Punonjëset e pastrimit në qytetin  e Pogradecit ditën e sotme  kanë protestuar kundër firmës kontraktore që ka lidhur kontratë me bashkinë për pastrimin e qytetit. Ato pretendojnë se këtë muaj ekonomistja e firmës u ka mbledhur kartat e bankomatit për të fshehur pagën reale të tyre, duke u dhënë vetëm 18 mijë lekë në dorë.

Kanë qenë disa kolege të tyre ato që  kanë tërhequr nga nevoja lekët brenda bankës dhe kanë zbuluar se marrin jo 18 mijë por 21 mijë lekë. Ato u shprehën se: "U është kërkuar të  rikthejnë  diferencën prej 3 mijë lekësh firmës, dhe se paga vazhdon te jetë 18 mijë lekë  dhe jo 21 mijë". 

Llogaritja e pagës së tyre sipas saj bëhet në bazë të pagës minimale të vendosur nga qeveria që në maj të vitit të kaluar që është 24 mijë lekë bruto mbi të cilën llogariten edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Por punonjëset paguhen me orë pune dhe jo me ditë të plota. 

Me gjithë këmbënguljen tonë ekonomistja nuk pranoi të na tregonte një kopje kontrate që ka me punëmarrësit. Punonjëset pretendojnë  se meritojnë pagë më të lartë  duke marre parasysh vështirësinë  e punës që kanë për pastrimin e rrugëve të qytetit në orët e natës dhe nuk u plotësohen kushtet e punës .

Po ashtu ditën e sotme pronari i firmës u ka ofruar punëmarrësve kontrata pune me afat një mujor duke përcaktuar edhe pagën që do t’u japë prej 700 lekësh në ditë në shkelje të kodit të punës, që parashikon Neni 80 dhe 81, që për punën e natës nga ora 22 deri në 6- të mëngjesit, ku për çdo orë pune e kryer midis intervalit 2200 dhe 600 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 50 për qind.

a.m/Shqiptarja.com