Fjala e Bashes ne mbledhjen e grupit

Fillimin e mbledhjes së grupit parlamentar dua ta përdor për një sqarim, për një bashkëbisedim me ju dhe me qytetarët për sa i përket stadit aktual të reformës në drejtësi. Ku jo vetëm çfarë ka ndodhur në syrin e medias dhe publikut, por edhe ajo çfarë ka ndodhur e po ndodh në kontaktet e vazhdueshme dhe intensive të opozitës me partnerët ndërkombëtarë ka patur, ka dhe do të ketë një emërues të përbashkët: Vullnetin e Partisë Demokratike, vullnetin e grupit tonë parlamentar, të opozitës parlamentare, të aleatëve tanë për të bërë një reformë në drejtësi sipas standardeve europiane, sipas rekomandimeve të Venecias. Për të pastruar drejtësinë nga korrupsioni në prokurori dhe gjykata, për të gozhduar dhe eleminuar korrupsionin politik si forma më e lartë e korrupsionit dhe e kapjes së drejtësisë dhe për të marrë të gjithë hapat e nevojshëm që drejtësia të jetë e drejtë, e shpejtë dhe në bazë të ligjit me të gjithë qytetarët shqiptarë e me theks të veçantë në luftën ndaj korrupsionit qeveritar.

Lufta kundër korrupsionit qeveritar, lufta kundër korrupsionit zyrtarëve publikë kërkon të gjithë instrumentat e nevojshëm dhe ne jemi mirënjohës partnerëve ndërkombëtarë për sugjerimet e vlefshme që kanë bërë në këtë drejtim, siç është edhe Byroja Kombëtare e Hetimit pas shqyrtimit nga  Gjykata Kushtetuese, pas reflektimit të vërejtjeve nga Gjykata Kushtetuese për të cilat kemi dhënë dakordsinë tonë tash 4 muaj.  

Po çfarë po ndodh të nderuar deputetë, bashkë me qytetarët?
Prej më shumë se 4 muajsh pengesa për reformën në drejtësi e ka emrin Edi Rama. Njeri i investuar politikisht, emocionalisht dhe personalisht kundër konsensusit, kundër konsensusit si vlerë dhe kundër konsensusit si i vetmi mekanizëm për të miratuar një reformë gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Dikur kur e thonim këtë ndokush edhe na paragjykonte sepse të rrish gjithë ditën me një kryeministër që shkumëzon kundër konsensusit për dreka dhe për darka, fillon ndoshta mendon që konsensusi mund të jetë një prodhim demonik. Por sot nuk është opozita që e thotë, është Komisioni i Venecias që e thotë këtë, janë partnerët tanë euro-amerikanë që insistojnë tek dialogu politik, tek konsensusi, tek marrëveshja jo si pazar nga ato të Vilës 30 apo 31, por si një vlerë politike që çimenton besimin e publikut tek një reformë që bëhet për publikun, për qytetarët, jo për politikën e për politikanët.

Ia kam ofruar dhe vazhdoj t’ia ofroj ndonëse në rrethana normale vendi është mësuar që kryeministri ofronte dhe kryetari i opozitës refuzonte dhe për këtë besoj se kujtesa edhe afatshkurtër iu shërben si qytetarëve ashtu edhe politikanëve. Por jemi në një situatë absurde ku opozita ofron bashkëpunimin dhe kryeministri i vendit e refuzon atë duke luajtur blofin me 64 vota.

64 vota të cilat të gjithë e dimë që nuk mund të kalojnë reformën në drejtësi por që mund të shërbejnë për të djegur reformën në drejtësi e për t’i shërbyer kapriçove politike të një qeverie të dështuar në të gjitha planet dhe të braktisur nga opinioni publik, nga votuesit, pritshmëritë e të cilëve kanë takuar dhe takojnë zhgënjime të hidhura si në fushën ekonomike, në fushën e shërbimeve publike, të punësimit, mirëqenies e çdo fushë tjetër.
Po shpëtimi nuk mund të jetë keqpërdorimi i reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi duhet të kryhet dhe opozita shqiptare, Partia Demokratike, unë personalisht jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që kjo reformë të kryhet.

