Futbolli shqiptar është tronditur nga një lajm i rëndë, pasi ish-lojtari i Lushnjës dhe Egnatias, nigeriani James Ayinde, është ndarë nga jeta në moshën 24-vjeçare. Sulmuesi nigerian nuk arriti të fitojë betejën me një sëmundje të rëndë, pasi vuante nga kanceri i veshkave. Lajmin e ndau me dhimbje kapiteni i Lushnjës, Mikel Canka.
Lajmi ka prekur thellë komunitetin sportiv, ndërsa klubi i Lushnjës reagoi me një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke nderuar figurën e ish-lojtarit të tyre.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-lojtarit tonë, James Ayinde. Ai veshi me krenari fanellën e Lushnjës, duke dhënë kontributin e tij dhe duke lënë kujtime të paharruara te tifozët dhe komuniteti sportiv lushnjar. Do të kujtohet për përkushtimin, pasionin dhe shpirtin luftarak në çdo ndeshje”, thuhet në reagimin e klubit.
Në mesazhin e tij, klubi thekson se humbja nuk është vetëm sportive, por edhe njerëzore, duke e cilësuar Ayinde si një pjesë të familjes së tyre.
Ngushëllime i janë shprehur familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën, edhe nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
"I hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta, në një moshë kaq të re, të ish-sulmuesit të KF Egnatia, James Ayinde. Një djalë i ri, me ëndrra dhe pasion për futbollin, që luftoi me forcë deri në fund në betejën më të vështirë të jetës së tij. Kontributi i tij me fanellën e Egnatias dhe më pas me KF Lushnja do të mbetet gjithmonë pjesë e kujtesës së futbollit shqiptar. Në këto momente të vështira, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ayinde, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit të futbollit që e njohu dhe e vlerësoi", shkruan Duka.
James Gbenga Ayinde ishte pjesë e Egnatias që në verën e vitit 2022, teksa ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë me rrogozhinasit. Pas Egnatias, ai u huazua edhe për një sezon me Lushnjën, ku luajti 24 ndeshje dhe shënoi shtatë gola.

Postimi i Mikel Cankës, kapitenit të Lushnjës
Komente









