Real Madridi ka dhënë dy lajme brenda një dite, duke 'blinduar' për gjashtë vite të ardhmen e Vinicius Junior dhe duke zyrtarizuar transferimin e Yan Diomande.

Klubi madrilen konfirmoi fillimisht rinovimin e kontratës së Vinicius Junior deri më 30 qershor 2032, duke i dhënë fund çdo spekulimi rreth së ardhmes së yllit brazilian. Sulmuesi, i cili iu bashkua "Galaktikëve" në vitin 2018, është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Gjatë tetë sezoneve me fanellën e Real Madridit, Vinicius ka zhvilluar 375 ndeshje, ka shënuar 128 gola dhe ka fituar 14 trofe, përfshirë dy Liga të Kampionëve, tre tituj të La Ligës dhe një Kupë të Mbretit. Braziliani ka qenë protagonist në sukseset e fundit të klubit, duke realizuar edhe në finalet e Ligës së Kampionëve të viteve 2022 dhe 2024.

Ndërkohë, Reali ka zyrtarizuar edhe afrimin e Yan Diomande nga RB Leipzig. Transferimi i talentit nga Bregu i Fildishtë është realizuar për 125 milionë euro, ndërsa shuma mund të arrijë në 140 milionë euro nëse plotësohen bonuset e parashikuara në marrëveshje.

Diomande ka firmosur një kontratë shtatë vjeçare, e vlefshme deri më 30 qershor 2033. Sulmuesi konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit botëror, pasi sezonin e kaluar me Leipzig regjistroi 13 gola dhe 9 asistime, ndërsa spikati edhe me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026.

Transferimi u vonua për disa ditë për shkak të disa çështjeve mes përfaqësuesve të lojtarit, por tashmë gjithçka është finalizuar dhe Diomande është zyrtarisht pjesë e Real Madridit.