Më vjen keq që reporterët e Venecias e kanë zhgënjyer përsëri zotin kryeministër, kur deklaruan këtu në Tiranë se nuk është çështje numerike 2/3 apo 3/5-tat, siç kemi thënë dhe vazhdojmë të themi ne por është çështje vlere, parimi, përfshirje substanciale e opozitës, pjesëmarrje konsensuale në reformën në drejtësi e cila duhet, mund dhe do të bëhet vetëm përmes konsensusit.

Nuk ka konsensus, nuk ka as përpjekje për konsensus. Madje as përpjekje për dialog. Edhe për çështje që kemi rënë dakord Edi Rama zvarritet. Sot ka ardhur momenti që të ndaj me qytetarët shqiptarë që Partia Demokratike ra dakord me draftin e propozuar nga ekspertët amerikanë për Byronë Kombëtare të Hetimit, si një strukturë speciale, e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, sigurisht sipas Kushtetutës nën drejtimin e Prokurorisë, e trajnuar me qendrat më të specializuara të botës, SHBA-të me paratë e taksapaguesve amerikanë dhe më një mandat të qartë, të përcaktuar mirë dhe të domosdoshëm për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë, hetimin e korrupsionit në nivele të larta. Kemi tre muaj që kemi dhënë dakordsinë tonë.

Ky zotëri që çirret nga mëngjesi deri në darkë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi pse nuk e jep dakordsinë e tij? Çfarë e pengon? Kush e ka kapur prej xhakete? Kush ia mban dorën? Forcë e madhe duhet të jetë, derisa ka 4 muaj që refuzon partnerin tonë strategjik SHBA-në , në një objektiv po kaq strategjik siç është lufta kundër korrupsionit.

Zonja dhe zotërinj deputetë ju e dini kjo ka qenë e përhershme e diskutimeve këtu në grupin parlamentar, qytetarët e dinë dhe duhet ta dinë pengesa për reformën në drejtësi e ka emrin Edi Rama. Alibitë dhe alibirat nuk vlejnë më. Korniza tashmë është e qartë, Venecia solli opinionin e saj, reporterët erdhën dhe shkuan. Ne presim edhe opinionin final por “pata“ e kapjes së drejtësisë nuk do t’ia bëjë vezën e artë Edi Ramës.

Drejtësia shqiptare nuk do të kapet. Ndaj tani është momenti të flasë qartë si kryeministër, pa u fshehur pas ekspertëve që vetë ka emëruar. Të dalë dhe të thotë e do reformën në drejtësi, e ka me të vërtetë apo e kishte dhe e ka një alibi. Sepse  i leverdis drejtësia e kapur, drejtësia e shantazhuar, drejtësia si alibi dhe jo si fakt. I leverdis shantazhi, dosjet që i mban dhe i nxjerr sipas qejfit, pra i leverdis bizantizmi dhe jo e ardhmja europiane e Shqipërisë. Nëse po, i përsëris ftesën të ulemi dhe të punojmë me konsensus për t’i dhënë shqiptarëve një drejtësi të pavarur, eficente, të pastruar nga korrupsioni dhe të aftë për të qëndruar e pastruar nga korrupsioni por e pakapur politikisht.

Fatkeqësisht kjo që do të them tani është në konflikt të plotë me ftesën që sapo i dhashë kryeministrit, por ky nuk është faji dhe problemi im është realiteti i shqiptarëve. E kam fjalën për luftën frontale pa pauzë, pa kompromis kundër gjithë aferave të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin nga  qeveria Rama-Meta dhe zyrtarët e çdo niveli që ne i kemi shpallur që prej ditës tonë të parë dhe që kemi intensifikuar veçanërisht vitin e fundit ku kemi perceptuar si të drejtë denoncimin e  vjedhjeve  dhe skandaleve qeveritare.

