Fino: Nëse zgjidhem President i
FSHF do heq dorë nga mandati

Fino: Nëse zgjidhem President i<br />FSHF do heq dorë nga mandati<br /><br>
Bashkim Fino, kandidat për President të Federatës Shqiptare të Futbollit ishte i ftuar në emisionin Repolitix të drejtuar nga Denis Minga në REPORT TV. Deputeti socialist deklaroi për herë të parë se nëse do të votëbesohet në postin e Presidentit të FSHF do të heqë dorë nga mandati i deputetit, ndërsa në krye të qeverisë së futbollit shqiptar synon që të qëndrojë 8 vite.

Jam gati që pas datës 7 shkurt nëse do të votëbesohem do i dedikohem 24 orë futbollit dhe do të heq dorë nga mandati i deputetit. Edhe pse nuk më pengon asgjë ligjërisht, unë do të heq dorë nga mandati. Dua të them që në platformën time do të bëj një propozim që më shumë se dy mandate për një person në krye të FSHF janë shumë. Kam dëshirë për të qëndruar dy mandate në krye të FSHF nëse do të zgjidhen” deklaroi ai.

Por në datë 7 Shkurt nuk do të zhvillohet garë vetëm për Presidentin e FSHF, por edhe për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Bashkim Fino zbuloi disa nga emrat që ka biseduar me klubet dhe që janë propozuar për të garuar. “Ka personalitete si Dhori Sollaku, Eduard Prodani, Redi Jupi, Gëzim Podgorica, Artan Shyti, apo emra të tjerë që i kanë propozuar këto klube”tha ai.

Skandali me 12 shoqatat fantazmë, që nuk janë të regjistruara pritet që të sjellë përplasje në ditën e asamblesë, pasi Fino i ka paralajmëruar drejtuesit që të mos guxojnë që të vijnë në Asamble. “U them 12 shoqatave fantazmë që të mos guxojnë që të afrohen në asamble në 7 shkurt”. Duka ngre pikëpyetje edhe për zhvendosjen e garës nga Tirana në Durrës.

Pse bëhen që në orën 9:00, që presidentët të vijnë një natë para dhe të kaparosen. Pse të mos bëhen në Tiranë në mes të ditës dhe LIVE. Kam të drejtë të paragjykoj. Të gjitha asambletë janë bërë në Durrës te hotel Adriatiku. Mirë do të ishte të bëheshin këtu në mes të Tiranës” tha Fino. Por sido që të shkojë gara, nëse do të jetë e ndershme, Fino tha se do të njohë rezultatin.

Në momentin që gara do të jetë e ndershme dhe fletët të bëhen në atë moment jo më parë dhe gara do të jetë korrekte, nëse humbas do i jap dorën. Por jo të jenë aty këto shoqatat. Nëse këto janë perfekt do ta njoh rezultatin. Këtë kërkoj edhe nga Duka”përfundoi Bashkim Fino.  

Intervista në REPORT TV:
UEFA ka deklaruar se nuk do të lejojë ndërhyrjet politike në zgjedhje?

E dëgjova, e përshëndes, është e drejtë dhe e saktë. Drejtori i komunikimit në UEFA komunikomi dhe legjitimoi të dy kandidaturat, që do të thotë se nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe kushdo mund të kandidojë. FSHF është OJF dhe nuk të ndalon me ligj për të kandiduar. Është e drejta ime për të kandiduar. Kandidimi ka të bëjë me të mirën e futbollit, për të mbushur stadiumet. Më lejoni të them që statusi i UEFA-s thotë neutralitet dhe jo diskriminim. FSHF është asnjanëse.

Do hiqni dorë nga mandati?
Jo, nuk është kjo. Por duhet të jetë asnjanës në cështjet politike dhe fetare. Kjo ka të bëjë edhe me thelbin që shumë analistë thonë pse duhet të kandidojë Fino? Po të marrësh të shikosh historikun e federatave, gjysmat e presidentëve aktualë vijnë nga politika. Edhe Presidenti i Federatës së Francës vjen nga politika, po ashtu dhe Gjermania apo Rusia. Edhe në Itali një senator është kandidatura kryesore për të fituar. Të gjithë thonë pse mos e kemi nga fusha e sportit. OK, le të dalë figura, por këtë që kemi nuk e kemi nga fusha e sportit, ka ardhur nga biznesi dhe me ndihmën e politikës është bërë President.

