Ka jetuar për tre dekada në emigrim, por ka vendosur të rikthehet në vendlindje. Profesionin e fituar në restorantet e Greqisë dhe Anglisë, Astrit Cenalia tashmë ka vendosur që ta vijoi pranë familjes në një nga bujtinat e zonës në Has.

Ai veç bashkimit me familjen i gëzohet dhe faktit që tashmë recetave të prodhuara prej tij i janë shtuar gatimet tradicionole.

"Emigrimin e kam provuar që në 1996-ën. Kam punuar edhe në Greqi, në Santorini, edhe në Londër, në kuzhinë. Por këtu është më ndryshe, sepse i gëzohemi traditës. Atje nuk ka pasur gjëra të traditës me gatu", tha Cenalia.

Jeten ne vendlindje ai e konsideron të bukur, sidomos kur angazhohesh dhe me punë.

"Familja në radhë të parë dhe vendi jonë është gjithmonë më mirë. Po është e vështirë për rininë me gjet veten e vet me punu këtu. Kur unë e kam gjetur veten 45 vjeç për të punuar këtu, pse edhe ata të mos e gjejnë", vijoi Cenalia.

45 vjeçari, babai i tre fëmijëve, teksa është i lumtur nga vlerësimet e vizitorëve për gatimet, produkt i punës së tij, ka dhe një apel: ‘Ju kisha lut të gjithëve me qëndru e me punu këtu. Nuk bëhet asgjë për një ditë. Ndërtojeni me punë të ardhmen në atdhe’.

Në kohen e lirë Astriti tregon se merret me blegtori duke e lidhur profesionin e tij me prodhimin vendas, teksa vetë ai mbetet një dëshmi e gjallë se e ardhmja ndërtohet dhe në vendlindje.