Përballja me të keqen në Parlament dhe në të gjitha aulat e tjera publike  është parim  i opozitarizmit  tonë.
Ne këtë  betejë,  kundër një kundërshtari të rrezikshëm që  ka  përdorur dhe vazhdon të përdorë  si armën e vet më të dashur propagandën, demagogjinë, trushplarjen, gënjeshtrën dhe  mjegullën, ne kemi kemi parashtruar të vërteta me fakte të pakundërshtueshme të cilat u kanë dhënë mundësi qytetarëve të kuptojnë qartë natyrën e korrupsionit në  qeverisjen  e sotme.

Nuk kemi të bëjmë me atë  korrupsionin që vjen si pasojë apo si deformim i  sistemit, por kemi të bëjmë me një korrupsion të ngritur në sistem nga vetë  qeveria  dhe kreu i saj me vendime të Këshillit të Ministrave, me ligje të aprovuara verbërisht, me  politikën  e  tyre të ambalazhimit të  vjedhjeve me retorikën e reformave,  me qëllimet e tyre të lexueshme për  të  vënë pasuri për vete dhe për një grusht oligarkësh të oborrit dhe orbitës qeveritare përmes abuzimit me funksionet, asetet dhe paratë publike. 
Çfarë është kontrabanda kolosale e duhanit, kontrabanda e naftës dhe mallrave të tjera të akcizës? Aksident apo një zgjedhje? I ndodhi si fatkeqësi Ramës sepse e tradhtuan të emëruarit e tij? Kjo është një fabul mjerane që nuk e besojnë as fëmijët e kopshtit.

Jo zonja dhe zotërinj, siç e kemi provuar, siç ka plasur tashmë sheshit jo vetëm nga denoncimet tona por edhe nga dokumentat zyrtare të Agjentëve të Kurorës dhe vetë bilancet e Ministrisë së Financave, kjo kontrabandë  ka patur dhe ka bekimin e Edi Ramës, pra është zgjedhje e tij, vepër e tij, përfitim i tij dhe kupolës Tahiri- Ahmetaj-Kokëdhima.

E njëjta vlen për evazionin e madh në tatime, për tenderat e korruptuar  në palcë, me  fitues të paracaktuar, ku i fundit del i pari sepse është mik, ndërtuesi apo i përzgjedhuri i kryeministrit.

Edi Rama dhe kupola rreth tij është destinacioni përfundimtar, magazina e rreth 400 milionë dollarëve që mungojnë në gropën e madhe të dështimit në mbledhjen  e të ardhurave të planifikuara gjatë vitit 2015.
Kjo është gropa e korrupsionit që ka gërmuar kjo qeveri.  Këta shtuan rojet dhe rriten  vjedhjet.
Shtuan  kontrollet dhe  rritën evazionin.
Shtuan dhunën dhe thelluan krizën.
Me injorancë dhe arrogancë menduan dhe vazhdojnë të mendojnë se mund të pajtojnë abuzimin me suksesin, duke hedhur vellon  e propagandës. Por abuzimi i hedh në erë të gjitha maskat, të gjitha hilet dhe të gjitha qëllimet e mbrapshta.

Sigurisht, jo pa rolin tonë, jo pa rolin tuaj, të  opozitës, që në rrethanat e Shqipërisë së sotme është vendimtar. Jo pa rolin e pazëvendësueshëm të qytetarëve në protestë. Jo pa rolin  po kaq jetik të medias të lirë e të pakapur.

Sot, për fat të mirë janë shtuar e po shtohen aktorët dhe zërat brenda dhe jashtë vendit që po denoncojnë korrupsionin e ngritur në sistem në Shqipëri duke bërë përgjegjëse dhe treguar me gisht qeverinë.  Rasti i  denoncimit nga “Crown Agent’s” të korrupsionit  të madh në doganat shqiptare është një shembull domethënës i ditëve të fundit.  
Ditë për ditë çdo akuzë e opozitës po vërtetohet dhe pranohet nën presionin e qytetarëve dhe mediave, dhe në pamundësinë për ta fshehur apo mbuluar edhe nga Edi Rama që si xhongler mundohet ta hedhë përgjegjësinë tek të tjerët.  Por ajo që është më e rëndësishmja është  rritja e vetëdijes në  mbarë spektrin shoqëror dhe politik të vendit për domosdoshmërinë e izolimit dhe largimit të  Edi Ramës dhe bandës së dyzet hajdutëve nga drejtimi i qeverisë.     

