Pas fitores së Francës në përballjen me Marokun, ka pasur trazira mes tifozëve në Montpellier për rezultatin e gjysmëfinales të Kupës së Botës. Mes turmës, një djalë rreth 14 vjeç është goditur nga një makinë. Ai u transferua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë. 

Automjeti është gjetur pranë vendit të ngjarjes dhe policia ka nisur hetimet. Policia është vënë në kërkim të drejtuesit të mjetit, i cili ka braktisur automjetin e tij pranë vendit të ngjarjes.

Ndërkohë trazira kishte edhe në Paris e Bruksel, ku ka ndërhyrë policia për të shpërndarë turmat. Rreth 10,000 policë shtesë ishin vendosur në të gjithë Francën për të “siguruar që ndeshja të mbetet një festë”, tha të martën ministri i brendshëm Gerald Darmanin. 115 arrestime u bënë në zonën e Parisit, njoftoi policia të enjten pak para orës 1 të mëngjesit.

Përplasjet erdhën pasi Franca siguroi vendin e saj në finalen e Kupës së Botës në Katar pasi mposhti Marokun 2-0 . Ata do të luajnë kundër Argjentinës në finale të dielën.

Franca fitoi 2-0 me Marokun në gjysmëfinalen e dytë të Botërorit dhe gjen në finale Argjentinën. Të diel në orën 16:00 djemtë e Deschamps do kërkojnë të mbajnë kurorën e kampionit të botës teksa përballë do jetë Lionel Messi me shokë. Ndeshja e sotme për Francën u vendos nga golat e Theo në minutën e 5 dhe Kolo Muani në minutën e 79.