I nderuar Z. Kryeministër,
I nderuar Z. Ministër,
Të nderuar të ftuar, miq e partnerët tanë, që na këni dhënë në çdo moment mbështetjen tuaj.
Të nderuar punonjës dhe punonjëse të policisë, ju që jeni rrjeshtuar këtu para nesh, ju që jeni objekt i kësaj ceremonie, ju që me profesionalizmin dhe sakrificën tuaj treguat se çfarë është në gjendje të bëjë policia kur ajo orientohet dhe mbështetet në luftën ndaj krimit.
Kjo ceremoni ju dedikohet ju dhe shokëve tuaj që ende vazhdojnë shërbimin në Lazarat dhe vërtet e meritoni, e meritoni që sytë e shqiptarëve të hidhen nga ju me respekt, se boll jeni përfolur, e meritoni se u bëtë shembulli që u duhej të gjithëve në këtë vend për të ngjallur shpresën për të ardhmen, shpresën tek vlerat dhe ligji, shpresën tek institucionet.
Kam drejtuar shumë operacione policore, madje disa me një pjesë të mirë prej jush, por ky operacion ishte tepër i veçantë.
Ndonëse që në momentet e para u gjendët nën breshërinë e tërë arsenalit të grupit kriminal, askush nga ju nuk u tërhoq, askush nuk shfaqi shenja paniku, askush nuk hapi zjarr të pakontrolluar, por gjithkush pozicionohej, vëzhgonte, raportonte dhe dukej sikur vetë policët e kishin marrë në dorë edhe drejtimin e operacionit.
Edhe polici i FNSH-së Shkodrës, që u plagos natën e dytë, nuk shfaqi asnjë shenjë paniku dhe frike por telefonoi duke thënë se jam mirë dhe se do të doja të të qëndroja këtu deri në fund.
Pjesa më e madhe e forcave operacionale qëndroi me ditë të tëra në mal, por askush nuk u ankua, u qëlloi të bënin nga 8 orë rrugë dhe më pas të pozicionoheshin e të vërsuleshin për të kapur pozicione gjithnjë e më të përparuara dhe askush nuk tha u lodha.
U qëlloi të luftonin në krah të kolegëve nga reparte të tjerë, më te cilët nuk kishin kryer më parë operacione, por bashkëpunimi dhe bashkërendimi ishte i përsorur, askush nuk e la shokun në baltë.
Gjithkush bëri detyrën e tij në mënyrë të përkryer dhe më e veçanta është se akush nuk tregoi asnjë shenjë të vogël të abuzivizmit ndaj banorëve të thjeshtë të Lazaratit.
Me veprimet tuaja ju fituat admirimin e shumë shqiptarëve, madje edhe vetë popullit të Lazaratit.
Ndaj ky operacion nuk ka emra të përveçëm, ky operacion ka vetëm emrin dhe vulën e punonjësve të policisë të vijës së parë. Ishin ata që ndjeheshin të dhunuar në krenarinë e tyre si njerëz dhe si përfaqësues të ligjit, të cilët sa herë përballeshin me forca të errëta, dilte gjithmonë dikush tu ndryshonte drejtimin.
Ndaj ishin ata që kërkonin të tregonin aftësitë e tyre, kurajon e tyre dhe dëshirën e tyre për të vendosur rendin e ligjin.
Kush nuk i ka provuar nuk mund të kuptojë çastet e një operacioni ku vihet në rrezik jeta. Janë çaste kur njeriu vendos mbi atë ç’ka është më sublime. Një moment e ndan të vërsulesh nën plumba apo të largohesh, por këtë rradhë të gjithë ishin në një mendje, të vërsulen.
Të habisin se sa lehtë e marrin vendimin pa vrarë mendjen se çfarë do të fitojnë për veten e tyre, sepse i shtyn instikti i luftëtarit të së drejtës, instikti i së drejtës kundër padrejtësisë, i ligjit kundër paligjshmërisë dhe krimit. Vetëm ky instikt të frymëzon deri në këtë pike, të bën të ndjehesh krenar se nuk sakrifikon për përfitim material, por për një ideal, për një ideal universal të shoqërisë. Të bën të ndihesh edhe për një moment sikur ke dalë nga ajo botë meskine ku çdo gjë shitet e blihet, por fatkeqësisht është një instikt që e gjejmë shumë rrallë në ditët e sotme.
Ju kam zili kur ju shoh aq të shpenguar pas këtij operacioni kur mund të kishit lënë edhe kokën pa vrarë mendjen se kush do të marrë meritat, por diskutoni si mund të kishit ndonjë mjet më të mirë apo ndonjë pajisje më të përshtatshme për operacionin e rradhës.
Ju dhe shokët tuaj pra jeni vlera e vërtetë e këtij operacioni dhe ndaj e meritoni dhe këtë ceremoni.
Redaksia Online