Duhet të themi, të nderuar deputetë, se luftën pa pauza kundër korrupsionit dhe skandaleve nuk e kemi  zgjedhur dhe nuk e zgjedhim ne,  por  na e ka diktuar kjo qeveri që nuk ka reshtur, nuk ka pushuar  as ditë  as natë, me babëzinë dhe  bëmat e saj korruptive nga njëra anë, njëra më e zezë se tjetra, më e dëmshme se tjetra për financat publike, për shërbimet publike, për mirëqenien e qytetarëve, për zhvillimin, për punësimin dhe për vlerat e moralin e qeverisjes së mirë që aspirojnë me të drejtë qytetarët shqiptarë.

Kanë marrë disa goditje si kërrkush më parë nga defiçitet dhe dështimet që kanë në themel korrupsionin. Janë demaskuar brenda një kohë të shkurtër si askush tjetër. Iu ka dalë boja e parë, dora e dytë dhe dora e tretë. Por nuk kanë nxjerrë asnjë mësim. Në vend që të frenoheshin, po dyfishojnë kudo që mundin me nxitim të shfrenuar sikur po vjen dita e apokalipsit në rrugën e abuzimeve.

Kjo provon atë që ne kemi thënë dhe që e kanë thënë shumë aktorë të shoqërisë civile, politikanë  të distancuar nga  Rama me kompani, se ky kryeministër dhe kjo qeveri nuk ka në plan asgjë tjetër përveçse të  shtojë përfitimet nga pushteti. 

Kjo provon se mekanizmi i korrupsionit që kanë kurdisur nuk është i ndalshëm apo I korrigjueshëm, por  mund të asgjësohet vetëm duke e flakur bashkë me ata që e kanë kurdisur. 

Vitin e fundit babëzia qeveritare është përqendruar tek koncensionet siç i konceptojnë këta. Siç po i jep ky, ku po i jep ky dhe kujt po ia jep ky. Kjo është gjuetia e re dhe shprehja e re e hajdutërisë. Ne i kemi denoncuar në kohë reale disa nga këto koncensione që kanë befasuar dhe skandalizuar opinionin e do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Sot, nesër në sallën e parlamentit e kudo. Duke filluar me check-up-in e famshëm, 120 milionë euro kompanisë së Vilma Nushit pa përvojë në këtë fushë. E licencuar vetëm 2 ditë para hapjes së tenderit dhe ku mbrëmë i vënë nën presion, Rama deklaroi se mund ta ulte pak vlerën e rryshfetit. Sepse ishte kaq e madhe saqë edhe po u ul fondi është i mjaftueshëm. Abuzim i paskrupullt. Nuk ka pikë rëndësie se sa shqiptarë e marrin shërbimin. Paratë jepen dhe do të jepen sikur shërbimin e kanë marrë edhe 100 mijë që nuk e kanë marrë. Check-up-i është një simulim i madh, një gënjeshtër, një vjedhje e pastër që ka shkaktuar një indinjatë të thellë në mbarë komunitetin e punonjësve të shëndetësisë dhe në opinionin publik. Është tenderi i fituar me paracaktim nga një kompani pa eksperiencë pune në sektorin e shëndetësisë, me licencë laboratori të lëshuar vetëm dy ditë para aplikimit, me ofertë me të lartë se kompanitë e s’kualifikuara dhe ku specifikimet teknike për sistemin e informacionit çojnë me detyrim përcaktim me sistemin operator që operohet nga kompania e ministrit Beqa, Intech plus.

