Drini Sallaku piktori autik ka nisur studimet në Liceun Artistik në Tiranë. “Më pranoni kështu siç jam dhe unë do t’ju dhuroj gjëra të bukura në jetë", ky është mesazhi që shprehin sytë e lumtur te piktorit 19 vjeçar Drini Sallaku.

Ka qenë një betejë e gjatë dyvjeçare për të dhe nënën e tij Edlira Sallaku që të fitonte të drejtën e arsimimit.

“Jam shumë e gëzuar që përfundimisht Drinin e regjistruan. Drini fitoi, dhe zyra e Antidiskriminimit i dha të drejtë, Gjyqësori i dha të drejtë dhe sërish duhej të bëhej kjo me ndërhyrjen e ministres Lindita Nikolla, të cilës kam një muaj që kam ndenjur në derë për këtë arsye. Drini në këtë kohë është bërë shumë social dhe e dëshiron shumë ambientin shkollor dhe ai do që të mësojë”, thotë nëna e Drinit.

Report TV ka qenë një nga të parat media që ka sensibiluar opinionin publik për çështjen e shkollimit të Drinit. Në intervistat me avokatët dhe psikologët, çështja e arsimit të Drini Sallakut është parë si një e drejtë e ligjshme, por sistemet burokratike  dhe futja në konkurs me fëmijët që nuk vuajnë asnjë problem kanë qenë barriera të mëdha për t’u kapërcyer.

Kushtet që konkursi ofronte nuk ishin të përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara, ishte njësoj sit ë gjithë programet dhe si gjithë fëmijët e tjerë.”, thoshte një vit më parë avokatja Margarita Bega.

Drini Sallaku para se të hynte në Lice ka vijuar pikturën jashtë mureve të shkollës, në studion e tij private.  Ka çelur disa ekspozita personale dhe kolektive. Drini bën piktura abstrakte, por që flasin përmes detajeve të zgjedhura prej vetë piktorit nga jeta. Ai ka një mënyrë të veçantë si e sheh botën dhe një talent të lindur. Pikturon drejt e në telajo, në kanavacë. Rritja profesionale e Drinit pritet të jetë edhe më e madhe pas hyrjes në Lice. 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com