Policia e Kukësit ka hedhur poshtë një lajm në rrjetet sociale se një i ri nga Kukësi është rrëmbyer dhe mbajtur në pyll nga dy persona.
Policia sqaron se personi me iniciale V.D. është konfliktuar fizikisht me dy të tjerë, xhaxha e nip. Më pas, kur ka qenë duke lëvizur me makinën e tij, dy personat i kanë dalë përpara në rrugën e Hasit dhe kanë goditur me sende të forta automjetin dhe drejtuesin.
Me këtë të fundit, ndodhej edhe një polic që ka ndërhyrë dhe ka kërkuar edhe ndihmë. Ndërkohë policia është në kërkim të dyshes xhaxha e nip të cilët u larguan menjëherë nga vendngjarja.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës
Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohet për një të ri nga Kukësi, i cili pas një konflikti për motive të dobëta me dy shtetas është rrëmbyer dhe mbajtur në pyll, sqarojmë opinionin publik se lajmi është i pavërtetë.
Sqarojmë se, më datë 20.11.2026, shtetasi V. D., në qytetin e Kukësit, ishte konfliktuar fizikisht me dy shtetas dhe për këtë rast kishte bërë kallëzim në DVP Kukës.
Më pas, ky shtetas ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij dhe, në rrugën e Hasit, dy shtetasit me të cilët ishte konfliktuar në Kukës i kanë dalë përpara automjetit dhe kanë goditur me sende të forta automjetin dhe vetë shtetasin V. D.
Me shtetasin V. D. ndodhej edhe një punonjës policie, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar përshkallëzimin e konfliktit dhe ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera të Policisë.
Shtetasit S. J. dhe S. J., (xhaxha e nip) pas ndërhyrjes së punonjësit të Policisë, janë larguar menjëherë nga vendngjarja dhe janë shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.










Komente
Komento