Tirana është tashmë në krye të renditjes në Kategorinë Superiore pas fitores 2-1 përballë Kukësit. Kryeqytetasit arritën të shfrytëzonin në maksimum hapin fals të Partizanit që nuk mundi të fitojë përballë Egnatias.
Të dyja skuadrat ishin kërkuese në nisje të takimit ndërsa goli i parë u shënua në minutën e 42-të me Tiranën që gjeti avantazhin falë golit të shënuar nga Hila i cili përfitoi nga një harkim i Hasanit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0.
Pjesa e dytë nisi me aksione të kryeqytetasve të cilët kërkonin të gjenin golin e qetësisë. Por verilindorët barazuan shifrat pas 6 minutash lojë të pjesës së dytë me anë të Rashitit.
Gol ii barazimit solli aksione të vazhdueshme nga të dyja anët e fushës dhe gjithçka u vendos në fund, nga një penallti, të përkthyer në gol nga Hasani në minutën e 90-të.
Pas këtij rezultati, Tirana kryeson me 50 pikë, dy më shumë se vendi i dytë, ndërsa Kukësi mbetet me 35 pikë dhe është përsëri pranë zonës së mbijetesës.