Përmendët Dukën, por nuk e keni sulmuar asnjëherë?
Nuk përbën problem për statutin, pasi kushdo mund të kandidojë për President të FSHF. Nuk mund të them pse Duka ka qenë biznesmen, ka dhënë kontributin e tij. Nuk kam asnjë vërejtje. Gara është e fortë dhe e ashpër. Është bërë diçka në futboll. Vlerësoj të gjitha arritjet, por platforma ime ndryshon komplet.

Ju thatë që nëse je deputet nuk sjell asnjë problem, por nëse zgjidheni do hiqni dorë nga mandati?
Jam gati që pas datës 7 shkurt nëse do të votëbesohem do i përshtatem 24 orë futbollit dhe do të heq dorë nga mandati i deputetit. Edhe pse nuk më pengon asgjë ligjërisht, unë do të heq dorë nga mandati. Dua të them që në platformën time do të bëj një propozim që më shumë se dy mandate për një person në krye të FSHF janë shumë.

Ju keni hequr dorë nga disa poste në PS, kjo erdhi pas deklaratës së Dukës?
Për t’i lënë mundësi Dukës, që të mos godasë nga pozicioni, se tha se nëse kandidon ta bëjë nga ndonjë selië e partisë së tij. Dorëheqja ime ka të bëjë me këtë, për të mos qenë pjesë e strukturës së një partie, për një garë të barabartë.

Po pse po hiqni dorë nga mandati?
Ligji nuk pengon, por për të qenë Fair dhe më i pastër, do e bëja këtë sakrificë për futbollin, pasioni që unë e kam që në fëmijëri. Do i përkushtohem 24 orë futbollit. Kur isha kryeministër kam hequr kostumin dhe kemi luajtur me gazetarët sportivë në 1997. Ai ishte një mesazh shumë i këndshëm. Gjatë gjithë kësaj kohe kam folur në shumë studio, kam folur për sportin dhe për futbollin duke dhënë mendimet e mia.

Jeni lodhur nga politika?
Absolutisht jo!

Vendimin për të garuar e keni marrë me kryeministrin apo Ruçin?
Jo! Nuk kam kontaktuar absolutisht. Kam parimet e mia dhe kjo është ndërmarrja ime personale. Nuk kam folur me ata, pasi do u prishja më shumë punë atyre sesa vetes time. Unë e kisha ndarë mendjen. Jam i qetë. Nuk u kërkoj gjë dhe nuk dua asgjë prej tyre. Kam dëshirë për të qëndruar dy mandate në krye të FSHF nëse do të zgjidhen.

Njëra nga akuzat nga kundërshtari është për bashkitë që drejtohen nga PS, si përgjigjeni?
Unë nuk e kam listën nga FSHF të anëtarëve.

Pse nuk e keni?
Në këto momente sekretari i FSHF u ka bërë një shkresë drejtuesve të futbollit që kërkon të dijë se kush do të jetë përfaqësuesi i tyre që do të votojë. Kemi të bëjmë me kryetar bashkie apo presidentë që janë krijuar. Më lejoni të them se një nga pikat që unë kam në programin tim është që; të ndahen sponsorizimet nga privatizimet, kjo federatë nuk e ka bërë. Klubet nuk duhet të kenë lidhje me bashkitë më. Mendoj që nuk do të ndikojnë kryetarët e bashkive. Edhe kryetarët janë hermetikë në bisedat që kam bërë. 

Si u ndjetë kur Rama u shfaq krah Dukës?
Nuk mendoj që do të ndikojë negativisht. Do të ishte mirë që në atë inaugurim të ishin edhe deputetët që merreshin me sportin, nga Fidel Ylli, por pse jo edhe unë. Do të ishte mirë, pasi garën e konsideroj fair play. Ajo nuk do të jetë as e Dukës, apo e imja nëse zgjidhem, pasi është shtepia e sportit. Ajo ishte organizuar nga federata. Nuk e shikoj me nota... pse nuk më ftoi mua, por për deputetët e sportit do të ishte mirë të ishin atje.

Dukën po e mbështet edhe PD me LSI?
Luftën unë nuk e kam me PD, LSI apo me PAA, por me anëtarët e asamblesë. Unë jam në kuadrin e një platforme timen, ka kohë për të parë cdo gjë më vonë. Unë jam fokus në këtë punë për të realizuar qëllimin time në këtë punë.

