Vllaznia e një mijë e një problemeve ia doli të fitonte 2-1 ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues të Conference League kundër Malishevës. Edhe pse vinte pas një situate të paprecedentë, si pasojë e bllokimit të merkatos, teksa deri në minutat e fundit nuk dihej se kush nga lojtarët do të federohej, të besuarit e Edi Martinit ia dolën me përmbysje falë golave të Qatos dhe Emiljano Mustës. Shqiptarët e Kosovës nga minuta e 54 mbetën me 1 lojtarë më pak.

“Ne ishim pak nervozë. Nuk ishim të qartë. E kuptoj edhe fillimin e lojës sepse ngarkesa këto ditë ka qenë e madhe. Sidomos psikologjike. Të punosh 1 muaj me mënyrë tjetër loje, me lojtarë të tjerë dhe të luash si kemi luajtur sot për mua është arritje. I përgëzoj djemtë se kanë jetuar me stres deri në momentin e fundit para ndeshjes,”-u shpreh Edi Martini, trajner i Vllaznisë.

“Është kënaqësi që fituam. Që e nisëm mbarë sezonin e ri dhe aq më shumë në Kupat e Evropës. Duam ta kalojmë turin. Goli është kënaqësi personale por më vjen mirë që ndihmova ekipin,”-tha Emiljano Musta, futbollist i Vllaznisë.

Ish-trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric, tani pjesë e Malishevës, ishte i pakënaqur me atë që skuadra e tij dha në fushë, por edhe me vendimet e arbitrit.

“Fillimisht urime për Vllazninë. Nëse shon dy gola, fiton do të thotë se e ke merituar, por ne gabuam në kundërsulme, krijuam hapësira dhe Vllaznia i shfrytëzoi. Sakrifikuam pak pasi mbetëm me 10 lojtarë, por nuk e di nëse ishte vërtetë karton i kuq,”-deklaroi Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë.

Ndryshe nga Vllaznia, Dinamo e Ilir Dajës u mposht 0-1 në ndeshjen e parë kualifikuese të turit të parë në Conference League. Në Elbasan Arena ‘nëndetësja’ humbi përballë kazakëve të Astanës, ndërsa ndeshjet e kthimit, ku do të vendoset se kush kualifikohet, do të luhen javën e ardhshme.