Është nënshkruar ditën e sotme nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli marreveshja për Task forcën Mjekësore të Ballkanit.

Ngritja e Task Forcës Mjekësore të Ballkanit paraqet një iniciativë të ndërmarrë nga SHBA dhe Mbretëria e Norvegjisë. Kjo marreveshje ka për qëllim rregullimin e procedurave dhe përgjegjësive ndërmjet palëve për ngritjen dhe funksionimin e një strukture ushtarake mjekësore shumëkombëshe të quajtur Task Forca Mjekësore e Ballkanit. 

Marreveshjen ministrja Kodheli e nënshkroi me kolonel Erik Arff Gulseth, atashe ushtarak i Mbretërisë së Norvegjisë me rezidencë në Romë dhe majorin Dagfinn Bjorklid, përfaqësues i FA Norvegjeze për mjekësinë, me cilësinë e palës që sponsorizon këtë iniciativë.

Qëllimi i krijimit të Task Forcës Mjekësore të Ballkanit është: të forcojë dhe të mundësojë kapacitete mjekësore ushtarake, për të operuar brenda kornizës së një njësie mjekësore ushtarake shumëkombëshe rajonale në Ballkanin Perëndimor;  të përmirësojë dhe forcojë më tej kapacitetin mjekësor ushtarak rajonal për të mbështetur komunitetin civil;  të mundësojë që shërbimet mjekësore ushtarake kombëtare të arrijnë kapacitete mjekësore të standardizuara me nivel të lartë ndërveprueshmërie, brenda rajonit si dhe në kuadër të operacioneve të UN/NATO/EU/PfP.

“Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Qeverisë së Malit të Zi, Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë mbi ngritjen e Task Forcës Mjekësore të Ballkanit”, është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me Vendimin Nr. 245, datë 18.3.2015 dhe u nënshkruar ditën e sotme.

mimi kodheli

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)