Vota e Gjirokastrës duket se është në dorën e LSI, do të jetë për Finon?
Unë di të them që jam tifoz i Luftëtarit, dhe kjo ka rëndësi për mua. Nuk ka rëndësi nëse presidenca e radhës që është e LSI do më japë apo jo votën. Unë do të mbetem tifoz i Luftëtarit.

Do ia kërkoni votën Tavos?
Unë do i them se cfarë do të bëj për futbollin dhe nëse do e gjykoj me pozitivitet, shpresoj që në platformën time të marrë sa më shumë vota. Në tërësi i njoh, ka që kam kontakte, që jam i lidhur për shkak të politikës, ka disa që nuk i kam kontaktuar prej kohësh. Tani më detyron fushata që t’i takoj dhe tu prezantoj platformën time. Presidentët janë aty për të gjykuar dhe shpresoj që të fitoj.

Cfarë pasurie menaxhon FSHF?
Unë kam informacionet e mia, por janë të rezervuara. Kam info nga ato që kanë dalë nga media. Fondet e Solidaritetit prej 15 vitesh nuk ndaheshin, por vetëm kur u denoncua nga një klub. Kam informacion të cunguar, pasi je dhe shkon të bësh debat në një vend që nuk e di se cfarë ka.

Nuk ka transparencë?
Për mendimin tim jo. Duhet transparencë dhe decentralizim. Kompetenca të plota drejtimit të federatës. Nuk mund të drejtohet nga një president, që të vendosë me dhunë, që për shumë gjëra ka ndodhur. KE ka kompetencat më të mëdha, Presidenti ka kompetenca honorifike. Në FSHF sot drejton Presidenti dhe KE është ‘yes man’ duke zbatuar ato që urdhërohen.

A keni një listë për anëtarët e KE?
Ky komitet nuk emërohet, por zgjidhet. 11 anëtarët duhet të jenë personalitete. Cdo ekip ka të drejtë që të propozojë ose kandidatin për President ose anëtarin. Nëse sot janë 54, jo 66, që përbëjnë forumin më të madh. Këto kanë të drejtë që të propozojnë nga një anëtar. Jo si Duka që ka ndarë copat e letrave dhe thotë unë dua këta anëtarë. Nuk nuk mund të paraqes sot një listë. Kam kontaktuar me shumë klube dhe u kam thënë që të zgjedhin personalitete nga fusha të ndryshme, por edhe ish-futbollistë, që do të jetë orkestra që do të drejtohet  nga Presidenti.

Ka disa figura që do të jenë ekipi juaj?
Është e drejta e klubeve për të propozuar, ka personalitete si Dhori Sollaku, Eduard Prodani, Redi Jupi, Gëzim Podgorica, Artan Shyti, apo emra të tjerë që i propozuar këto klube.

Këto emra kanë pranuar?
Në datë 18 depozitohen nga klubet edhe emrat e tyre dhe deri në datë 21 u lihet kohë

Ka të tjerë emra?
Po natyrisht ka...

Cfarë do të ndodhë me shoqatat fantazmë?
Mua më vjen keq, një skandal kaq i madh, FSHF duhet të kërkonte falje dhe të tërhiqej. Këto shoqata janë kriminale, duhet të mos jenë në listë. FSHF e rëndoi këtë skandal, ngatërroi zyrat rajonale me shoqatat rajonale. Që 12 shoqatat janë fantazmë është zyrtare nga gjykata që nuk janë regjistruar. Sot nxjerrim këtë skandal që FSHF të bëjë mbrapa, që nga momenti që nxorëm këtë skandal dhe më pas që zv/ presidenti i quajti ndërtim pa leje. Statuti thotë që kur do të futet një anëtar i ri i drejtohesh sekretarit dhe përgatit një raport për në KE, shkon regjistrohesh, hap një numër llogarie, merr numrin e NIPT-it. Dhe pasi bën të gjitha këto ia paraqet KE që i shqyrton dhe vendos nëse kërkesa i plotëson kërkesat dhe më pas vendos Asambleja.  Ka një filtër. Një shoqata që funksionon duhet të paguajë kuotën, le të nxjerrë federata një copë letër për një numër llogarie, apo nëse i kanë paguar cash nëse i kanë paguar në dorë. FSHF të nxjerrë të gjitha sponsorizimet. ZV. Presidenti tha u kemi dhënë topa dhe bluza, por me cfarë i kanë blerë? Si i kanë justifikuar? Me kërkesë të klubit të Flamurtarit po ecim me procedurat dhe u them 12 shoqatave fantazmë që të mos guxojnë që të afrohen në orën... në hotel Adriatiku në Durrës sikur e ka zakon Duka. Atë e vendos KE, vendin dhe rendin e Dukës. Ata nuk duhet të qasen te dera e asamblesë. Ne kemi kërkuar zyrtarisht KE që të pezullohen këto shoqata. Kemi kërkuar të gjithë dokumentet që ka FSHF për shoqatat, kemi bërë kallëzim për mashtrim. Kemi bërë një dosje të plotë dhe do të shkojmë në Gjykatën Administrative. Së shpejti do të dëgjoni gjëra që nuk i keni dëgjuar më parë.

FSHF ka deklaruar se do i regjistrojë këto shoqata?
Pres përgjigje. Një klub, Flamurtari kërkoi pezullimin dhe dokumentet nga FSHF për këto shoqata dhe presim që prokuroria të thërrasë këta 12 anëtarët fantazmë të këtyre shoqatave.

Por nëse do të vijnë në 7 shkurt këta 12 anëtarë?
Nëse do të vijnë nuk janë konform ligjit. Anëtarët do të kërkojnë me forcë informacion dhe sqarime. Unë di që FSHF është institucion që duhet të kthejë përgjigje. Nëse nuk kthen ka hapa të tjerë. Por duhet t’i ktheje përgjigje Flamurtarit dhe pastaj vazhdojmë. Ka konflikt më të pastër që ky Çarçani nga njëra anë është zëdhënës i FSHF dhe nga ana tjetër drejton një emision atje, apo drejtuesit e shoqatave që marrin rrogat në FSHF. Nuk mund të lejojmë që gara të fillojë 12-0, se kështu i bie që në këto momente kanë dërguar për të regjistruar 4 shoqata, kjo tregon se ne kemi të drejtë, por të harrojnë që do të votojnë në datë 7. Pasi nëse regjistrohen duhet të kalojën procedurat, nga sekretari, te KE dhe më pas te Asambleja, pra edhe ky veprim është për 4 vitet e ardhshme. Unë do i legjitimoj nëse do të vij në krye të federatës.

Nuk do i lejoni zgjedhjet nëse këta anëtarë do të vijnë në Durrës?
Ne presim përgjigje njëherë, nga federata, apo prokuroria. Dhe mos trembet Duka, ne nuk duam të fusim asnjë në burg, jemi tolerantë në këtë pikë, duam garë të ndershme dhe të pastër, duam të votojnë anëtarët e ligjshëm. Nuk kërkojmë asnjë gjë, vec ligjshmëri. Deri tani nuk ka pasur garë, prandaj ka ecur ai 16 vite.

Por nëse nuk garantohet ligjshmëria?
Në rastin konkret jemi dy kandidatë, pavarësisht se ai vijon që të japë urdhra. Por ai është kandidat tani, jo president. Ai duhet të linte detyrën te sekretari i përgjithshëm. Rendi i ditës është përshëndetje e Presidentit të FSHF, por ky është kandidat, jo president. Unë nuk kam as të drejtë fjale atje. Rendi duhet të votohet me karton atje, por ai i bën këto sepse është mësuar se nuk ka pasur kandidat dhe i ka pasur si festime, jo garë.

Pra ju thoni do të ketë një fjalë nga Duka?
Nuk duhet të ketë.

Ju përmendët Durrësin, i jep avantazh se po bëhet atje?
Pse bëhen që në orën 9, që presidentët të vijnë një natë para dhe të kaparosen. Pse të mos bëhen në Tiranë në mes të ditës dhe LIVE. Kam të drejtë të paragjykoj. Të gjitha asambletë janë bërë në Durrës te hotel Adriatiku. Mirë do të ishte të bëheshin këtu në mes të Tiranës, por për mua nuk ka asnjë problem. Kam dëgjuar shumë histori, që i shumëzoj me zero por më vret veshin se të gjitha janë bërë në Durrës.

