Pas një fushate presidentiale 45-ditore, varianti më i keq u bë realitet. Një ministër i qeverisë u bë kryetar i shtetit, Berisha arriti qëllimin që kishte me një kosto të paqartë për të, por të qartë për shqiptarët. Pushteti ekzekutiv është lëshuar drejt gjyqësorit për ta asgjësuar përfundimisht. Përzierja e medias me politikën, që ishte një nga pjesët e spektaklit presidencial, tregoi që nuk ka asnjë pushtet të pagllabëruar nga politika dhe kryesisht nga Kryeministri. Dinë çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje, do të thoshte Oskar Uajlld. Tani që zhurma e së hënës u fashit, por veshët ende shungullojnë nga bëmat e zhurmshme të orëve të gjata, duket qartë që ndërtesa kryesore e shtetit, u ble shtrenjtë, por nuk ka më asnjë vlerë. Kur Ilir Meta deklaronte se nuk do të votonte një kandidat të Partisë Demokratike, i tregonte Berishës se mund të votonte kundër dhe takonte Edi Ramën në shtëpinë e tij, u duk se gjërat nuk ishin aq keq sa ç’pritej. Mund të kishte një shpresë për një President që të garantonte insitucionet e pavarura. Por të hënën u kuptua se deklarata e Metës kishte parasysh vetëm Jozefinën se vota kundër kërkonte vetëm konçesione të reja dhe takimi me Ramën, ishte njëpërdorimsh, sa për të detyruar Berishën të tërhiqej. Meta fitoi, shqiptarët humbën. Berisha ishte më i sinqerti. E tha që në fillim që donte një eksponent të partisë së tij. E vlerësoi sa duhej Metën dhe e zhvlerësoi sa duhej Ramën. Kandidatët e tërhequr ia dha aleatit të majtë, të vërtetin e mbajti për vete. Pas konçesioneve, të tretin mund ta merrte. Dhe, nëse Meta nxorri Ramën kur i duhej, Berisha i nxorri Metën Ramës kur i duhej. Kryetari i opozitës mbeti vetëm, gjysmëhapi i përjashtuar dhe gjysmëhapi i vetëpërjashtuar nga proçesi. Berisha fitoi, shqiptarët humbën. Në kampin e të humburve janë ëshë përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar. Ambasadori amerikan u deklarua që në fillim të proçesit kundër zgjedhjes së një ministri në krye të Shtetit. Ndodhi pikërisht e kundërta. Pritej që Arvizu të deklaronte atë që premtoi, që ky ishte shans i humbur. Në vend të kësaj ishte një deklaratë që uronte dhe besonte tek Nishani. Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar kërkonin garanci që presidenti i ardhshëm nuk do të firmoste dëshirat e kryeministrit për të shtënë në dorë Prokurorinë dhe SHISH-in. Nishani nuk mund ta garantojë këtë. Kjo ishte një humbje që reflektohej në deklaratën e lëshuar nga ambasada e SHBA. Ata humbën bashkë me shqiptarët. Nano humbi ndoshta shansin e fundit për t’u bërë president. Tentativa e fundit tregoi se pa një mbështetje të fortë nuk mund të kërcesh në krye të Shtetit. Rama nuk ia dha për asnjë nga çmimet, as për ofertat bashkëpunuese. Kryetari i Partisë Socialiste ishte i humburi më i madh në këtë proçes. Që në fillim, pasi shpërndau ftesat për takime me të gjithë, shkoi në Gjirin e Lalzit që t’i shërbente Metës për të paralajmëruar Berishën. Ngjarjet me editorialin dhe më pas u bënë simbol i paqartësisë së kryetarit të opozitës. Deri të dielën në 10 qershor. Takimi i fundit me maxhorancën, një ditë përpara raundit të katërt. Meta ishte tërhequr plotësisht, kandidaturat ishin politike, Sandër Lleshi ra. Ishte hapur gara. Rama nuk mund të zgjidhte president dhe kishte të drejtë. 64 vota nuk mjaftonin. Por kur humbi shansi për konsensus, kur maxhoranca po çonte në garë një kandidat të vetin, opozita kishte të drejtën të mendonte për më tej dhe të kërkonte nga kjo garë rrëzimin e Berishës. Të zhdukte hijet dhe paranojat dhe të kandidonte Nanon. Për të humbur betejën e 11 qershorit dhe për të fituar, bashkimin e të majtës për zgjedhjet e 2013. Vënien e Metës përballë një zgjedhjeje të vështirë për t’u bashkuar me Nanon si kandidat i së majtës, apo me Nishanin si kandidat i Berishës. Dhënia e një mesazhi për ndërkombëtarët që opozita nuk rri dhe vështron kur kërcënohen institucionet e pavarura, por reagon me të gjitha votat e mundshme. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Edhe pse ishte paralajmëruar, Rama zgjodhi të mos bëjë betejë me Berishën dhe t’i hapte rrugë një beteje brenda së majtës. Sot beteja brenda së majtës është në ditën e tretë. Ata kanë humbur bashkë më shqiptarët dhe po shkojnë drejt një humbjeje akoma më të madhe. Presidenti pritet të bëjë betimin dhe së shpejti gjithçka do të kthehet në normalitet, përveç Partisë Socialiste. Në parlament maxhoranca dhe opozita do t’u rikthehen 3 pikave të tjera, kodit zgjedhor, reformës parlamentare dhe heqjes së imunitetit të deputetit. PS është e interesuar të arrijë konsensusin në këto pika, sidomos për kodin zgjedhor. Me këtë konsensus do të shkohet në Bruksel për të kërkuar statusin e kandidatit. Kjo do të jetë dita kur pretendimi i vetëm i Ramës gjatë proçesit të presidentit do të rrëzohet.
/Shqiptarja.com






