Vlora çel zyrtarisht sezonin turistik 2017 nën ritmin e muzikës, fishekzjarreve dhe në atmosferën mjaft e ngrohtë e krijuar nga qindra qytetare të cilët janë mbledhur në sheshin e Lungomarës.
 
Punime të shumta dhe ndryshime rrënjësore që i janë bërë qytetit të Vlorës kanë tërhequr vëmendjen e shumë të huajve të bëhen  pjesë e kësaj feste e cila është organizuar nga bashkia e qytetit bregdetar.
 
Qytetarët e Vlorës shprehen entuziastë si asnjëherë tjetër pasi me ndërhyrjet e fundit që i janë bërë infrastrukturës së qytetit mendojnë që do të ketë një shtim të numrit të turistëve çka përkthehet në vende pune dhe të të ardhura më të mëdha.
 
Edhe kampionati botëror i fluturimeve te lira ka sjellë mjaft qytetar të huaj të cilët janë shprehur se do të rikthehen përsëri, pasi pamjet dhe mikpritja që i ofron Vlora është shumë mbreslënëse.
 
Fjalën e hapjes së sezonit të këtij viti e ka mbajtur kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli i cili ka ftuar turistët të bëhen pjesë e Vlorës, e mikepritjes dhe ndryshimit te saj
 
“Është kënaqësi e madhe që ky shesh është mbushur plot, një nga investimet më të rëndësishme të qytetit. Projekti i Lungomares sot merr jetë për t’iu ofruar të gjithë atyre që duan të vizitojnë Vlorën në këtë sezon turistik duke ju thënë nga kjo festë: Mirësevini në Vlorë, Vlora dhe vlonjatët u presin", tha Leli.
 
Në bazë të të dhënave të agjensve turistike për këtë vit ka pasur një rritje të prenotimeve të turistëve të cilët do të pushojnë në Vlorë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com