Firmoset marrëveshja 3-vjeçare e bashkëpunimit mes dy vendeve në Pallatin e Brigadave, ministri Franceschini: Italia do të mbështesë më fort pranimin e Shqipërisë në BE

Një vizitë e shtyrë për shkak të pandemisë. Ministri italian i kulturës Dario Franceschini është pritur paraditen e sotme në Pallatin e Brigadave, në kuadër të Javës Italiane dhe firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor si dhe në fushën e arsimit dhe sportit për vitet 2022-2025.

“Jemi jo rastësisht në këtë ndërtesë të quajtur herë Pallati Mbretëror, e herë Pallati i Brigadave. Një ndërtesë e porositur nga mbreti Zog dhe e realizuar nga një arkitekt italian. Marrëveshja që do të firmoset sot në këtë godinë nuk do të jetë thjeshtë një ombrellë”, thotë ministrja e Kulturës Elva Margariti.

Marrëveshja mundëson shkëmbim kulturor e specialistësh si dhe promovim reciprok, në lidhje me arkeologjinë, bibliotekat, teatrot etj.

“Marrëveshja e bashkëpunimit që firmosim sot, forcon raportet dypalëshe, në një investim që do të përfshijë jo vetëm sektorët tradicionalë, ku bashkëpunimi është tashmë i fortë, por do të vijojë edhe në arkeologji, muze, në trafikimin e pasurive kulturore. Marrëveshja i mëshon këtyre, i mëshon të ardhmes, njohjes reciproke mes brezit të ri”, thotë ministri Franceschini.

Ndërsa ministri Franceschini, u ndal edhe tek mbështetja që i jep Italia vendit tonë në procesin e hapjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

 “Pra, ky do të jetë një investim i madh për të ardhmen, duke krijuar lidhje që do të forcohen edhe më shumë me kohën, që duhet të çojnë sa më shpejt të jetë e mundur, pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, diçka të cilën Italia e mbështet me bindje, dhe do të vijojë ta mbështesë edhe më shumë se ç’kemi bërë përgjatë këtyre viteve, duke shpresuar që të pranohet sa më shpejt.

Edhe pse kohët e vendosura, janë të imponuara nga procedurat, por është një e ardhme që do të vijë natyrshëm dhe do të forcojë edhe më shumë lidhjen mes dy vendeve”, thotë ministri italian i Kulturës.

Sa i përket arsimit, marrëveshja përqendrohet ndër të tjera  në promovimin e gjuhëve dhe kulturave respektive. Shkëmbim delegacionesh dhe ekspertësh, binjakëzim institucionesh, si dhe bursa për studentë dhe studiues.

M.Q./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë