Fitimet nga kompanitë me pronësi shtetërore në vitin 2015, kanë rënë me 60% krahasuar me një vit më parë.

Në total shoqëritë në pronësi shtetërore kanë derdhur në buxhet 4.3 milionë dollarë fitime vitin e shkuar, nga 11 milionë dollarë në vitin 2014.

Të dhënat vijnë përmes treguesve zyrtare të Ministrisë së Financave, nga ku fitimet rezultojnë me një rënie prej 44% edhe me vitin 2013, kur fitimet nga kompanitë shtetërore ishin 7.7 milionë dollarë.
 
Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2015, në arkën e shtetit këto kompani kanë derdhur në total 529 milionë lekë në formën e dividentit.
 
Pjesa dërrmuese e kësaj shumë përbëhet nga fitimet e grumbulluara prej Zyrës së Regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të cilat në vitin 2015 arritën në 444 milionë lekë, afërsisht 3.6 milionë dollarë.
 
Aparati i Ministrisë së ekonomisë ka arritur të përfitojnë nga ndërmarrjet që ka në varësi 62 milionë lekë në vitin 2015.
 
Fitimi i Shtypshkronjës së letrave me vlerë për vitin 2015 është 18 milionë lekë, i Fabrikës së Pijeve Freskuese 4 milionë lekë, ndërsa Shkolla e Magjistraturës ka derdhur në arkën e shtetit 1 milionë lekë fitim.
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)