përfshirjen e tyre, por Putin ende nuk është angazhuar për zgjerimin e bisedimeve.

Uashingtoni, ndërkohë, kërkon që mosmarrëveshjet territoriale dhe çështjet e sigurisë europiane të zgjidhen paralelisht.

Një tjetër pikë e diskutimeve janë garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sipas palës amerikane, Moska është e hapur ndaj një marrëveshjeje që do t'i jepte Kievit garanci nga vendet perëndimore, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë.

“Mendoj se presidenti Trump është i hapur ndaj kësaj, por sigurisht që duhet të jetë në interesin e Amerikës”, tha Kushner të enjten në Berlin.

Ai shtoi se amerikanët besojnë se kanë arritur ta bëjnë Rusinë të pranojë në parim idenë e garancive të sigurisë për Ukrainën të bazuara te neni 5.

Por zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov, i cili mori pjesë në raundin e fundit të bisedimeve në Abu Dhabi, e kundërshtoi këtë mundësi.

“Edhe një formulë e anëtarësimit pothuajse në NATO për Kievin është një opsion i papranueshëm për ne”, tha ai të premten, sipas agjencisë Interfax.

“Le të pranojnë se kërkesa jonë që Ukraina të mos anëtarësohet kurrë në NATO është e panegociueshme. Kur të ndodhë kjo, mendoj se mund të diskutojmë çështjen e garancive të sigurisë”, shtoi Riabkov.