Koncesioni i sterilizimit 83 milionë euro për 10 vite. Thjeshtë dhe thellësisht e pajustifikuar sepse qeveria shqiptare me dy kredi, qytetarët shqiptarë kanë marrë dy kredi me bankën e Këshillit të Europës dhe kanë siguruar fonde të mjaftueshme për të ndërtuar qendrën e sterilizimit qendror dhe diagnostikimit funksionale  si dhe për të vënë në përdorim repartin e centralizuar të sterilizimit që është ndërtuar dhe pajisur. Ndërkohë është trajnuar edhe personeli për përdorimin e këtij reparti. Por jo. Pasi investohen lekët të marra me kredi merret furra gati, punonjësit e trajnuar dhe i jepet Ilir Rrapajt me 8 mijë euro kapital i cili merr 83 milionë euro tender. Është pronar i një kompanie ku ka të punësuar një murator. Ti themi siç është. Në Peruxhia, kompania, sipas burimeve gazetareske investigative, “Birn” në këtë rast, ka një kapital prej 1500 eurosh. E mohoi lidhjen me të derisa i dolën fotografitë para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve me siguri do ti dalin edhe ato që kanë lidhje me operacionin e tij në Bolonja dhe me vilën në Toskana.

Koncesioni i landfillit të Elbasanit. Arben Ahmetaj. Specie e veçantë. Peshkaqeni i madh i bardhë. Mësuesi më i pasur i anglishtes në historinë e civilizimit botëror. Emblema e korrupsionit. Mësuesi me i pasur i anglishtes në historinë e civilizimit botëror. Emblema e korrupsionit në qeverisjen Nano. Transplantuar mjeshtërisht tek qeverisja Rama. 5 milionë euro nga taksat tona, nga taksat tuaja për t'ia dhene një kompanie të porsakrijuar, me vetëm 100,000 lekë kapital dhe pa asnjë eksperiencë të vërtetuar.

Vendimi i marrë në fshehtësi nga Këshilli i Ministrave në 17 dhjetor pa asnjë shpallje paraprake, pa publikim të njoftimit të kontratës. Në kundërshtim të hapur me nenin 22 te ligjit, edhe me nenin 9 te po këtij ligji, qe sanksionon parimin e transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit.

Koncesioni i Skavicës, i cili pas aferës CEZ është ndoshta projekti me korruptiv dhe pazari më i dyshimtë i Edi Ramës me pasuritë publike. Mungesë e plotë e transparencës. E fshehën vendimin që shpallën se e kishin marrë me 23 dhjetor. I dhanë 8 pikë bonus kompanisë Suzer, në lista të zeza kombëtare dhe ndërkombëtare, praktikisht i kanë falur koncesionin. Kur ne e denoncuam se kishte shkuar atje nga kjo kompani, me shpenzimet e kësaj kompanie, për të negociuar drejtpërdrejtë me këtë kompani në mënyrë të paligjshme, e mohoi. Por faktikisht ia nxori petët lakrorit peshkaqeni i madh i bardhë. I shkau goja tek Arian Çani dhe pohoi se investimi madhor i kësaj qeverisje është Suzeri. Suzeri i cili i ka sjellë çarterin Arben Ahmetajt. i ke fshehur të dhënat e TIMS dhe nuk i ke vënë vulë pasaportës. Suzeri i ka gjetur miqtë edhe në policinë kufitare turke. Por të dhënat e aviacionit nuk i fsheh dot. Prandaj sot i kërkoj të bëjë publike se sa herë ka udhëtuar me çarter drejt Turqisë vitin e kaluar. Ku ka qëndruar dhe kush i ka paguar hotelin. Në pritje të përgjigjes sigurisht që një përgjigje e kemi edhe ne. Negociata të paligjshme për këtë projekt të rëndësisë strategjike kombëtare për energjitikën dhe një projekt të sigurisë kombëtare për vendin. Ndërkohë që ka një studim të plotë që qeveria bën sikur nuk e di dhe vetë Edi Rama mundohet me taktikat e tij banale të ngatërrojë studimin francez të Tiranës me studimin francez të Skavicës i cili ekziston dhe të cilit i kanë rënë ndesh kapitull për kapitull me kontratën korruptive e cila nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të kthehet kurrë në një kontratë të vlefshme ligjore në Republikën e Shqipërisë. Le të vlejë ky si paralajmërim për Suzerin dhe Suzerët e tjerë. Dita do të jetë e shpejt kur do ta marrin me shkelma nga autoritet e zgjedhura me votë të lirë të vendit dhe të mos shpenzojë më asnjë cent për këtë aferë korruptive. Ne nuk do ta njohim. Skavica duhet dhe do të mbetet pasuri publike. Interesi i Shqipërisë dhe Shqiptarëve është që Skavicat të mbetet pronë e jona, të zhvillohet nga ne dhe jo ti falet në fshehtësi të plotë një kompanie pa asnjë eksperiencë në fushë.

