Rol vendimtar në fitoren e Albin Kurtit ka pasur presidentja Vjosa Osmani. Kështu ka deklaruar ish-ambasadori i Shqipërisë në Itali Arben Çejku teksa ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit kryesoi bindshëm.
I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’, në Report Tv, ai tha se Osmani ka ndikuar drejtpërdrejt duke sjellë zhvillime pozitive për Kosovën, si heqja e sanksioneve nga Bashkimi Europian dhe krijimi i një klime të re në marrëdhëniet Kosovë- Shqipëri.
‘Humbësja në këto zgjedhje është LDK dhe fituesi është Albin Kurti. Partia e Ibrahim Rrugovës ka 5 deputetë më shumë se lista serbe. Vërtet ka fituar Kurti po gjysma e fitores është e Osmanit, sepse i solli shumë dhurata heqjen e sanksioneve nga BE dhe i solli edhe një klimë të re të marrëdhënieve me Shqipërinë. Vjosa ka dhënë shumë dorë në fitoren e Albin Kurtit. Ata kanë pasur edhe probleme të mëdha mes tyre edhe një lloj zhgënjimi mes tyre dhe një lloj dualizmi. Kurti ishte i izoluar nga SHBA dhe nuk e di se sa i izoluar mund të jetë tani. Unë nuk jam shumë optimist pavarsisht fitores’, tha ai.
Studiuesi Enver Bytyçi, tha se aktualisht është momenti politik i Albin Kurti. Bytyçi theksoi se Albin Kurti është ndihmuar më shumë nga faktori ndërkombëtar sesa nga ai i brendshëm.
“Unë mendoj se tani ka ardhur koha e Albin Kurtit nëse ai do ta dëshmojë veten. Duhet të ikte koha e Aleksandër Vuçiç dhe Ramës që të vinte koha e tij. Ikja e kohës së tyre solli Albin Kurtin. Kurtin e ka ndihmuar faktori ndërkombëtar më shumë sesa faktori i brendshëm. Edi Rama u orientua kaq shumë drejt Beogradit saqë harroi gjithçka tjetër duke mos dëgjuar këshillat dhe kritikat se produktet serbe do të penalizojnë bujqësinë në Shqipëri.
Sot lëngon bujqësia për shkak se ka hequr taksat dhe tarifat dhe Rama i joshur nga dëshira për të pasur një aleat në Beograd bëri gjitha këto veprime. Të gjithë politikanët, edhe Ahmet Zogu kanë ardhur në pushtet me ndihmën e Beogradit” tha ai.
Gazetari dhe analisti Ben Andoni tha se afrimi i mundshëm mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbën një lëvizje strategjike si për kryeministrin Albin Kurti, ashtu edhe për Bedri Hamzën.
‘Bedri Hamza hoqi vijat e kuqe dhe afrimi i PDK-së me Vetëvendosjen është si mundësi për Hamzën që të konfirmohet. PDK-së me Hamzën i duhet një imazh i ri. Zoti Kurti duke ditur peshën historike të momentit, do të ketë zhvillime Ballkani në vijim, nuk do të jetë kaq i qetë.
Kurti ka filluar të mendojë për lëvizjet, që të afrojë PDK-në që ta miklojë PDK-në dhe ky është sensi që ky personazh di të kalkulojë shumë mirë elektoratin dhe trendin e jashtëm të emigracionit. Kurti di më mirë situatën e brendshme të vendit. Snobimi që i ka bërë prokurorisë për korrupsionin.
Kurti ka marrë një dhuratë të madhe nga BE. Kosova nuk i meritonte masat shtrënguese, pasi nuk janë marrë në mënyrë unanime, janë bërë me propozime të Lajcakut dhe tani kthimi që i është bërë është edhe një lloj miklimi që ka në raport me Amerikën’, tha ai.
Gazetari Ermal Peçi tha se Kurti e ka kuptuar pikën e dobët të partive opozitare.
‘Kurti është shumë më i qartë në artikulimin politik dhe në vokacionin e tij politik gjatë gjithë karrierës së tij. Në Kosovë duket sikur ka përfunduar epoka e komandantëve. Them se ka përfunduar sepse asnjë nga komandantët e UÇK-së nuk mori shembullin e Kroacisë me rastin Gotovina, ku u kuptua se është ndryshe të bësh luftë dhe ndryshe të bësh politikë. Kurti e ka kuptuar se opozita duhet të përdorë një narrativë shumë të fortë në opinionin publik, pra ai e ka kapur pikën e dobët e partive opozitare’, tha ai.
Politologu Nexhmedin Spahiu i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” u shpreh se Albin Kurti arriti të fitonte zgjedhjet falë gafave të opozitës, që sipas tij ishin të shumta.
“Vetëm një është meritë e Albin Kurtit, e para; axhenda e opozitës ka qenë se Kurti na prishi me miqtë amerikanë. Por SHBA në ligjin që miratoi Kongresi futi Kosovën në mënyrë ekskluzive dhe e bëri të qartë se nuk ka lëvizje të kufijve dhe betonoi atë që dialogu duhet të përëfundojë me njohje nga Serbia. Edhe për BE-në, u tha se në morëm masa. Para zgjedhjeve në Kosovë shpërthen skandalet në Tiranë duke lënë të kuptohet se Rama nuk është modeli.
Para zgjedhjeve kemi edhe njohjet e Kosovës. Një gabim trashanik i opozitës ishte që nuk votoi qeverinë pakicë dhe ta rrëzonte atë qeveri kur të donte. Ajo nuk e bëri edhe pse unë mendoj se Kurti bëri hazar kur propozoi që Konjufca të jetë Kryeministër por fati i tij që opozita nuk e pranoi. Dhe zgjedhjet ndodhën kur erdhën 500 mijë veta nga mërgata, kur i leverdiste më shumë Kurtit” tha ai.
Komente