A duhet dekriminalizimi edhe në futboll?
Kjo është çështje që është për t’u diskutuar.

Pse ka rënë besimi te futbolli?
Duhet të heqim për një periudhë kampionatin shqiptar nga kompanitë e basteve.

Kemi disa vite një superligë me 4 faza dhe ka akuza që FSHF ka favorizuar disa ekipe?
Struktura do të diskutohet me KE dhe Asamblenë. Tani nuk mund të them gjë për strukturën, por nëse klubet do të kërkonin pse jo?

Cfarë vizioni kampionatin shqiptar?
Duhet të kthejmë besimin te futbolli shqiptar. A e dini ju që shkalla e tretë e gjykimit, arbitrazhin këta e kanë hequr padrejtësisht dhe thonë shkoni në Lozanë, që duhet të paguash 5 mijë franga dhe jo cdo kush i ka mundësitë për të paguar. Ne do e rikthejmë arbitrazhin. Pastërtia e futbollit është kryesorja. Përsa i përket investimeve nuk duhet të vijojnë në mënyrë selektive, për mua duhet të fillojnë nga akademitë. 

Si do i ndërtoni 5 stadiume?
Jo stadiume të përmasave të mëdha. Ne jemi 3 mln shqiptarë, por numri që mund të vijnë për një ndesheje nuk i kalon 10 mijë veta. Do të ishin mirë që stadiume të tipit anglez, pa pista, 5,7 apo 10 mijë vende do të ishin të pranueshme për Durrësin, Lushnjen apo Kukësin. Mendoj që është më mirë që të bëjmë stadiume të tilla.

Cfarë peshe do të ketë FSHF të stadiumi kombëtar?
Nuk di asgjë. Nuk kam njohje se cfarë do të afrojë. Di që do të jetë një stadium shumë i mirë, që do e kenë zili edhe vendet e rajonit. Por sesi janë cështjet e marrëveshjeve nuk e di se janë lidhura, janë kontraktuale dhe do të vijojnë.

Panuci mbështeti Dukën?
Panucin e njoh si luftëtar të madh që ka luajtur me ekipe të mëdha, por edhe si trajner më ka lënë ndjesi të mira, por është për t’u parë për objektivat. Kritikova atë dhe De Biasin apo disa lojtarë të kombëtares. Është e vërtetë që kanë punuar me Dukën, por nuk janë pjesë e zgjedhjes. Nëse zgjidhem unë nuk humbasin asgjë nga karriera e tyre dhe seleksionim e bën trajneri. Më mirë mos flasin se kam të drejtë të paragjykoj nëse kanë ardhur me aftësitë e tyre këtu?

Raporti me kombëtaren?
I shkëlqyer. Kam qenë edhe në Euro 2016 bashkë me Dukën, në ndeshjen Francë-Shqipëri.

Keni një dëshirë ku do të donit ta çonit?
Sa më lart. Kënaqësia ime, dua të jem në Europian herë pas herë, por edhe për t’u futur në Botëror.

Panucit do i vijojë kontrata?
Do të bëj transparenten edhe kontratën me trajnerin e kombëtares

Keni një mendim për ekipet e të rinjve të kombëtares?
Ato janë në funksion të ekipit të parë. Furnizojnë kombëtaren e madhe.

Disa janë kundër kandidaturës juaj, do i rishikoni?
Është e drejta e tyre. Unë do i respektoj procesin kontraktual me trajnerët dhe në funksion me detyrat ne do të jemi me kontratat. I realizuan? Do vazhdojnë. Nuk i realizuan? Do të vijë dikush tjetër.

Si do që të shkojë kjo garë, në 7 shkurt do të pranoni rezultatin, do shtrëngoni duart me rivalin?
Absolutisht po! Në momentin që gara do të jetë e ndershme dhe fletët të bëhen në atë moment jo më parë dhe gara do të jetë korrekte, nëse humbas do i jap dorën. Nëse këto janë perfekt do ta njoh rezultatin. Këtë kërkoj edhe nga Duka.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Kuvendi në flakë, Asllan Dogjani në 'Frontline Interview': Kushtetuta amerikane parashikon që qytetarët të marrin armët kur shteti punon kundër tyre

Kuvendi në flakë, Asllan Dogjani në 'Frontline Interview': Kushtetuta amerikane parashikon që qytetarët të marrin armët kur shteti punon kundër tyre