Koncesionin e hekurudhës Fier –Vlorë iu dha me goditje të përqendruar djalit  të deputetes Valentina Leskaj në shkelje flagrante të procedurave dhe  të   ligjit për konfliktin e interesit.
Në të njëjtën linjë u procedua me Koncesionin e  Dializës.

E njëjta praktikë  korruptive dhe antiligjore  konstatohet edhe tek e ashtuquajtura “Llogari e Kuponit Tatimor, ku  “fituesit”, në kundërshtim te hapur me legjislacionin tatimor, parashikohen të shpërblehen nga të ardhurat e mbledhura nga TVSH. A thua se TVSH-ja është pronë e Shkelqim Cani apo Edi Ramës.
Koncesioni për vjeljen e gjobave e cila u dha për 20 vite një kompanie private e quajtur “Shërbimi Përmbarimor ZIG”.

Koncesioni i Spitallës. Në gusht 2015 mediat raportuan se Arben Ahmetaj po bëhej gati të jepte me koncesion për 99 vjet zonën e Spitallës, vëllait të Kryeministrit, me një VKM Nr. 666 të datës 29.07.2015 të shpallur si zonë e “veçantë”. Në Janar 2016 skadoi afati dhe qeveria nuk ka shpallur fitues ende. Po e presim me shumë kuriozitet se si do të përfundojë kjo shpallje mediatike e përfitimit të zonës nga askush më pak se vëllai i kryeministrit.

Jemi njoftuar për një tjetër koncension. Targat, 150 milionë euro për 10 vjet. Targa të reja me chip. 50 euro për targë çdo shqiptari. Ky është një shembull kaq i avancuar i teknologjisë sa e ka vetëm një vend në botë; Taxhikistani. Borati Azamati dhe Edi Rama. 150 milionë euro koncension për targat.
Dua  të ndalem pak në  koncesionet e lajmëruar së fundi nga qeveria.
I pari është koncesioni për mbledhjen e TVSH-së, përgatitur si zakonisht në fshehtësi të plotë dhe që u mbaj sekret për ta bërë fakt të kryer derisa u rrodhi nëpër media.
Çfarë është  në thelb  ky koncesion i padëgjuar, i paimagjinueshëm për një vend si yni. Qeveria në rastin konkret, “delegon” një ndër funksionet e veta kryesore: mbledhjen e taksave në territorin  kombëtar.

Ka ngjashmëri me koncesionin  që iu dha po nga kjo qeveri  dy vjet me parë kompanisë  “Crown Agent’s”, në një rol  pothuajse dublues me autoritetin doganor vendas,  me zotimin për të mbledhur  100 milionë euro me shumë në dogana.  Dështimi i bujshëm i këtij objektivi, që “u realizua” katër fish me shenjën e minusit përpara, që do të duhej të vuloste dështimin e eksperimenteve  të këtij lloji.

Por jo. Qeveria vendos ta  përgjithësojë dështimin e saj si të kishte qenë sukses. Del në skenë koncesioni  i paparë  për mbledhjen e TVSH-së. Sipas vlerësimeve tona, mbështetur  në projektin e qeverisë, kompania fituese, që natyrisht është paracaktuar, do të përfitojë një shumë mbi 100 milionë euro që mund të shkojë deri 150 milion euro.
Pa shkuar me tej, gjithkush mund të pyesë: Nga vinë këto  para? Përgjigja është: nga biznesi shqiptar! Pyetja që pason është: Po pse të mos shkojnë në buxhet, pse të mos bëhen rroga, pensione, shërbime, por u dashka ti jepen një  kompania të huaj? Përgjigja është: për qëllime përfitimi të një grushti njerëzish, që janë të njëjtët, Edi Rama, banda dhe kupola e tij dhe oligarkia.

