Yan Diomande firmosi me Real Madridin deri në verën e vitit 2033. Sulmuesi anësor 19-vjeçar spikati me Leipzigun, teksa i kushtoi 125 milionë euro arkave të Real Madridit.
Në një reagim, futbollisti që luan me Bregun e Fildishtë u shpreh me mirënjohje për klubin gjerman që i besoi, ndërsa kalimi te Real Madridi për të është plotësimi i një ëndrre fëmijërie.
"Jam jashtëzakonisht mirënjohës. Klubi dhe drejtuesit e Leipzig besuan tek unë një vit më parë, kur kisha luajtur vetëm disa ndeshje si profesionist. Më dhanë mundësinë të tregoja vlerat e mia në nivelin më të lartë", tha fillimisht talenti i sulmit.
Ai kujtoi edhe fillimet në Bundesligë dhe arritjen për të siguruar një fanellë të kombëtares së Bregut të Fildishtë.
"Arrita të vendosem në një nga ligat më të mira të Evropës, fitova një vend në kombëtaren e Bregut të Fildishtë dhe përfaqësova vendin tim në skenën më të madhe, Botërorin 2026. Asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa Leipzig", tregoi Yan Diomande mes mirënjohjes.
Më pas ai tha se firma me Realin ishte një ëndërr fëmijërie.
"Të firmos me Real Madridin është një ëndërr fëmijërie që u bë realitet", tregoi ai.
Diomande falenderoi edhe tifozët e Leipzig, duke thënë se është krenar që ka qenë pjesë e klubit dhe se mund të takohen sërish në Champions League, por si kundërshtarë.
“Pasioni, besimi dhe mbështetja juaj kanë pasur më shumë vlerë sesa mund të shprehem me fjalë. Sot nis një kapitull i ri. Largimi nuk është kurrë i lehtë, por do ta kujtoj gjithmonë kohën time te Leipzig me krenari të madhe. Kush e di, ndoshta do të takohemi sërish një ditë në Champions League", tha mes të tjerash Yan Diomande.
Lajmi kryesor:
Real Madridi 'blindon' Vinicius Junior deri në vitin 2032 dhe zyrtarizon afrimin e Yan Diomande









