TIRANE - Drejtori i Uzinës së Policanit, Lulzim Gojka, i ka konsideruar absurde dhe të pavërteta pretendimet dhe akuzat e ngritura në emisionin “Fiks Fare” në Top-Channel mbi shitjen e fishekëve. Reagimi i tij në fakt ka ardhur për mediat përmes një njoftimi të gjatë të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes.
“Pretendimi për shitje të paligjshme të fishekëve është absurd dhe procesi i ripaketimit të municioneve është praktikë normale pune. Ne nuk shesim fishekë që nuk prodhohen nga Kombinati Mekanik i Poliçanit. Në kuadër të shkatërrimit të municioneve të vjetra, ne bëjmë seleksionimin përpara djegies së tyre, në mënyrë që ato municione të vlefshme të mos shkatërrohen, por të përdoren për qëllime të ndryshme të ushtrisë. Data që vendoset në kutitë e reja është data e ripaketimit dhe gjithçka është mëse normale. Pretendimi për shitjen e tyre si municione të reja është absurd dhe keqadashës”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila citon drejtorin e kësaj Uzine.
Drejtori Gojka shprehet se është i hapur që tërë veprimtarinë e kësaj uzine për këto tre vjet ta kontrollojë Kontrolli i Lartë i Shtetit, Auditi i Kryeministrisë, por dhe Prokuroria. “Para se sa të lëshohen akuza nëpër televizione le t’i drejtohen Prokurorisë dhe do ta shikojnë që ne jemi shumë korrektë dhe çdo gjë që thuhet është një mashtrim i qëllimshëm”- thekson Gojka.
Përsa i përket shitjes së makinerive dhe pajisjeve të dala jashtë përdorimit, z. Gojka është shprehur se kjo është një procedurë tërësisht ligjore. “Ne po kryejmë një proces të pastrimit të Uzinës nga hekurishtet e vjetra që kishin pushtuar ambientet e Kombinatit. Ato janë shitur me ankand sipas të gjitha procedurave ligjore”.
Drejtori i Uzinës së Poliçanit në reagimin e tij nuk harron të lavdërojë ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi për kujdesin qe kanë treguar për vazhdimin e punës në këtë Uzinë “Të mos harrojmë se ky kombinat kishte vetëm 150 punëtorë para tre vjetësh dhe aktualisht numri i të punësuarave ka arritur në 400 vetë dhe kjo falë programit të shtimit të linjave të demontimit nga përkujdesja e ministrit Imami dhe te Gjunkshit” - thotë drejtori.
Ministria e Mbrojtjes është kujdesur të sjellë edhe reagimin e zotit Nasip Naço, deputet i zonës, i cili i quan qëllime të ulta tërë sulmet e deputetëve të opozitës së kësaj zone për veprimtarinë e këtij kombinati.
(jd/shqiptarja.com)