Përveç se abuziv dhe klientelist, koncesioni për mbledhjen e TVSH-së është në shkelje të hapur  të Kushtetutës, të Ligjit të Procedurave Tatimore, të Ligjit të Partneritetit Publik- Privat. Fushat e zbatimit të këtyre ligjeve e përjashtojnë  më mënyrë kategorike  dhënien e një koncesioni të tillë, pavarësisht kamuflimit që përpiqet t’i bëje Edi Rama.

Me  një koncesion të tillë Edi Rama pranon dështimin dhe kapitullimin  e saj në luftën kundër evazionit, por nga ana tjetër konsumon një vepër penale, duke qenë  se me ligj të ardhurat nga TVSH dhe taksat e ndryshme nuk mund të kenë asnjë destinacion tjetër përveç buxhetit të shtetit dhe shpenzimeve  buxhetore.
Cila është veçoria e koncesioneve që ka dhënë e kërkon të japë qeveria Rama?

Veçoria, ajo gjë që le pa mend çdo njeri që ka sadopak njohuri për koncesionet, është se këto janë koncesione me paratë e buxhetit të shtetit, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pra krejt e kundërta me kuptimin klasik të koncesioneve si një mënyrë për të thithur  investimet e huaja  në vepra të ndryshme, siç u bë me hidrocentralet. Në koncesionet e Check-up, sterilizimit, dializës, TVSH-së, kuponit tatimor, e tjerë, privatët e përzgjedhur nga Edi Rama nuk sjellin, por marrin para nga arka e shtetit.
Ndaj  bëhen pa transparencë, ndaj  konceptohen dhe realizohen në shkelje të ligjeve. Këtu është vjedhja, këtu është korrupsioni gjigand me paratë e shqiptarëve.
Filli përbashkues i koncesioneve të qeverise së sotme është korrupsioni. Ne u kemi shpallur  luftë dhe kjo luftë do të kulmojë kësaj jave dhe në javët në parlament dhe në publik ku Partia Demokratike, ju si deputetë të saj, ne të gjithë se bashku do t’i bëjmë gjyqin shembullor, me fakte dhe argumente, kësaj grabitjeje, makutërie të padëgjuar.
Beteja jonë është e do të jetë politike dhe ligjore. Do të kërkojmë me urgjencë  gjithë dokumentacionin  që lidhet me koncesionin e TVSH-së dhe me Lotarinë e Kuponit Tatimor dhe koncesionet e tjera.

Do të ndërmarrim të gjithë hapët e nevojshëm, siç kemi bëre deri  tani, ku kemi çuar mjaftueshmërisht dosje që prokuroria të nisë punën për të çuar para drejtësisë përgjegjësit e  grabitjes “me ligj”, por në mënyrë të paligjshme, të miliona e  miliona eurove pasuri  të shqiptarëve.

Qytetarët i kemi në mbështetje, por duhet të jemi me ta, në komunikim të vazhdueshëm.  Korrupsioni me  koncesionet ka marrë erë e po qelbet. Shumica e njerëzve  janë të skandalizuar. Sarkazma  më e përhapur  sot në publik është se me këtë logjikë i bie që Rama të  japë me koncesion edhe qeverinë, të heqë edhe zgjedhjet  sepse nuk i duhen më njeriu dhe vetë të dredhë  zinxhirin si pashallarë me agallarët e tij  duke iu gëzuar haraçit që merr.

Qeverinë do ta dorëzojë, kjo është e sigurt. Por jo me koncesion. Shqiptarët po kërkojnë  dhe do të kenë një qeveri të re të votës së lirë.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë